Serbia ndalon dy të dyshuar për krime lufte, pa zbuluar identitetin – Ngjela komenton rastin

Politika

Serbia ndalon dy të dyshuar për krime lufte, pa zbuluar identitetin – Ngjela komenton rastin

Nga: A.M. Më: 14 gusht 2025 Në ora: 22:30
Foto ilustrim

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka bërë të ditur të enjten se i ka ndaluar dy persona me inicialet X.E dhe B.E në pikën kufitare mes Serbisë dhe Hungarisë, Horgosh, nën dyshimet se me pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kanë kryer krime lufte kundër popullsisë civile.

Në komunikatën e ministrisë nuk është përmendur nacionaliteti i të ndaluarve.

Në të, autoritetet serbe kanë thënë se dyshojnë që më 1999, të ndaluarit e kanë kidnapuar një serb me inicialet J.M në Rahovec, e kanë dërguar në një drejtim të panjohur dhe që prej atëherë nuk dihet asgjë për të.

Ky arrestim ka nxitur reagime të mëdha, derisa është ngritur alarm për këto arrestime të vazhdueshme nga ana e Serbisë.

E në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” ka folur avokati shqiptar, Spartak Ngjela.

Image
Spartak Ngjela.

Së pari, ai tha se nuk dihet për nacionalitetin e të arrestuarve, megjithatë tha se qeveria e Beogradit është në përplasje të vazhdueshme me ish-pjesëtarët e UÇK-së.

“Përderisa nuk dalin emrat ne nuk e dimë nacionalitetin e dy personave të ndaluar. Prandaj nuk e di se çfarë të them. Por tani dihet që qeveria e Serbisë është ajo që ka qenë dhe është në përplasje me pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kurse për këtë rast nuk po kuptohet se cili është identiteti i personave të ndaluar dhe sidomos nacionaliteti i tyre”, theksoi Spartak Ngjela për “Bota sot”.

Më herët gjatë këtij muaji është ndaluar edhe Behar Preniqi në pikën kufitare Batrovci, në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë. Akuza ende nuk është bërë publike.

Autoritetet e Kosovës i kanë konsideruar gjithmonë këto arrestime si arbitrare dhe kanë kërkuar lirimin e tyre.

Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshje për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike, më 2013, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por bashkëpunim mes tyre për rastet e krimeve të luftës nuk ka pasur thuajse fare.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat