Kur politika harron fjalën e dhënë, Mehmeti me kritika ndaj PDK-së: Ja si e zhvilloi lojën politike rreth Dimal Bashës

Politika

Kur politika harron fjalën e dhënë, Mehmeti me kritika ndaj PDK-së: Ja si e zhvilloi lojën politike rreth Dimal Bashës

Nga: A.M Më: 25 gusht 2025 Në ora: 14:57
Foto ilustrim

Gjatë vazhdimit të seancës së fundit konstituive, Hekuran Murati, Arbërie Nagavci dhe Dimal Basha nga Lëvizja Vetëvendosje nuk arritën të siguronin 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur në krye të Kuvendit të Kosovës.

Mosvotimi i Dimal Bashës shkaktoi reagime të mëdha, pasi ai nuk kishte qenë pjesë e kabinetit qeveritar – një kusht ky i vendosur nga PDK për të mbështetur kandidatin për kryetar të Kuvendit.

Megjithatë, Partia Demokratike e Kosovës nuk e votoi Bashën, çka shkaktoi kritika të shumta dhe akuza për mashtrim të opinionit publik.

Për këtë situatë dhe bllokadën e vazhdueshme në Kuvend, për “Bota sot” ka folur analisti politik Gani Mehmeti.Së pari, ai tha se fajtorë për moskonsituim të Kuvendit, janë të gjitha partitë politike, pasi po refuzojnë të bashkëpunojnë mes vete për formim të institucioneve shtetërore.

“Kanë kaluar mbi gjashtë muaj që nuk zgjidhet kryetari i Kuvendit të Kosovës, për shkak të mosvotimit të kandidatit nga partitë ish-opozitare, pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka numrat e mjaftueshëm për ta zgjedhur atë vetë.

Shkaqet e kësaj moszgjedhjeje tashmë dihen.

Partitë politike – pozitë dhe opozitë – vazhdimisht po e fajësojnë njëra-tjetrën. Dhe me të drejtë mund të themi se faji është i të dy palëve, sepse janë ngulitur në qëndrime të pamatura e inatçore, gjë që nuk na ka hije – e sidomos neve, që duhet të jemi më bashkëpunues, si njerëz dhe si parti”.

Image
Gani Mehmeti

Megjithatë, sipas Mehmetit, pas seancës së fundit, përgjegjësia kryesore për moskonstituim të Kuvendit, i bie PDK-së.

Ai tha se fjala e dhënë duhet mbajtur, por siç duket kjo ishte vetëm një lojë politike e kësaj partie.

“Nëse deri më sot kemi fajësuar Vetëvendosjen për këtë ngërç, tashmë përgjegjësinë ia mveshim vetë PDK-së, për shkak të mosvotimit të Dimal Bashës – një kandidat që nuk ka qenë pjesë e institucioneve, pra që përmbushte kushtin e vendosur më parë nga vetë PDK-ja, e cila kishte deklaruar se nuk do të votonte asnjë kandidat që kishte qenë pjesë e qeverisë.

Fjala është fjalë – dhe ajo duhet mbajtur kur jepet.

Kur lidhet dikush, duhet edhe ta mbajë fjalën. Përse do të duhej të këshilloheshin deputetët e PDK-së për një person që nuk ka qenë pjesë e institucioneve? Me këtë, ata tani sillen sikur po analizojnë se cili kandidat “po bëka” dhe cili jo!

Kjo sjellje të kujton lojën me filxhanë në popull, kur duhet të gjesh kokrrën e fshehur poshtë njërit prej tyre”.

Ndër të tjera, opinionisti komentoi edhe kërkesat për marrëveshje politike, por që një e tillë sipas tij bëhet gjatë formimit të qeverisë.

E sa i përket PDK-së, potencoi se e ka vështirë të dal nga kjo situatë që e ka sjellë vetën.

“Me sa u pa, ngërçin në Kuvend e ka krijuar vetë ish-opozita. PDK ka deklaruar se do ta votojë për kryetar Kuvendi çdo kandidat të propozuar nga LVV që nuk ka qenë pjesë e institucioneve. LDK, në anën tjetër, kërkon marrëveshje politike – çka nënkupton se ajo kërkon një pjesë të "kulaçit".

Marrëveshje politike pritet të ketë gjatë formimit të qeverisë, nëse arrihet deri aty.

Dhe kështu, përfundojmë me atë thënien e popullit, shumë të qëlluar:

Kur të lidh dikush, del edhe që të zgjidhë dikush. Por, kur lidhesh vetë, nuk del askush që të zgjidhë.

Partia Demokratike e Kosovës është lidhur vetë – dhe vetë duhet të zgjidhet. Përndryshe, askush nuk do të dalë për ta zgjidhur”, përmbylli Gani Mehmeti për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat