Zgjedhjet lokale - “Partitë politike janë kapur nga grupe njerëzish, pak gjasa të shohim befasi”

Politika

Zgjedhjet lokale - “Partitë politike janë kapur nga grupe njerëzish, pak gjasa të shohim befasi”

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 29 korrik 2025 Në ora: 17:55
Kandidatët PDK

Brenda pak muajsh pritet të mbahen zgjedhjet e reja lokale në Kosovë. Partitë politike tashmë kanë nisur përgatitjet e tyre, duke prezantuar edhe kandidatët e tyre për kryetar.

Përzgjedhja e kryetarëve ka shfaqur ndryshimet që partitë kanë menduar për këto zgjedhje. Madje shumë nga kryetarët aktual nuk janë rikandiduar për kryetarë.

Është e habitshme se si disa nga komunat ku janë basione të partive politike, nuk janë rikandiduar të njëjtit kryetar. Zgjedhjet lokale kanë filluar edhe përplasjet e para brenda partive politike.

Rasti i fundit është me mos-kandidimin e Kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci. Ai është zëvendësuar nga Patrit Hajdari, ndërsa ka paralajmëruar se do të kandidojë sërish, duke premtuar se do të marrë edhe një mandat.

Ndryshime të tilla janë hasur edhe tek partitë tjera politike.

Këto ndryshime partiake a mund të quhen si ‘pastrim’ në listat e partive politike?

Lidhur me këtë temë kanë folur për ‘Bota sot’ njohësit e çështjeve politike.

Kështu analistja politike, Magbule Shkodra, thekson se në zgjedhjet lokale, zakonisht rikandidohen kryetarët aktualë, vetëm në rastet kur matjet partiake thonë se duhen ndryshime.

Shkodra: Këto ndryshime nuk mund të quhen si spastrime, por vetëm janë bërë nga matjet politike

“Në zgjedhjet lokale, partitë politike, zakonisht kryetarët që i kanë nëpër komuna, i rikandidojnë. Vetëm nëse kanë matje të reja që tregojnë se, nuk kanë më ata kryetarë mbështetje të qytetarëve në atë komunë, atëherë vije deri te ndonjë ndryshim”, vlerëson Shkodra.

Sipas saj, këto ndryshime nuk mund të quhen si spastrime, por vetëm janë bërë nga matjet politike.

Image
Magbule Shkodra

“Por nuk mendoj se do të jetë punë spastrimi apo diçka përbrenda, por zakonisht partitë politike bëjnë matje, shikojnë punën e kryetarit si e ka bërë, sa është mbështetja e qytetarëve dhe nëse kanë ndonjë ide tjetër për ndonjë kryetar që mund të ndihmojë më mirë t’I bëj këto ndryshime”, thekson Shkodra.

Ajo në këtë rast përmend edhe rastin e kryetarit Lladrovci.

“Së fundi patëm rastin e kryetarit Lladrovci, i cili është zëvendësuar me një kryetar të ri, dhe unë po besoj që nuk është ndonjë vendim që i është bërë me qëllim kryetarit Lladrovci dhe nga ajo që raportohet ma merr mendja që Lladrovci ka bërë një punë të mirë, por ndoshta kanë matje të tjera. Ato vendime zakonisht votohen në kryesi dhe konform informacionit që e kanë, besoj ta kenë informacion statistikor që t’i bëjnë ndryshimet”, vlerëson analistja Shkodra për ‘Bota sot’.

Hoti: Te ne nominohen kandidatë/e pak para zgjedhjeve ndaj shpesh edhe rezultatet janë shpesh të mangëta

Ndërsa, analisti politik Agron Hoti, thotë se nuk mund të anashkalohet fakti që kriza aktuale politike i ka lënë goxha nën hije zgjedhjet lokale e bashkë me to edhe vetë kandidaturat për kryetarë të komunave.

“Sido që të jetë partitë proceduralisht po mundohen të japin përshtypjen që kanë demokraci të brendshme dhe rrjedhimisht po zgjedhin kandidatët më të mire”, thotë ai.

Image
Agron Hoti

Por i pyetur se këto ndryshime a mund të quhen si pastrime të listave partiake, ai thotë se duken më shumë kozmetike sesa përmbajtjesore.

“Sepse për të bërë ndryshime përmbajtjesore, partitë tona duhet t’i nënshtrohen së pari një procesi të brendshëm zgjedhor ku dominon meritokracia e jo klientelizmi e familjarizim. Në demokraci të mirëfillta, kandidatët për kryetarë komunash dihen shumë kohë para zgjedhjeve, të cilët pastaj shpalosin vizionet e tyre për të ardhmen e komunave. Te ne nominohen kandidatë/e pak para zgjedhjeve ndaj shpesh edhe rezultatet janë shpesh të mangëta”, vlerëson Hoti.

Ai thotë më tutje se, duke mos iu nënshtruar një procesi të brendshëm demokratik e meritokratik, kandidatët/et e partive të ndryshme më shumë janë preferenca të drejtuesve të partive, kryesive të tyre dhe pse jo edhe klaneve brendapartiake, sesa njerëz që me karrierë politike e profesionale.

“Duke qenë të tillë, ka pak gjasa që të shohim befasi. Partitë tona politike janë mbyllur dhe kapur nga një grup i ngushtë njerëzish, ndaj edhe është shumë e vështirë nëse e pamundshme të depërtojë një frymë e re meritokratike, ku qytetarët pastaj do të dilnin në zgjedhje shumë më shumë për kandidatin sesa për partinë që i përket ai apo ajo”, thotë ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat