Ndonëse, ende nuk ka përfunduar konstituimi i Kuvendit dhe formimi i qeverisë së re – Kosova i ka nisur përgatitjet për një palë zgjedhje të reja, ato lokale, që do të mbahen më 12 tetor.
Madje, partitë veçse kanë filluar me përgatitjet dhe fushatat e tyre, pavarësisht bllokadës në nivel qendror.
Megjithatë, kjo papërgjegjësi politike e partive, e treguar me moskonstituimin e Kuvendit, pritet të ndikojë në procesin e zgjedhjeve lokale, ku parashihen ndëshkime me vota nga ana e qytetarëve.
E për këtë temë, për “Bota sot” foli opinionisti Dedë Preqi, i cili tha se natyrshëm ky ngërç politik do të ndikojë në zgjedhjet e ardhshme.
Sipas tij, më qytetarët nuk do kenë vullnet për të votuar, si pasojë e përçarjes së partive dhe mospërgjegjësisë së treguar për formimin e institucioneve të reja.
“Sigurisht që do të ndikojë me të madhe bllokada e Kuvendit të Kosovës, në zgjedhjet e ardhshme në ato lokale dhe parlamentare, për shkak se pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, moskonstituimi i Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re, qytetari nuk mund të jetë më i obliguar dhe nuk ka vullnet të jap votën e vet për një ndryshim.
Qytetari i vendit në këto momente të fundit është ushqyer vetëm me retorika të thata dhe forma të përçarjes nga deputetet e Kuvendit, duke parë fare një bashkëpunim dhe ndërveprim konkret në mes tyre, dhe si do të lind besimi se edhe në zgjedhjet e ardhshme do të hezitojnë të bashkëpunojnë në mes vete, që deri dje janë akuzuar dhe shantazhuar me njëri-tjetrin”, deklaroi ai.
Krahas kësaj, Preqi parashikoi edhe zgjedhje të reja parlamentare, ndonëse tha se ato nuk do japin rezultate që mund ta zgjedhin këtë bllokadë.
“Zgjedhjet e reja mund të ndodhin patjetër, dhe jemi të bindur se ato nuk mund të prodhojnë diçka të begatshme, nëse do të mungojë bashkëpunimi dhe harmonizimi në mes partive vendore, por një gjë është e mundur se shumica e deputetëve aktual nuk do të arrijnë të ulën në Parlament, të cilët nuk e meritojnë votën e këtij populli”.
Ndër të tjera, opinionisti tha se qytetari është i zhgënjyer shumë dhe se do i ndëshkojë të gjitha partitë me votë.
Mirëpo, sipas tij partitë që do e pësojnë më shumë, do të jenë AAK dhe NISMA.
“Qytetari i Kosovës, si asnjëherë tjetër është i zhgënjyer aq shumë, sa këtë herë do të jap më ashpër dhe me arsye përgjigjen e këtij zhgënjimi, duke munguar apo duke mos e votuar shkaktarin e këtij ngërçi politik dhe institucional në Kuvend", përfundoi Dedë Preqi për "Bota sot".