Juristi Burjani: Gjykata Kushtetuese nuk zgjidh kriza politike – partitë duhet të marrin përgjegjësi para 8 gushtit

Politika

Juristi Burjani: Gjykata Kushtetuese nuk zgjidh kriza politike – partitë duhet të marrin përgjegjësi para 8 gushtit

Nga: M.L. Më: 27 korrik 2025 Në ora: 15:49
Foto ilustrim

Juristi Blerim Burjani, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka folur lidhur me situatën politike në vend, duke theksuar se nuk duhet pritur që Gjykata Kushtetuese të zgjidhë ngërçin aktual.

Sipas tij, përgjegjësia bie mbi partitë politike, të cilat duhet të gjejnë një zgjidhje para datës 8 gusht për të shmangur degradimin e mëtejshëm të Kuvendit.

“Realisht, nuk duhet pritur që Gjykata të zgjidhë problemet politike. Andaj, nuk ka arsye të pritet ndonjë zhvillim i ri apo interesant pas datës 8 gusht. Deri në këtë datë, partitë politike duhet të gjejnë një zgjidhje për të mos degraduar më tej funksionimin e institucionit të Kuvendit. Asgjë më shumë, asgjë më pak – nuk mund të pritet që Gjykata të zgjidhë ngërçin politik”, shprehet Burjani.

Image
Blerim Burjani

Ai vlerëson se masa për ndërprerjen e punës së Kuvendit është e diskutueshme në aspektin kushtetues dhe ligjor, duke potencuar se në demokracitë funksionale nuk ndodhin ndërhyrje të tilla në pushtetin legjislativ.

“Masa e vendosur për ndërprerjen e punës së Kuvendit është e dyshimtë, si në aspektin ligjor ashtu edhe kushtetues. Një pushtet si ai legjislativ nuk mund të ndalet. Asnjëherë në historinë e gjykatave kushtetuese në botë, në shtetet demokratike, nuk ka ndodhur një ndërhyrje e tillë ndaj pushtetit legjislativ”, theksom ai.

Burjani konsideron se partitë politike duhet të bëjnë çmos që për të gjetur një zgjidhje, ndërsa shprehet se nëse nuk ndodhë kjo, atëherë ato së bashku me presidenten duhet të merren vesh për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Të shpresojmë që deri më 8 gusht të vazhdojnë përpjekjet për arritjen e një koalicioni nga partitë politike. Ato duhet të bëjnë gjithçka që është e mundur për të gjetur një zgjidhje. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë Presidentja duhet të mbledhë partitë politike për t'u marrë vesh për mbajtjen e zgjedhjeve. Askush nuk mund t’i çojë partitë në zgjedhje me zor, pa pajtimin e tyre.

As Presidentja dhe as kushdo tjetër nuk mund ta bëjë këtë në mënyrë të njëanshme.

Pra, nuk ka gjykatë që zgjidh problemet politike – ka gjykata që interpretojnë kushtetutën dhe ligjet. Nëse ato e tejkalojnë këtë rol, atëherë e shkelin ligjin dhe Kushtetutën”, përfundoi Burjani.

Kujtojmë se pas përfundimit të afatit që Gjykata Kushtetuese u kishte dhënë deputetëve që të konstituonin Kuvendin e Kosovës, deputetët nuk do të mund të mblidhen më dhe as të marrin ndonjë vendim deri më datën 08 gusht 2025.

Dy përpjekjet e fundit të deputetëve për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës gjatë ditës së shtunë, 26.07, dështuan, duke shënuar kështu plot 54 tentime pa rezultat.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat