Kërkesa e Limajt për kreun e Kuvendit, ja pse kjo nuk duhet të ndodhë

Politika

Kërkesa e Limajt për kreun e Kuvendit, ja pse kjo nuk duhet të ndodhë

Nga: A.M. Më: 22 korrik 2025 Në ora: 22:21
Albin Kurti dhe Fatmir Limaj

Për herën e 50-të me radhë, konstituimi i Kuvendit të Kosovës ka dështuar. Megjithatë, afatit të caktuar nga Gjykata Kushtetuese po i vjen fundi.

Lidhur me këtë çështje, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të marrë një përgjigje se çfarë ndodh pas përfundimit të afatit 30-ditor të përcaktuar në aktgjykimin e fundit për konstituimin e Kuvendit.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka bërë të ditur se i ka bërë një ofertë partisë Nisma, e cila udhëhiqet nga Fatmir Limaj.

Nga ana tjetër, Nisma ka kërkuar që Fatmir Limaj të jetë kandidat për kryetar të Kuvendit.

Agim Aliçkaj, Drejtori Ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, në një prononcim për “Bota sot” ka deklaruar se situata në Kuvendin e Kosovës është e komplikuar dhe mund të zgjidhet në momentet e fundit.

Image
Agim Aliçkaj

“Situata në Kuvendin e Kosovës deri në përfundimin e afatit të dhënë nga Gjykata Kushtetuese, është mjaft e komplikuar por çdo gjë është e mundur në momentin e fundit.

Caktimi i afatit 30 ditësh nga Gjykata ishte me vend por mospërcaktimi i pasojave të qarta nëse nuk bëhet konstituimi, nuk e ndihmon aspak situatën. Sikur deputetët e papërgjegjshëm do të ballafaqoheshin me dënime për mosvotim dhe bllokim, zgjidhja e bllokadës do të ishte shumë më lehtë. Nëse nuk arrihet krijimi i institucioneve, duhet shkuar në zgjedhje  të parakohëshme dhe deputetët që nuk kanë votuar duhet të ndiqen penalisht.

Dy blloqet e krijuara nga partitë që morën pjesë në zgjedhje fajësojnë njëra-tjetrën. Zakonisht, kur lind një problem, të dyja palët janë fajtore, por unë mendoj se partitë opozitare që nuk fituan janë fajtorët kryesorë. Fituesi ka përgjegjësinë për krijimin e institucioneve, por ata që nuk fituan kanë detyrimin të mos e bllokojnë dhe të ndihmojnë fituesin. Pra, bllokues të vërtetë janë ata që nuk votojnë dhe gjejnë arësye për të bllokuar, jo ata që propozojnë dhe votojnë”, ka thënë ai.

Tutje, ai e ka kritikuar opozitën, duke thënë se dëshira e saj për të marrë pushtetin pa fituar zgjedhjet e ka penguar të kuptojë se as ndihma e jashtme, përfshirë oligarkët, nuk mund ta shpëtojë nga përgjegjësia.

“Nuk ka asnjë arsye të vlefshme për të mos e votuar znj. Albulena Haxhiu si Kryetare të Kuvendit. Bllokada do të hiqej lehtësisht me një votim të fshehtë dhe vazhdim të procesit të zgjedhjes së Qeverisë. Kjo është edhe në interes të opozitës, por ata nuk e kanë të qartë këtë për shkak të dëshirës së tyre të madhe për të marrë pushtetin me zor, pra pa i fituar zgjedhjet. Opozita nuk e ka të qartë se askush nga jashtë, madje as oligarkët, nuk mund t'i ndihmojë me këtë”, ka shtuar Aliçkaj.

Ai ka vlerësuar se kërkesa e Limajt për postin e Kryetarit të Kuvendit, nuk është e justifikuar dhe nuk duhet të pranohet.

Sipas tij, nëse Limaj ka vërtet qëllim ta ndihmojë shtetin, duhet të kënaqet me poste më të ulëta si ministri apo zëvendësministra, dhe të mos kërkojë më shumë se sa i takon me vota.

“Takimi i KM në detyrë z. Albin Kurti me Kryetarin e Nisma’s  Fatmir Limaj jep shpresë se mund të arrihet konstituimi, edhepse nuk është krejt e qartë a mund të i arrijnë numrat. Kërkesa e z. Limaj për pozitën e Kryetarit të Kuvendit nuk është reale dhe nuk duhet të plotësohet për shumë arsye. E njejta gjë vlen për postin e Presidentit. Ai, nëse është i shtyer nga dëshira e sinqert për të ndihmuar shtetin, nuk duhet të insiston ti merr këto poste por do të duhej të kënaqej me disa pozita të ministrit dhe zv.ministrit. Nuk është mirë të kërkojë tepër më shumë se sa i ka numrat”, ka potencuar ai.

Në fund, Aliçkaj ka shprehur besimin se Vetëvendosje dhe Albin Kurti kanë ende mundësi reale për të rritur votat.

“Pas të gjitha këtyre dështimeve, këta deputetë nuk e meritojnë të vazhdojnë detyrën. Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë rruga më e mirë e ecjes përpara. Le të vendosë populli a do ta mbajë qeverinë e z. Kurti apo ta kthejnë Kosovën te politikanët e korruptuar që e sollën buzë shkatrrimit dhe janë të gatshëm të bëjnë lëshime bonus ndaj Serbisë fashiste. Edhepse në këtë moment ka indikacione për zvogëlim të përkrahjes nga populli,  mendoj se VV-ja me KM Kurti ka mundësi reale ti shtojë votat”, ka përfunduar Aliçkaj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat