Studentët e Fakultetit të Filozofisë në Novi Sad, kryeqytet i Vojvodinës, po vazhdojnë prej disa ditësh përplasje me policinë serbe gjatë protestave kundër qeverisë së Aleksandër Vuçiqit. Dekani i fakultetit ka publikuar një listë me 34 studentë, ndaj të cilëve synohen masa disiplinore, duke i cilësuar disa prej tyre të papërshtatshëm për të vazhduar studimet universitare.
Profesori Enver Bytyçi e ka dënuar këtë veprim, duke e cilësuar atë si një shenjë të kulmit të arrogancës së një regjimi autoritar që vendos stacione policore brenda universiteteve. Ai pyet se përse presidenti i Serbisë përdor dhunë brutale ndaj studentëve, pedagogëve dhe profesorëve.
“Studentët e fakultetit të Filozofisë në Novi Sad, kryeqytet i Vojvodinës, vazhdojnë prej disa ditësh të përplasen me policinë e Aleksandër Vuçiq për shkak të protestave të tyre kundër regjimit të Beogradit. Dekani i këtij fakulteti paska publikuar një listë me 34 studentë, kundër të ciëve sipas tij do të merren masa disiplinore. Madje i quan të padenjë për të vazhduar studimet universitare. Një regjim autoritar që vendos stacion policor në universitete e fakultetet e tij, siç po ndodh në Novi Sad, dëshmon kulmin e arrogancës së tij. Po për çfarë i hyn në punë Aleksandër Vuçiq kjo dhunë kaq brutale kundër studendëve, pedagogëve dhe profesorëve?”, pyet profesori.
Bytyçi sugjeron se kjo dhunë mund të ketë dy shpjegime: Ose Vuçiq është i frikësuar nga drejtësia dhe synon të mbajë pushtetin me çdo kusht, ose qëllimi është të shtyjë studentët dhe qytetarët e Vojvodinës drejt kërkesave për autonomi të zgjeruar, ose edhe pavarësi nga Serbia.
“Ose presidenti i Serbisë është i zhytur në krime të tmerrshme dhe ka frikë nga drejtësia, nëse ai dorëzon pushtetin, siç ndodh me këtë kryeministrin tonë në Tiranë. Ose Aleksandër Vuçiq dëshiron që për shkak të dhunës kundër studentëve në Vojvdinë, këta studentë dhe qytetarët e Vojvodinës shtyhen për të kërkuar autonomi të zgjeruar ose edhe pavarësi nga Serbia”, ka potencuar ai.
Profesori paralajmëron se, në këtë rast, presidenti mund të përdorë të gjitha mjetet, përfshirë ushtrinë, për të shuar çdo zë proteste. Ai përfundon duke theksuar se nacionalizmi ka qenë dhe do të mbetet streha e fundit e Aleksandër Vuçiqit.
“Në këtë rast Vuçiq do të përdorte të gjitha mjetet, përfshirë ushtrinë, për ta mbytur dhe shuar çdo zë proteste dhe ankese! Nacionalizmi ishte streha e parë dhe do të jetë gjithashtu streha e fundit e Aleksandër Vuçiq!”, ka përfunduar profesori.