Autoritetet e Kosovës kanë arrestuar zyrtarin serb Igor Popoviq në pikën kufitare me Serbinë, pasi ky i fundit kishte dhënë një deklaratë të ashpër në përvjetorin e vrasjes së disa serbëve dhe romëve në fshatin Hoqë e Madhe. Popoviq e kishte quajtur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës “organizatë terroriste”, deklaratë e cila sipas Kodit Penal të Kosovës përbën nxitje të urrejtjes dhe përçarjes etnike.
Pas arrestimit, ai është dërguar në paraburgim për 30 ditë. Prokuroria njoftoi se ndaj tij është ngritur procedurë për "nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik", vepër që mund të dënohet me deri në 8 vjet burgim.
Pas arrestimit të ndihmësdrejtorit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Igor Popoviq, reagimi i autoriteteve serbe ka qenë i menjëhershëm dhe me tone të ashpra.
Beogradi zyrtar, përmes urdhrave të drejtpërdrejta ndaj shërbimeve të sigurisë dhe inteligjencës, ka kërkuar identifikimin dhe shënjestrimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të përfshirë në arrestimin e tij.
Zyra e Prokurorit Publik në Serbi ka iniciuar procedura për mbledhjen e informacioneve rreth policëve që morën pjesë në operacionin, ndërsa paralajmërohet se ndaj tyre mund të lëshohen edhe urdhër-arreste.
Ky veprim shihet si përpjekje e Serbisë për të ushtruar presion dhe frikësim institucional ndaj zyrtarëve të Kosovës, pavarësisht se veprimet e Policisë ishin në përputhje të plotë me ligjet e Republikës së Kosovës.
Islami: Serbia po mundohet ta paraqes Kosovën si vend jo stabil
Eksperti i sigurisë, Avni Islami, në një përgjigje për “Bota sot”, thekson se reagimi i ashpër i Serbisë pas arrestimit të drejtorit të Zyrës për Kosovën dhe deklaratat kërcënuese të Vuçiçit janë pjesë e vazhdimësisë së përpjekjeve për destabilizim të Kosovës.
Islami kujton se Serbia kishte paralajmëruar ndërhyrje në Kosovë dhe tash, pasi ka humbur kontrollin fizik dhe logjistik në veri, po mbështetet kryesisht në shërbimin inteligjent BIA, në bashkëpunim me rrjete tjera të huaja që nuk ia duan të mirën Kosovës.
“Pas arrestimit të drejtorit të zyrës për Kosovës, u pa se Serbia bëri reaksion dhe vet deklarata e e Aleksander Vuçiçit ishte kërcënuese në raport me Kosovën dhe nuk është asgjë e re duke krahasuar deklaratat e tij, duke filluar në vazhdimësi dhe ajo më serioze ishte para tre muaj e gjysme kur tha se ne presim një situatë të volitshme që të ndërhyjmë në Kosovë dhe në vazhdimësi Serbia përpiqet që ta destabilizojë Kosovën.
Duke pasur parasysh që ka humbur terren, gjendjen e forcave në terren i ka humbur dhe nuk ka, brenda katër komunave veriore por edhe brenda territorit të Kosovës nuk ka forca fizikisht, me logjistikë e tjera si rojat e Urës, pastaj Mbrojtja Civile e të tjera, tash i ka mbetur vetëm shërbimi inteligjent i BIA-s e cila në bashkëpunim me shërbime që nuk ia duan të mirën Kosovës po përpiqet që ta destabilizojë vendin”, shprehet ai.
Tutje, ai thekson se Zyra e Prokurorit në Serbi po kërkon arrestimin e policëve të Kosovës që ndaluan Popoviqin, një veprim i ngjashëm me rastin e mëparshëm ku një polic u përndoq për zbatimin e ligjit pa shkaktuar asnjë lëndim.
Islami shton se çdo polic i Kosovës i identifikueshëm që kalon në territorin serb rrezikon arrestimin, pavarësisht veprimeve të tij. Për këtë arsye, institucionet e Kosovës kanë paralajmëruar pjesëtarët e Policisë dhe FSK-së të mos udhëtojnë përmes Serbisë.
Ai përmend edhe një rast absurd ku një person akuzohet për Banjskën, ndonëse nuk ishte pjesë e Policisë në atë kohë.
Islami përfundon se Serbia po përpiqet ta paraqesë Kosovën si vend jostabil për të mobilizuar bashkësinë ndërkombëtare.
“Kurse, Zyra e Prokurorit ka kërkuar që kushdo nga këta pjesëtarë të Policisë së Kosovës të cilët e kanë arrestuar Popoviqn të arrestohen.
Ditë më parë kemi pasur rast të njëjtë për shkak të ndërhyrjes së një polici vetëm se kishte zbatuar ligjet e Kosovës dhe kishte përdor forcën proporcionale në raport për neutralizimin e një të riu derisa ai asnjë gërvishtje nuk e kishte, mediat e Serbisë u përpoqën që ta përdorin rastin dhe të njëjtën kohë prokuroria e Beogradit ka lëshuar flet-arrest për të, që të njëjtën po e bënë edhe sot.
Në fund thotë se, secili polic i Kosovës që është i indentifikueshëm posa të kalojë në territorin e Serbisë të gjithë janë armiq. Të shtetit serb dhe të gjithë do të arrestohen pavarësisht se çfarë ka bërë apo jo.
Prandaj, jo rastësisht është bërë thirrje nga institucionet e Kosovës që pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe të FSK-së të mos kalojnë as transit për territorin e Serbisë sepse të gjithë janë të rrezikuar. Kemi një rast ku akuzohet një polic kinse për rastin e Banjskës e që në fakt ai në atë kohë as që ishte polic i Kosovës.
Dhe, unë mendoj që të gjitha këto raste dhe këtë kohë Serbia po përpiqet që ta mobilizojë bashkësinë ndërkombëtare dhe ta paraqes Kosovën si vend jo stabil, se kinse komuniteti serb është i rrezikuar nga shqiptarët dhe nga institucionet e Republikës së Kosovës”, deklaron ai.
Shala: Ky urdhër përbën një akt të ndërhyrjes së drejtpërdrejtë në sovranitetin e Republikës së Kosovës
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka deklaruar se urdhri i Serbisë për të shënjestruar zyrtarë të Kosovës përbën ndërhyrje të drejtpërdrejtë në sovranitetin e saj.
Ai e cilëson këtë veprim si shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare dhe marrëveshjeve të Brukselit, duke theksuar se Serbia po vepron në kundërshtim me zotimet për bashkëpunim dhe de-eskalim.
“Po, në mënyrë të qartë dhe të pakontestueshme.
Ky urdhër përbën një akt të ndërhyrjes së drejtpërdrejtë në sovranitetin e Republikës së Kosovës. Kur një shtet fqinj – në këtë rast Serbia – urdhëron strukturat e veta të sigurisë dhe inteligjencës që të shënjestrojnë (targetojnë) zyrtarë shtetërorë të një shteti tjetër, kjo përfaqëson:
Një akt të jashtëligjshëm ndërkombëtarisht sipas parimit të mosndërhyrjes në punët e brendshme të një shteti sovran.
Shkelje të drejtës ndërkombëtare dhe të marrëveshjeve të Brukselit, ku Serbia, në mënyrë nominale, është zotuar për bashkëpunim dhe de-eskalim”, dekalron ai.
Tutje Shala, e cilëson si akt armiqësor dhe pjesë të strategjisë hibride të Serbisë ndaj Kosovës urdhrin për të shënjestruar zyrtarë kosovarë.
Sipas tij, ky veprim synon të minojë legjitimitetin e Policisë së Kosovës, të krijojë frikë psikologjike në veri dhe të dërgojë mesazhe ndëshkuese, në përpjekje për të ruajtur ndikimin serb përmes strukturave paralele dhe rrjeteve kriminale.
“Po – ky është një akt i qartë armiqësor dhe në vijimësi të strategjisë hibride serbe ndaj Kosovës.
Në aspektin strategjik, ky veprim i Serbisë futet në kategorinë e akteve hibride të tipit të “intimidimit institucional dhe operacional”, që kanë për qëllim:
Të minojnë legjitimitetin dhe autoritetin e Policisë së Kosovës si institucion i sigurisë publike dhe rendit kushtetues.
Të krijojnë frikë dhe pasiguri psikologjike ndër zyrtarët që zbatojnë ligjin në pjesën veriore të vendit.
Të dërgojnë një mesazh politik për dominim, se veprimet ndaj përfaqësuesve të “Zyrës për Kosovën” do të kenë pasoja personale.
Kjo qasje është e ngjashme me doktrinën e ndëshkimit të shërbyesve shtetërorë në territore ku Serbia synon ta ruajë ndikimin përmes strukturave paralele, inteligjencës, ose ndërlidhjeve kriminale”, shprehet eksperti.
Në fund, ai thotë se Kosova duhet të reagojë urgjentisht ndaj kërcënimeve të Serbisë përmes masave operative, ligjore e diplomatike.
Ai kërkon mbrojtje të shtuar për policët e përfshirë në arrestime, aktivizim të kundërzbulimit, njoftim të KFOR-it dhe EULEX-it, si dhe veprim diplomatik në BE, SHBA e OKB.
Po ashtu, propozon krijimin e një fondi për mbështetje ligjore dhe fizike të zyrtarëve të shënjestruar. Sipas tij, mbrojtja e tyre është mbrojtje e vetë autoritetit shtetëror të Kosovës.
“Po – masat mbrojtëse janë jo vetëm të domosdoshme, por urgjente.
Prandaj duhet :
a) Masa të menjëhershme operative:
Vendosja e mbikëqyrjes së shtuar për pjesëtarët e Policisë të përfshirë në arrestim – masa mbrojtëse, mbrojtje të privatësisë dhe lëvizjeve.
Aktivizimi i strukturave të inteligjencës kundërzbulimit për të identifikuar përpjekjet e Serbisë për ndjekje ose shantazh.
b) Masa strategjike-ligjore dhe ndërkombëtare:
Njoftimi i KFOR-it dhe EULEX-it për kërcënimet specifike ndaj policisë dhe kërkesa për mbështetje në terren.
Aktivizimi i kanaleve diplomatike në BE, SHBA dhe OKB, duke e paraqitur këtë akt si një sulm të strukturuar ndaj funksionarëve publikë të një shteti sovran.
c) Masa politike dhe simbolike:
Qeveria duhet të dërgojë një mesazh të qartë publik se shteti do të mbrojë çdo zyrtar që ka zbatuar ligjin dhe se nuk do të lejojë që ndëshkimi nga Serbia të frikësojë strukturat e saj të sigurisë.
Krijimi i një fondi të veçantë për mbështetjen ligjore dhe mbrojtjen personale të pjesëtarëve të Policisë që shënjestrohen nga Serbia.
Pra ky akt përfaqëson një formë të re të konfrontimit hibrid – më inteligjente, më individualizuese, por thellësisht destabilizuese. Mbrojtja e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës është mbrojtje e vetë autoritetit shtetëror të Kosovës. Tolerimi ose injorimi i këtyre veprimeve do të inkurajonte më tej ndërhyrjet armiqësore të Serbisë në territorin e Kosovës” – përfundon Drizan Shala për “Bota sot”.