Nuk e mbajtën ‘premtimin’, PDK kritikohet ashpër për mos-votimin e Dimal Bashës

Politika

Nuk e mbajtën ‘premtimin’, PDK kritikohet ashpër për mos-votimin e Dimal Bashës

Arife Morina Nga Arife Morina Më 25 gusht 2025 Në ora: 17:02

“Ne do të votojmë një kandidat ose kandidate të pranueshme nga radhët e partisë së parë që nuk ka qenë pjesë e qeverisë së Albin Kurtit”.

Kështu, do të  deklaronte kryetari i Partisë Demokratike të Kosovë (PDK), Memli Krasniqi vetëm pak ditë më parë.

Krasniqi në vazhdimësi ka përsëritur ‘kushtin’ që PDK-ja do të votojë një kandidat ose kandidate të pranueshme nga radhët e partisë së parë që nuk ka qenë pjesë e qeverisë Kurti, megjithatë, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Në seancën e fundit, PDK ‘shkeli’ premtimin publik, duke mos e votuar deputetin e LVV-së Dimal Basha, i cili nuk kishte qenë pjesë e kabinetit qeverisës.

Ky vendim i PDK-së për të mos i qëndruar pas fjalës publike, ka nxitur reagime të shumta dhe ka marrë kritika.

E pas seancës të së dielës arsyetimin për mos votimin e Bashës Memli Krasniqi e kishte gati.

Ai tha se kërkuan nga kryesuesi Avni Dehari pauzë 10-minutëshe me partitë e tjera para se të votohej për Bashën, por kjo nuk iu dha.

"Shpresoj që pasnesër Dehari të mos ketë arrogancë. Nëse ka një propozim që mund të marrë votat e PDK-së të japë një pauzë 10-minutëshe", tha ai.

PDK-ja ka thënë se nuk voton ministrat e Qeverisë së Albin Kurtit, kujtoi Krasniqi, por Basha është deputet dhe tha se mund të marrë vota të partisë së tij.

"Rezerva kam për secilin", theksoi Krasniqi, por shtoi se Basha sot edhe mund të zgjidhej krye parlamentar nëse do të kishte një konsultë para votimit.

Mirëpo, krahas këtyre “lojërave” politike çfarë mund të pritet më tej dhe se a mund të penalizohet PDK për këtë “mashtrim publik?”, folën njohësit e çështjeve politike.

Aliçkaj: Pushteti mund të merret me vota, jo me bllokada

Për këtë çështje në një prononcim për “Bota sot” foli Agim Aliçkaj, Drejtor Ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane.

Si fillim, ai tha se veprimet e partive politike po e dëmtojnë rëndë shtetin, derisa kritikoi PDK, LDK dhe AAK/NISMA për fushatë të gabuar dhe bllokim të Kuvendit.

“Është gjë e ditur se të gjitha partitë politike përdorin metoda të ndryshme, ndonjëherë të padrejta, për të marrë pushtetin. Por kur veprimet e tyre shkojnë drejt dëmtimit apo edhe shkatërrimit të shtetit të tyre, i cili jua mundëson atyre të marrin pjesë në jetën demokratike, atëherë ato duhet të gjykohen nga populli, por edhe nga anëtarësia e tyre parimore.

Pas humbjes së zgjedhjeve të shkurtit, PDK, LDK dhe AAK/NISMA kanë filluar një fushatë të gabuar veprimi antidemokratik, duke bllokuar krijimin e institucioneve nga fituesi VV/GUXO/ALTERNATIVA, si dhe duke krijuar pasiguri dhe kaos politik në vend.

Gjetja e justifikimeve më absurde, shfrytëzimi i boshllëqeve në Kushtetutë, për të mos e votuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit të propozuar nga fituesi, janë bërë të mërzitshme për popullin dhe të dëmshme për shtetin e Kosovës.

Ndërsa fituesi i zgjedhjeve ka të drejtën dhe përgjegjësinë për të krijuar organet e Kuvendit, humbësit kanë gjithashtu përgjegjësinë për të ndihmuar fituesin në krijimin e tyre”, nënvizoi ai.

Krahas kësaj, Aliçkaj e përmendi edhe ndërhyrjen e Kushtetueses në këtë ngërç politik, të cilën e cilësoi si të nevojshme, por që vendimet konsideron se ishin të anshme.

Në këtë pikë, përmendi edhe mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, si skenar për të dal nga ky ngërç.

“Hartuesit e kushtetutës janë bazuar në supozimin se shumica e deputetëve të zgjedhur nga populli do të jenë normalë dhe të ndërgjegjshëm dhe si të tillë nuk do ta përdorin bllokadën kundër vetes dhe shtetit të tyre.

Ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese ishte e nevojshme, por vendimet e saj të fundit nuk ishin të paanshme. Ky vendim i favorizon qartazi humbësit e zgjedhjeve. Meqenëse gjyqtarët e saj e panë të arsyeshme të shtonin në Kushtetutë se një kandidat nuk mund të propozohet më shumë se tre herë hapur, ishte e nevojshme pa asnjë dilemë të shtohej edhe mundësia e votimit të fshehtë në të njëjtën mënyrë. Kjo do të rriste ndjeshëm mundësinë e thyerjes së bllokadës.

E vetmja ndërhyrje tjetër e cila do të mund ti lejohej Gjykatës Kushtetuese, në rast të vazhdimit të pafund të bllokadës nga deputetët, është ndëshkimi i tyre dhe autorizimi i Presidentes Osmani për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme sa më parë që është e mundur. Edhe ashtu këta deputetë, me sjelljet e tyre destruktive, e kanë humbur autoritetin për të qenë anëtarë të parlamentit”, shpjegoi ai.

Image
Agim Aliçkaj

Më tej, veprimtari shqiptaro-amerikan deklaroi se PDK me shkeljen e premtimit të saj, tregoi fytyrën e vërtet, pasi mashtroi një opinion të tërë publik.

Madje, beson se ka përpjekje nga partitë opozitare për të marrë pushtetin në mënyrë të paligjshme, pa vota.

“Ndërrimi i kandidatit për kryetar parlamenti nga LVV dhe propozimi i një deputeti që nuk ka qenë pjesë e ekzekutivit tregon gatishmërinë e saj për kompromis dhe zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Meqenëse ky ishte kushti i PDK-së për konstituimin e Kuvendit, vota e tyre kundër tregon fytyrën e vërtetë të kësaj partie. PDK e theu premtimin e saj dhe mashtroi opinionin publik. Për këtë, do të penalizohet nga votuesit në zgjedhjet e ardhshme.

Është plotësisht e paqartë se si partitë opozitare nuk e kuptojnë se të gjitha këto makinacione po ua dobësojnë pozicionin dhe po dëmtojnë shtetin. Për to, do të ishte më mirë të kishin në pushtet fituesin me 42% + koalicion, sesa të shkonin në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Mundësia e tyre për të fituar më shumë vota është minimale, sepse ata nuk ofrojnë asgjë më të mirë se qeveria Kurti. Me servilizëm ndaj ndërkombëtarëve, bashkëpunim me Listën Serbe dhe lëshime shtesë ndaj Serbisë fashiste, nuk fitohet vota e popullit të Kosovës.

Përpjekja e tyre për të marrë pushtetin në mënyrë të paligjshme, pa vota, me një grusht shteti të butë, do të dështojë. Nuk e lejon këtë gjë populli shumicë i Kosovës. E vetmja mënyrë për konsideratë të tyre është që të ndryshojnë, të bëhen opozitë konstruktive, ti lënë sharjet dhe kritikat e pakuptimta, të ofrojnë propozim dhe zgjidhje konkrete pozitive dhe ti qesin interesat shtetërore dhe kombëtare para atyre personale e partiake”.

Ndër të tjera, Aliçkaj tregoi se edhe kush e meriton të jetë presidente, kryeministër e kryeparlamentar për mandatin e ardhshëm, e që sipas tij do e ndihmonin shtetin dhe sovranitetin e tij.

“Mbështetja e jashtme e Grenellëve dhe Ramave, e sponsorizuar nga Serbia, nuk i ndihmon aspak. E njëjta gjë vlen edhe për oligarkët e ndryshëm dhe median e shitur, të cilave nuk u beson askush jashtë militantëve të tyre.

Përfundimisht, qeverisjen me Kosovën në mandatin e ardhshëm, me punën dhe aftësitë e tyre të pakontestueshme, sidomos në planin e jashtëm, nuk e meriton askush tjetër më shumë se Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti dhe Kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Nëse ata nuk do të përçahen dhe nuk do të ndryshojnë për keq, do të mbeten në histori si shpëtimtarët, ndërtuesit dhe garantuesit e sovranitetit dhe integritetit të shtetit të Kosovës.

Nuk mund të them për disa shtete evropiane, por jam i sigurt se Administrata e Presidentit Trump do të jetë e lumtur të bashkëpunojë me liderë të fortë të kalibrit të tyre”, përfundoi Agim Aliçkaj për “Bota sot”.

Zogaj: Premtimi nuk u mbajt dhe kjo është shenjë e keqe për të gjitha partitë politike

Kurse, publicisti Skënder Zogaj u tregua i ashpër me legjislaturën aktuale të Kuvendit, derisa tha se është më e dobëta në histori të Kosovës.

Image
Skender Zogaj

E këtë vlerësim, ai e mbështeti në disa argumente.

E kam thënë para tre muajsh dhe po e përsëris prapë: legjislatura e dalë nga zgjedhjet e fundit është më e dobëta në historinë e Republikës së lirë e të pavarur të Kosovës! Me shumë se gjysma e numrit të deputetëve janë të padenjë jo veç për Kuvendin e Kosovës, por edhe për kuvendet komunale, sepse, janë produkt i seleksionimit negativ që ka ndodhur për shkak të interesave të ngushta të individëve të lidhur me klanet destruktive, madje edhe mafioze që atdheun e konsiderojnë mall, ndërsa kombin monedhë tregtimi!

Të këtillët e plagosën lirinë dhe e zvetnuan pavarësinë duke e sjellë vendin buzë greminës. Si askund në botë deputetët as pas 52 seancash nuk mundën ta konstituojnë Kuvendin, apo më saktë- nuk deshën ta konstituojnë, për shkak inateve dhe të dëshirës patologjike për pushtet!” – shpjegoi ai.

Krahas kësaj, Zogaj në bashkëbisedimin me “Bota sot” tha se seanca e fundit ishte e turpshme dhe se partitë politike nuk e mbajnë premtimin dhe kjo është një shenjë shumë e keqe.

“Seanca e fundit është dëshmi e turpshme e akumulimit energjisë negative që i ka verbuar deputetët, aq sa guxojnë të luajnë me fatin historik të vendit dhe popullit të vet!

Partitë politike u koritën, nuk e mbajtën fjalën e dhënë që, nëse propozohet dikush që nuk është pjesë e ekzekutivit do të votohet! Premtimi nuk u mbajt dhe kjo është shenjë e keqe për të gjitha partitë politike, që siç po shihet nuk kanë qëndrim të qartë, madje se nuk kanë as konsideratë për dalje nga kriza, prandaj, kanë zgjedhur drejtimin e thellimit të krizës!” – përmbylli Skënder Zogaj për “BS”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat