Gjykata Kushtetuese e Kosovës, dje e ka publikuar aktgjykimin e plotë lidhur me seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Në këtë aktgjykim, Kushtetuesja thekson se tashmë afati prej 30 ditësh për formimin e Parlamentit, ka nisur të rrjedhë.
Kjo gjykatë shpjegon me saktësi se si duhet të veprohet gjatë seancës.
“Rrjedhimisht, Gjykata konstaton që Kryesuesi i Seancës Konstituive duhet të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe në pajtim me paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë”, thuhet në aktagjykim.
Rrjedhimisht, Gjykata në vijim përcakton që deputetët e zgjedhur të Kuvendit duhet të zgjedhin Kryetarin/en dhe nënkryetarët e Kuvendit të Republikës së Kosovës sipas pikave 3 dhe 4 të rendit të ditës të Seancës Konstituive brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi.
Juristi Blerim Burjani, në një përgjigje prë “Bota sot”, ka thënë se edhe pse formalisht aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese pranohet, ende mbetet e paqartë zbatueshmëria e tij pasi nuk është publikuar i plotë.
Ai shtoi se aktgjykimi nuk ndikon në marrëveshjet mes partive, sepse gjithçka varet nga vullneti politik, ndërsa retorikën e kryeministrit Kurti e cilësoi si lojë me fjalë dhe të lidhur vetëm me statizëm politik.
“Formalisht mund ta pranoj si aktgjykim, por sa do të zbatoj këtë aktgjykim për momentin nuk dihet. Ideja e rezistimit për të folur qartë për aktgjykimin, VV e bën me arsyetimin se ende nuk ka aktgjykim të plotë të botuar në Gazetën Zyrtare apo në uebfaqen e saj nga Gjykata.
Aktgjykimi nuk ka ndikim në marrëveshje: nëse partitë duan marrëveshje, asgjë nuk i pengon; nëse jo, atëherë asgjë nuk i detyron. Pra, është problem i vullnetit politik.
Loja me fjalë e Kurtit është gjithmonë e tillë: retorika e tij politike lidhet vetëm me logjikën, me statizmin politik”, deklaron Bujrani për “Bota sot”.