Konstituimi i Kuvendit të Kosovës ka dështuar për të 50-ten herë me radhë.
Shpresat kësaj radhe ishin që një marrëveshje e mundshme mes LVV dhe Nisma do të sjellte ‘zgjidhjen’ në Kuvend.
Mirëpo, një gjë e tillë nuk ndodhi as dje.
E për këtë çështje kryeministri në detyrë e njëherëshit kreu i LVV, Albin Kurti tha se Nismes i ka bërë një ofertë, mirëpo nuk kemi një marrëveshje ende finale.
E në lidhje me faktorët që kanë ndikuar që kjo marrëveshje ende të mos jetë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Eduard Gashi.
Analisti thotë se Fatmir Limaj ende nuk e ka pranuar ofertën e Albin Kurtit jo nga arroganca, por nga frika se një bashkëpunim me Vetëvendosjen do ta bënte Nismën një satelit të saj dhe do t’i rrezikonte identitetin politik.
“Fatmir Limaj, si një politikan me përvojë që e njeh mirë terrenin politik në Kosovë dhe që ka kaluar nëpër skena të ndryshme të pushtetit dhe opozitës, nuk ka refuzuar ofertën e Albin Kurtit nga arroganca, por nga dyshimi strategjik. Ai nuk e sheh Vetëvendosjen si një partner të qëndrueshëm apo të sinqertë në afat të gjatë, sidomos kur bëhet fjalë për menaxhimin e pushtetit të përbashkët.
Në esencë, Limaj ka frikë të mos bëhet një satelit i VV-së, siç kanë përfunduar disa figura të tjera në të kaluarën që kanë hyrë në orbitën e Kurtit. Ai po kalkulon me kujdes çdo hap, sepse e ka të qartë që një koalicion me VV-në mund ta shkatërrojë identitetin dhe pavarësinë politike të Nismës në sytë e elektoratit”, u shpreh ai.
Tutje analisti përmend disa nga faktorët kryesorë që kanë ndikuar.
“Faktorët kryesorë të mungesës së marrëveshjes:
1. Mungesa e besimit personal dhe politik ndërmjet Kurtit dhe Limajt.
• Dy liderë me histori të ndryshme, me karaktere të forta dhe me ambicie të pakompromis.
2. Frika nga asimilimi politik.
• Limaj e di që VV nuk ndan pushtet real – ajo imponohet dhe e absorbon aleatin.
3. Zgjedhjet e ardhshme si kalkulim i ftohtë.
• Limaj po mendon për mbijetesën e partisë dhe rikthimin personal në Kuvend. Një afrim me VV mund të shihet si shkrirje ose nënshtrim.
4. Presioni nga baza e Nismës.
• Ka struktura në Nismë që janë thellësisht kundër VV-së, sidomos për shkak të narrativës së kaluara ku VV i ka quajtur si “klasa e vjetër korruptive””, shpjegon analisti.
A është ky një sinjal për dështimin e koalicioneve opozitare në të ardhmen?
Tutje analisti thotë se një bashkim i opozitave në Kosovë mund të ndodhë vetëm mbi kalkulime të qarta strategjike.
“Po, dhe jo. Ky është një sinjal i qartë se përbashkimi opozitar në Kosovë nuk mund të ndodhë mbi baza emocionale apo populiste, por vetëm mbi kalkulime të qarta strategjike, ndarje reale të pushtetit dhe konsensus programor – që aktualisht mungojnë totalisht.
Kjo situatë kujton fragmentarizimin e skajshëm të opozitës në vendet si Bullgaria apo Izraeli, ku partitë opozitare përplasen më shumë me njëra-tjetrën sesa me pushtetin aktual, duke i lënë hapësirë qeverisë për të mbijetuar pa sfidë të vërtetë”, thotë ai.
Në fund analisti nënvizon që refuzimi i Limajt pasqyron mungesën e kohezionit opozitar dhe krizën e besimit ndërpartiak, ndërsa Vetëvendosja rrezikon izolimin nëse nuk ndryshon qasjen ndaj partnerëve.
“Ky është një sinjal paralajmërues i mungesës së kohezionit brenda opozitës, por edhe një reflektim i krizës së lidershipit dhe mosbesimit ndërpartiak në Kosovë. Fatmir Limaj ka zgjedhur të qëndrojë i vetëm, duke rrezikuar shumë, por duke shmangur një përqafim të ftohtë politik me një partner që nuk garanton stabilitet.
Në këtë kontekst, VV-ja duhet të reflektojë në mënyrën si i trajton partnerët – përndryshe do të mbetet një fortesë e izoluar, pa aleatë të qëndrueshëm në horizont”, përfundoi Gashi për “Bota sot”.