Pastrim apo reformim? Partitë politike synojnë vetëm votat në zgjedhjet lokale

Politika

Pastrim apo reformim? Partitë politike synojnë vetëm votat në zgjedhjet lokale

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 3 gusht 2025 Në ora: 14:15
Foto ilustrim

Edhe pak kohë ka mbetur deri tek mbajtja e zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Ndonëse ato parlamentare nuk prodhuan një rezultat të mirëfilltë, pasi ende nuk kanë arritur të formohen institucionet e reja, partitë politike duket se fokusin më të madh e kanë tani tek këto zgjedhje.

Partitë tashmë kanë publikuar emrat e kandidatëve të tyre, që do të garojnë për pozitën e parë nëpër komunat e Kosovës. Nga këto lista janë parë disa ndryshime, e ndryshimet më të mëdha dallohen tek basionet e partive politike. Madje disa nga kryetarët aktualë, nuk janë propozuar sërish për kandidatë.

Por këto ndryshime të partive, a mund të quhen si pastrim apo reformim?

Për këtë ҫështje ka folur profesori dhe njohësi i ligjeve, Prof.dr. Fejzulla Berisha. Ai thotë se, në një shoqëri që kërkon transformim të thellë, proceset zgjedhore janë sprovë e sinqeritetit politik. Në diskursin publik, shpesh flitet për “pastrim” të listave, si një formë e supozuar e reformimit.

Berisha: Një tregues tjetër i reformës së brendshme është nëse partitë e lejojnë konkurrencën dhe garën e lirë për kandidatura

Profesor Berisha madje ka përmendur tek secila parti ndryshimet që kanë bërë për këto zgjedhje lokale.

Image
Prof. Dr. Fejzulla Berisha

“PDK ka nisur një proces të rishikimit të brendshëm të listave zgjedhore në disa komuna, duke treguar sinjale të kujdesshme për rinovim të figurave lokale. Në disa raste, janë përfshirë kandidatë të rinj me prapavijë profesionale, ndërsa në raste të tjera është vërejtur rikandidim i figurave ekzistuese me mbështetje të konsoliduar në baza.

Megjithatë, sfida e PDK-së mbetet balancimi ndërmjet besnikërisë ndaj strukturave tradicionale dhe hapjes ndaj profileve të reja, me qëllim që të reflektojë më qartë ndryshimin e pritur nga elektorati. Në disa degë lokale, janë paraqitur pakënaqësi të izoluara për mungesë gare të hapur, por kjo nuk është shfaqur në mënyrë të përgjithshme ose destabilizuese”, vlerëson ai.

Berisha thotë se, Vetëvendosje, si subjekt në pushtet, përballet me sprovën më të madhe për të treguar se është e gatshme të riformatohet në nivel lokal.

“Edhe pse është përpjekur të sjellë disa figura të reja në Prizren, Gjakovë dhe Podujevë, në shumë raste ato janë individë të zgjedhur nga rrethi i ngushtë politik dhe jo përmes një gare meritokratike. Kjo ngre pikëpyetje për sinqeritetin e reformimit të brendshëm”, thekson ai.

Ndërkaq për AAK-në, ai thotë se ka shfaqur një tendencë për të rikandiduar figura të vjetra, shpesh për shkak të lidhjeve tradicionale politike, por pa vetting real të performancës së tyre si udhëheqës lokal. Ndërsa sa i përket LDK-së, ai thotë se kjo parti në disa komuna si Ferizaj dhe Gjilan, ka dhënë shenja reformimi duke përfshirë disa figura të reja akademike dhe profesionistë të rinj. Por në shumë raste, këta kandidatë janë margjinalizuar në fund të listës, pa rol aktiv në fushatë. Kjo tregon një përpjekje të gjysmë, më shumë për imazh se sa për reformë reale.

Profesor Berisha thotë se, një tregues tjetër i reformës së brendshme është nëse partitë e lejojnë konkurrencën dhe garën e lirë për kandidatura, apo nëse ato kontrollohen tërësisht nga qendra.

“Në shumicën e partive, kandidaturat për kryetarë komunash, anëtarë të kuvendeve komunale, e madje edhe këshilltarë lokalë, mbeten të centralizuara. Rrallëherë zhvillohen zgjedhje të brendshme të hapura, dhe në shumicën e rasteve vendimi vjen nga “lart”, theksoi ai.

Shkodra: Kalimet e kandidatëve nga një parti në tjetrën ndodhin vetëm për interesa oportuniste

Në prag të zgjedhjeve lokale, po ashtu ka folur edhe analistja politike Magbule Shkodra. Ajo ka shprehur kritika të ashpra ndaj partive politike në vend, duke theksuar se lëvizjet e tyre nuk përfaqësojnë reforma të vërteta, por janë veprime të motivuara vetëm nga qëllimi për të maksimizuar numrin e votave.

"Mendoj që partitë politike për këto zgjedhje lokale e kanë në mendje vetëm një qëllim: si të arrijnë sa më shumë vota. Nuk e bëjnë as për pastrim dhe as për reformim. Ideja e tyre është si të maksimalizohet vota në çdo mënyrë të mundshme," u shpreh Shkodra.

Sipas saj, po të kishte pasur vullnet të vërtetë për reforma, ato do të ishin ndërmarrë më herët, shumë kohë para fushatës zgjedhore.

Image
Magbule Shkodra

"Reformimi do të duhej të fillonte shumë më herët, para se të vinte koha e zgjedhjeve lokale. Edhe nëse do të ishte fjalë për pastrim, pra heqjen e personave nën aktakuza apo me probleme të tjera, ato masa do të merreshin me kohë, e jo tani në prag të zgjedhjeve."

Ajo kritikon edhe fenomenin e kalimeve të individëve nga një parti në tjetrën, duke i quajtur këto veprime të shtyra nga motive personale dhe jo ideologjike.

"Kalimet e kandidatëve nga një parti në tjetrën ndodhin vetëm për interesa oportuniste. Nuk janë njerëz që besojnë në ndonjë program a vizion, por shikojnë vetëm interesin personal. Ndoshta ka ndonjë rast të rrallë që vërtet nuk beson më në programin e partisë dhe vendos të ndryshojë, por në shumicën e rasteve janë kalkulime individuale", vlerësoi ajo.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat