“Partitë e reja, vetëm për ‘kapuç të gjatë’ të shefave të tyre”

Politika

“Partitë e reja, vetëm për ‘kapuç të gjatë’ të shefave të tyre”

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 21 korrik 2025 Në ora: 18:01
Foto nga vendi i ngjarjes

Ditë më parë u bë e ditur se në skenën politike të Kosovës ka hyrë një parti e re politike, Forca e Re Kombëtare (FRK).

 “Me 14 dhe 17 Korrik, u mbajt mbledhja konstitutive e Këshillit Organizativ të nismës politike konservatore “Forca e Re Kombëtare”, si hap i rëndësishëm drejt themelimit të subjektit të ri politik që synon të sjellë frymë të re të përfaqësimit qytetar, identitar, moral dhe kombëtar në skenën politike të Kosovës.

Mbledhja u zhvillua në atmosferë serioze dhe përbashkuese, ku morën pjesë themeluesit e nismës, personalitete me përvojë në jetën publike, akademike dhe politike, si dhe përfaqësues nga qytetarë të interesuar për një alternativë politike me vlera të qarta etike, kulturore dhe shtetformuese”, thuhet në njoftimin për media të partisë së re “Forca e Re Kombëtare (FRK)”.

Kjo parti u themelua në një kohë kur Kosova po përballet me krizë politike, pasi ende nuk është bërë konstituimi i Kuvendit të Kosovës, ashtu siç nuk është krijuar ende qeveria e re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Nga ana tjetër, zgjedhjet e rregullta lokale në Republikën e Kosovës do të mbahen më 12 tetor 2025.

Në këtë situatë, lind pyetja: A ka nevojë realisht Kosova për parti të reja politike, apo ka më tepër nevojë për reformim të atyre ekzistuese?

Partitë ekzistuese janë konsumuar, nevojitet një subjekt i ri politik

Image
Ismail Muçiqi

Opinionisti Ismail Muçiqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka theksuar se skena politike në Kosovë ka nevojë urgjente për reforma rrënjësore, pasi partitë ekzistuese janë konsumuar dhe kanë humbur legjitimitetin.

 “Skena politike në Kosovë ka patjetër nevojë për ndryshime rrënjësore në organizimin politik. Në radhë të parë, partitë ekzistuese janë konsumuar skajshmërish dhe kanë humbur çdo arsye që të vazhdojnë të jenë në skenën politike. Reformimi është i pashmangshëm, duke filluar nga vetë liderët e partive dhe rrethet e tyre klanore partiake. Po ashtu, ky është momenti i duhur që në skenën politike të shfaqet ndonjë subjekt i ri, i cili do t’i sjellë politikës kosovare freski dhe vlera të reja”, ka thënë ai.

I pyetur nëse partitë e reja përbëjnë një mundësi për freski politike apo një fragmentim të mëtejshëm të skenës politike, ai përgjigjet kështu:

 “Mendoj se çdo subjekt i ri politik që do të formohet në Kosovë ka mundësi të shmangë shabllonin partiak e politik që është konsumuar ndër vite në Republikën e Kosovës”.

Gjithashtu, Muçiqi ka vlerësuar se deri tani nuk ka pasur parti të reja me frymë të re dhe është momenti që të shfaqet një lëvizje e vërtetë.

“Deri më tani, në Kosovë nuk kemi pasur parti të reja me frymë të re; ato që janë pjesë e Parlamentit të Kosovës kanë degraduar skajshmërisht. Është momenti që në skenë të dalë një lëvizje e vërtetë, e përbërë nga intelektualë dhe profesionistë me dije të thellë arsimore, profesionale, politike dhe ekonomike — njerëz që mund ta ndryshojnë realisht gjendjen në politikën kosovare”, ka deklaruar Muçiqi.

Kosova nuk ka nevojë për parti të reja politike

Ndërkaq, analisti politik, Gani Qarri ka potencuar se Kosova, si shtet i vogël me rreth 1.6 milion banorë, nuk ka nevojë për shumë parti politike.

Image
Gani Qarri

Ai ka sugjeruar se dy ose tre parti janë të mjaftueshme, duke marrë shembull SHBA-të që qeverisen me dy parti kryesore.

 Sipas tij, Kosova duhet të ndalojë krijimin e partive të shumta dhe të fokusohet te korrektësia politike, bashkëpunimi ndërpartiak dhe kompromiset për çështje të mëdha shtetërore.

 “Nisur nga shembulli më sublim i demokracisë në botë-SHBA-të, që përbëhen nga mese 50 shtete, të gjitha shumë herë më të mëdha se Kosova dhe megjithatë arrijnë në mënyrë shembullore, ta organizojnë jetën politike, mbarëvajtjen e demokracisë, qeverisjen normale dhe zhvillimin superlativ ekonomik të një hapësire kaq të gjerë gjeografike, të shtetit më të fuqishëm politik e ushtarak në mbarë botën, me vetëm dy parti si Demokratët dhe Republikanët, mendojë se Kosova me vetëm pak më shumë se 1.6 milion banor, si shtet i ri e vend kaq i vogël dhe me numër kaq të ulët të popullsisë rezidente, jo vetëm që nuk ka nevojë për parti të reja, por nuk kanë çfarë i duhen asgjë, më shumë se vetëm dy, apo eventualisht tri parti politike.

Sa u takon segmenteve politike, Kosova nuk duhet të lejojë, nga një shtet normal, të shndërrohet në korporatë të partive, as Uzinë të fabrikimit të tyre, sepse përveçse nuk i mungojnë partitë, Kosova ka parti më tepër seç i duhen, e ajo që i duhet urgjentisht, është korrektësia politike, mirëkuptimi ndërmjet partive, konstruktiviteti i tyre, e mbi të gjitha kompromisi për çështje të mëdha dhe dakordimi ndërpartiak për çuarjen e shtetit përpara”, ka thënë ai.

Po ashtu, Qarri ka shtuar se Kosova ka nevojë urgjente për një riformatim të thellë të skenës politike aktuale, me sjellje më korrekte dhe konstruktive nga partitë ekzistuese.

Tutje, ai ka propozuar reduktim rrënjësor të numrit të partive për të shmangur mbingarkesën financiare dhe për të parandaluar destabilitetin politik, që po e bllokon funksionimin normal të institucioneve dhe zhvillimin e shtetit të ri të Kosovës.

 “Kosova pikësëpari ka nevojë urgjente për riformatim të thellë të gjithë skenës ekzistuese politike, qasje më ndryshe në veprimet partiake dhe sjellje shumë më korrekte e konstruktive, të segmenteve aktuale, ndërsa duke pasur parasysh se disa parti, si AKR e Behgjet Pacollit, “Partia e Drejtësisë”, “Partia Socialdemokrate”, i ashtuquajturi "Koalicion për Familjen", ish partia "Ora" etj, derisa ndonjëra prej tyre është shuar fare, e tjerat nuk janë më të përfaqësuara as në Kuvend, krejt kjo flet qartë, se as që kemi nevojë për krijimin e segmenteve të reja politike.

Shto kësaj faktin se edhe Nisma e Limajt, arriti ta kalojë pragun zgjedhor, vetëm falë koalicionit me AAK, kurse tani, që të dyja, rrezikojnë seriozisht të bien nën pragun zgjedhor, nëse së shpejti përsëriten zgjedhjet e lira, ky argument flet shumë fuqishëm, se as partitë që mëtojnë të krijohen, apo që kanë shpallur veten të formuar, nuk do të kenë hapësirë fushëveprimi, kapacitete avancimi as ardhmëri politike, në një vend kaq të vogël si Kosova. 

Kështu që përveçse nuk kemi fare nevojë për parti të reja politike, medoemos dhe sa më parë, duhet bërë reformimi i thellë dhe reduktimi rrënjësor i partive ekzistuese, përndryshe numri kaq i madh i partive politike, në një vend kaq të vogël në territor e numër të banorëve dhe buxhet të kufizuar si Kosova, shtimi i numrit të partive përveçse mbingarkon financiarisht shtetin, komplikon edhe më keq, gjendjen edhe ashtu të brishtë politike, siç po ndodhë tani e mbi pesë muaj me radhë, me partitë aktuale të cilat shkaku i inateve politike, as për të 49-tën, apo edhe për të 50-tën herë mund të mos arrijnë ta konstituojnë as Kuvendin, duke penguar edhe krijimin e organeve tjera legjitime shtetërore si dhe komplikuar qëllimisht funksionimin normal të shtetit tonë të ri, ende të pa pranuar në OKB dhe shumë organizata tjera të rëndësishme ndërkombëtare”, ka shpjeguar ai.

Më tej, Qarri ka paralajmëruar se partitë e reja nuk sjellin freski politike, por përkeqësojnë fragmentimin dhe polarizimin ekstrem të skenës politike, duke çuar në një përçudnim moral dhe kombëtar.

 “E për rrjedhojë partitë e reja, veçanërisht ato me ngjyrime fetare turko-arabe, si ajo e Ferid Aganit, përveçse nuk janë të nevojshme, sikur duan qëllimisht, që përmes kamuflimeve me emra të fuqishëm “patriotik” ta fusin erën e Gazës palestineze edhe në Kosovë, andaj krijesa të tilla janë edhe të rrezikshme për vendin, të tepërta dhe jashtë kohës, e madje edhe mjaft problematike për shtetin tonë të vogël evropian, kur dihet publikisht, se ne si shtet i ri, vazhdojmë ende të jemi ekonomikisht, ushtarakisht, politikisht dhe ekzistencialisht tërësisht të varur nga SHBA-të dhe shtetet euroatlantike perëndimore.

Partitë e reja, jo vetëm që nuk kanë kapacitete të ofrojnë freski politike, por ato e fragmentizojnë edhe më keq skenën aktuale partiake edhe ashtu të polarizuar skajshmërisht, deri në atë shkallë përçudnimi moral e kombëtar sa edhe pas kalimit të më tepër se 5 muajve, nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, të mos mund të dakordohen as për konstituimin e Kuvendit dhe organeve tjera shtetërore, të dala nga legjislatura e zgjedhjeve të fundit demokratike”, ka potencuar Qarri.

Në fund, ai ka thënë se partitë e reja në Kosovë, si “Lista Guxo”, mbeten funksionale vetëm falë mbështetjes nga formacione më të mëdha si LVV.

 “E nëse shihet me kujdes edhe rezultati i partive të reja, si bie fjala konkretisht për partinë "Lista Guxo", e cila siç dihet, aktualisht vijon të mbetet funksionale, vetëm falë një formacioni më të madh politik, si LVV, partitë e vogla, veçanërisht viteve të fundit, siç thotë populli janë formuar vetëm për "Kapuç të gjatë" të shefave të tyre, sepse në momentet kur ato janë ballafaquar me sfida dhe sprova të mëdha, jo vetëm që nuk kanë qenë në gjendje ta dëshmojnë nevojën e ekzistimit të tyre, e ndihmojnë Kosovën dhe skenën politike në vend, por nuk kanë treguar as bindur askënd, se kanë kapacitete për të sjellë ndryshime, madje kanë dështuar tërësisht, të gjejnë edhe vendin e pretenduar për vete dhe akomodohen me sukses në jetën politike”, ka përfunduar Qarri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat