Jo rrallëherë zyrtarët politikë, si dhe liderët shtetërorë i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për probleme të ndryshme politike.
Kjo gjykatë ka arritur të zgjidhë disa herë ‘nyjet’ politike në Kosovë.
Kësaj radhe, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani i është drejtuar Kushtetueses për zgjidhjen e ngërҫit politik. Kjo gjykatë ende nuk po arrinë të gjej zgjidhjen dhe një gjuhë të përbashkët mes partive politike.
Mirëpo, janë disa raste kur Gjykata Kushtetuese ka ndikuar në stabilitetin politik.
Gjykata Kushtetuese vendosi mbi çështjen e krijimit të koalicioneve dhe të drejtën e partisë fituese për të propozuar kryetarin e Kuvendit. Ky vendim, ndonëse u kundërshtua politikisht, u respektua dhe ndihmoi të zhbllokohej ngërçi institucional.
Po ashtu, Gjykata Kushtetuese shpalli të pavlefshëm votimin e një deputeti që kishte qenë i dënuar, duke e bërë të paligjshëm formimin e qeverisë. Ky vendim solli shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhje të reja, të cilat prodhuan një mazhorancë të re të qëndrueshme.
Gjykata sqaroi rolin e Presidentit dhe të partive politike në procesin e mandatarit, duke vendosur standarde të reja për funksionimin e sistemit parlamentar.
Prof. dr. Fejzulla Berisha: Moszbatimi i afateve kushtetuese çon Kosovën në vakum institucional
Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Prof. dr. Fejzulla Berisha, ka paralajmëruar se vonesat në konstituimin e Kuvendit përbëjnë shkelje të drejtpërdrejtë të Kushtetutës dhe rrezikojnë funksionalitetin e shtetit.
“Demokracia parlamentare funksionon mbi bazën e rregullave të qarta kushtetuese. Konstituimi i Kuvendit pas zgjedhjeve është hapi themelor për funksionimin e shtetit,” ka deklaruar Berisha.
Ai ka kujtuar se Kushtetuta përcakton qartë afatet:
“Neni 66 i Kushtetutës e bën të qartë se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve. Ky është afat peremptor, pra i detyrueshëm dhe jo fleksibil.”
Sipas tij, çdo tejkalim i këtij afati prodhon pasoja të rënda:
“Nëse Kuvendi nuk konstituohet në kohë, krijohet një vakum institucional, Presidentja vihet para një situate ku mandati i saj vihet në pikëpyetje, ndërsa deputetëve u mohohen të drejtat politike. Kjo bie ndesh me parimet e demokracisë parlamentare.”
Profesor Berisha thekson se Gjykata Kushtetuese është institucioni kyç për zgjidhjen e krizave të tilla.
“Gjykata Kushtetuese është arbitri neutral, interpretuesi përfundimtar dhe garantuesi i funksionalitetit shtetëror. Vendimet e saj janë përfundimtare, të paapelueshme dhe të detyrueshme për Presidenten, deputetët dhe të gjitha institucionet,” ka shtuar ai.
Nëse këto vendime nuk zbatohen, pasojat janë të shumëfishta.
“Moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është akt antikushtetues. Ai dëmton shtetin e së drejtës, krijon krizë të thellë politike dhe e diskrediton Kosovën në planin ndërkombëtar,” ka theksuar Berisha.
Ai ka sjellë edhe shembuj nga praktika ndërkombëtare, duke përmendur Gjermaninë, Poloninë dhe rastet e Kosovës në vitet 2014 dhe 2020.
“Në Gjermani, vendimi i Gjykatës Kushtetuese u respektua menjëherë. Në Poloni, moszbatimi solli krizë të rëndë. Edhe Kosova, ndonëse me kundërshtime politike, ka zbatuar vendimet e saj. Ky është një obligim kushtetues që nuk mund të anashkalohet,” ka përfunduar Prof. dr. Fejzulla Berisha.
Agron Hoti: Moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese e rrezikon integrimin euroatlantik të Kosovës
Ndërkaq profesori i ekonomisë dhe analisti politik, Agron Hoti, ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese është institucion kyç për stabilitetin demokratik të Kosovës dhe se moszbatimi i vendimeve të saj përbën rrezik serioz për rendin kushtetues dhe rrugën integruese të vendit.
“Gjykata Kushtetuese e luan rolin e stabilizatorit të demokracisë, sepse mbron rendin kushtetues, të drejtat dhe liritë themelore dhe kufizon pushtetin e shumicës,” ka theksuar Hoti.
Ai ka kujtuar se kjo gjykatë edhe më herët ka qenë faktor vendimtar në tejkalimin e krizave politike.
“Pas zgjedhjeve të vitit 2014, Gjykata Kushtetuese ndikoi drejtpërdrejt në stabilizimin politik të vendit. Vendimet e saj në të kaluarën janë respektuar, ndërsa sot shohim që ato nuk po zbatohen ose po zbatohen vetëm pjesërisht,” ka shtuar ai.
Sipas Hotit, sulmet e fundit ndaj Gjykatës Kushtetuese nga partia në pushtet janë të papranueshme.
“Janë të pashembullta sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese nga partia fituese. Kjo është e njëjta gjykatë që dikur rrëzoi Qeverinë Hoti, pas së cilës në pushtet erdhi Kurti. Nuk guxojmë ta vlerësojmë Gjykatën me dy standarde: ta quajmë të mirë kur vendimet i shkojnë në favor dhe të keqe kur janë në disfavor të një subjekti politik,” ka thënë ai.
Hoti thekson se vendimet e Gjykatës Kushtetuese në çdo demokraci të zhvilluar janë të padiskutueshme.
“Në një vend normal, vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë menjëherë të zbatueshme. Edhe Kosova nuk duhet as ta mendojë refuzimin e tyre, sepse kjo do të cenonte rendin kushtetues dhe do të jepte mesazhin më të keq para miqve ndërkombëtarë dhe investitorëve potencialë,” ka deklaruar ai.
Sipas tij, moszbatimi i këtyre vendimeve sjell pasoja të rënda në arenën ndërkombëtare.
“Në një vend ku nuk zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ai shtet e humb përkrahjen ndërkombëtare dhe nuk mbetet më atraktiv për integrime. Një Kosovë që shkel vendimet e Kushtetueses le ta harrojë integrimin euroatlantik,” ka përfunduar Agron Hoti.