“Pa kompromis politik, as Kushtetuesja s’e shpëton Kosovën nga ngërçi”, politologu nga Brukseli paralajmëron paralizë institucionale

Politika

“Pa kompromis politik, as Kushtetuesja s’e shpëton Kosovën nga ngërçi”, politologu nga Brukseli paralajmëron paralizë institucionale

Nga: N.E Më: 11 gusht 2025 Në ora: 13:59
Foto ilustrim

Të premten, Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar përsëri deputetët e Kuvendit të Kosovës ta konsitutojnë përbërjen e re parlamentare – e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit – por këtë herë me udhëzime më të qarta.

Ata urdhërohen ta konstituojnë Kuvendin brenda një afati 30-ditor dhe ta zgjedhin kryeparlamentarin përmes votimit të hapur, duke e hedhur në votim të njëjtin kandidat jo më shumë se tri herë.

Vendimi është mirëpritur nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, por është kritikuar nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

LVV-ja e quajti vendimin arbitrar, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cilësuan fitore kushtetuese e demokratike, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) foli për rrëzimin e diktatit.

Ndërsa, politologu Ramadan Gjanaj, thotë se vendimi duket përpjekje e rëndësishme për të ruajtur rendin kushtetuese, por nuk ofron një rrugë konkrete për zhbllokim të plotë.

Sipas tij, Gjykata nuk e ka rolin për të gjetur zgjidhje për një problem, por duhet përgjigjur pyetjeve ashtu si i janë paraqitur.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të shpallur të pavlefshme seancat e Kuvendit nga 27 qershori deri më 26 korrik 2025, për të vendosur një afat 30-ditor për konstituimin e tij dhe për të kërkuar zgjedhjen e kryeparlamentarit me votim të hapur, duket si një përpjekje e rëndësishme për të ruajtur rendin kushtetues dhe për t’i dhënë kohë palëve politike për të gjetur një zgjidhje. Ky vendim synon të shmangë dëme të menjëhershme institucionale dhe të detyrojë deputetët të respektojnë procedurat kushtetuese. Megjithatë, siç kanë theksuar disa njohës të drejtësisë, vendimi është kritikuar si i paqartë ose konjukturor, pasi nuk ofron një rrugë konkrete për zhbllokim të plotë, por vetëm shtyn krizën, duke lënë suksesin në varësi të vullnetit politik të deputetëve, i cili deri më tani ka munguar. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese nuk ka rolin për të gjetur një zgjidhje për një problem që lidhet me mosgatishmërinë e deputetëve dhe të partive politike. Prandaj, Gjykata i është përgjigjur pyetjeve ashtu si i janë paraqitur dhe ka dhënë interpretimin e saj. Pavarësisht kësaj, duhet theksuar se, edhe nëse vendimi nuk i kënaq të gjitha partitë politike, ai në parim duhet të respektohet nga të gjithë, pasi është një vendim i organit më të lartë kushtetues, dhe të gjithë aktorët duhet t’i nënshtrohen atij për të shmangur kaosin institucional dhe, mbi të gjitha, për të mbrojtur shtetin ligjor”, shprehet Gjanaj.

Image
Ramadan Gjanaj

Sipas tij, situata e krijuar mund të çojë në paralizë institucionale dhe kësisoj Kosova do ta dëmtonte imazhin dhe marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.

“Nëse Gjykata Kushtetuese nuk ofron një zgjidhje të qartë dhe afati 30-ditor skadon pa konstituimin e Kuvendit, saga e kryeparlamentarit mund të shtyhet në një ngërç institucional të gjatë. Pavarësisht se ekzistojnë disa skenarë, si për shembull shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme nga Presidentja, siç parashikohet në Kushtetutë, apo zvarritja e kësaj situate duke apeluar përsëri Gjykatën Kushtetuese për interpretim shtesë, nëse nuk ka një dialog të ri politik dhe kompromis mes partive, veçanërisht mes LVV-së, si partia që doli e para në zgjedhjet e këtij viti, dhe opozitës, për të gjetur një kandidat të pranueshëm, kjo situatë mund të çojë në paralizë institucionale, duke dëmtuar rëndë imazhin e Kosovës dhe marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë. Me sa duket, asnjë parti nuk ka treguar ndonjë gatishmëri për kompromis dhe bashkëpunim, dhe nuk ka gjasa që kjo të ndodhë para se të mbahen zgjedhjet vendore të tetorit të këtij viti, përveç nëse ka një presion të madh nga faktori ndërkombëtar”, deklaron politologu.

Albulena Haxhiu është kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, kandidate kjo e cila nuk pranohet nga opozita.

Sipas njohësve të drejtësisë, pas vendimit të Gjykatës kushtetuese, Lëvizja Vetëvendosje mund të vazhdojë tri herë tjera me emrin e Haxhiut, pastaj me emra tjerë që nuk do të votohen përsëri dhe kështu të vazhdojë kjo kauzë.

Në anën tjetër, politologu Ramadan Gjanaj, thekson se LVV pas Haxhiut mund të propozojë Konjfucën apo Bislimin.

“Është e vështirë të parashikohet me saktësi, por Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka një bazë kandidatësh me përvojë parlamentare. Pas dështimeve me Albulena Haxhiun, emra të mundshëm mund të jenë figura si Glauk Konjufca, i cili ka qenë kryetar i Kuvendit më parë dhe ka përvojë politike të lartë, ose Besnik Bislimi, i njohur për aftësitë negociuese. Një tjetër mundësi është propozimi i një figure më neutrale brenda partisë për të lehtësuar negociatat me opozitën. Megjithatë, suksesi do të varet nga gatishmëria e pozitës për të propozuar një figurë më konsensuale, si dhe e opozitës për ta pranuar atë, çka mbetet sfiduese pas tensioneve aktuale”, shprehet Gjanaj.

I pyetur nëse zgjidhja qëndron te një koalicion me Nisman, apo te zgjedhjet e reja, Gjanaj, shton se zgjedhjet duken skenar më i mundshëm.

“A mbetet zgjidhja përsëri te një koalicion me Nisman, apo zgjedhjet e reja? Zgjidhja përmes një koalicioni me Nisma dhe aleatët e saj mund të jetë një opsion aritmetik për të arritur shumicën e votave në Parlament, por duket e vështirë për shkak të mungesës së besimit mes palëve. LVV ka insistuar në qeverisje me shumicë absolute, dhe Nisma, si pjesë e bllokut opozitar, ka treguar rezistencë ndaj kandidatëve të saj. Dihet qartë se faktori ndërkombëtar kërkon një qeveri të re, të qëndrueshme dhe që të mund të përgjigjet sfidave të brendshme dhe të jashtme. Kjo nuk ka gjasa të arrihet me një koalicion aq të brishtë sa do të ishte koalicioni LVV-Nisma. Mendoj se një koalicion i tillë do të jetë shumë jetëshkurtër. Nëse “dialogu” ndërpartiak dështon, zgjedhjet e reja duken si skenari më i mundshëm. Kjo mund të jetë një mundësi për të rinovuar mandatet dhe për të zgjidhur bllokadën, por gjithashtu rrezikon të thellojë polarizimin politik, veçanërisht nëse qytetarët, siç po shihet, humbin besimin në proces”, përfundon politologu.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat