Dështim i drejtësisë në Kosovë? Arrestimi që sinjalizon “rrënjë të thella” të krimit brenda institucioneve

Politika

Dështim i drejtësisë në Kosovë? Arrestimi që sinjalizon “rrënjë të thella” të krimit brenda institucioneve

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 5 shtator 2025 Në ora: 17:00
Foto ilustrim

Një zyrtar policor me detyrë në Njësinë Speciale Operative të Policisë së Kosovës është arrestuar në Mitrovicë nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe bashkëpunim me persona të përfshirë në aktivitete kriminale, ku i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Deri te arrestimi erdhi nga një hetim, bashkëpunim mes IPK-së dhe Policisë së Kosovës. Informacionet që dyshohet se ndau apo shpërndau polici Murat Latifi ishin për anëtarët e familjes Gërbeshi, një familje e cila kohët e fundit ka pasur disa raste të raportuara në polici për veprime kriminale. 

E ekspertët e sigurisë dhe njohësit e zhvillimeve në vend vlerësojnë se arrestimi i Muratit është një dëshmi se sa e keqe është gjendja në institucionet e drejtësisë në Kosovë.

Madje sipas tyre, ky arrestim tregon se edhe Policia e Kosovës, pavarësisht se është për ta luftuar krimin e organizuar, tashmë është prekur nga ky fenomen.

Gjendje e keqe në organet e drejtësisë

Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi për “Bota sot” vlerëson punën që po bën Inspektorati i Policisë së Kosovës, gjë e cila çoi në arrestimin e Muratit.

“Rasti i arrestimit të zyrtarit policor nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës është edhe një dëshmi e fortë se vërtetë ne kemi problem serioz sa i përket institucioneve të drejtësisë dhe atyre të sigurisë. Në fakt, IPK-ja është një mekanizëm që po punon më shumë në raport me Këshillin Prokurorial dhe Këshillin Gjyqësor edhe pse situatë më e mirë nuk është as në prokurori dhe as në gjykatë. Por që Këshilli Prokurorial nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të iniciuar procedura kundrejt prokurorëve të cilët mund të jenë të përfshirë në vepra të ngjashme dhe ka mjaft dyshime. Ndoshta edhe më e keqe është situata në gjykata, por që Këshilli Gjyqësor i Republikës së Kosovës është vendosur në mbrojtje të gjitha veprimeve që mund të lidhen me krimin e organizuar apo edhe veprimet kriminale”, shprehet Elezi.

Image
Bedri Elezi

“Ne kemi dërguar një shkresë në lidhje me rastin në Prokurorinë e Ferizajt, ku kemi specifikuar se ekziston dyshimi që prokurori i caktuar, pikërisht duke përdorur pozitën e tij zyrtare, ka organizuar veprime që bien ndesh me angazhimet e tij si prokuror. Por nuk kemi parë vullnet të Këshillit Prokurorial për të ndërmarrë veprime të caktuara”, shton Elezi.

Më tej, ai thotë se IPK-ja e ka një sfidë të hapur para vetes me të cilën duhet të përballet, pasi shumë zyrtarë policorë janë të përfshirë në aktivitete kriminale.

“Kjo është një dëshmi që nuk ndërmerren veprimet e duhura në dy institucionet tjera, siç është prokuroria dhe gjykata, ndërsa ky rast – pra i arrestimit të policit – dëshmon qartazi se Inspektorati i Policisë së Kosovës sinqerisht dhe seriozisht duhet të angazhohet në gjetjen dhe sigurimin e informacioneve të përfshirjes së personave të cilët janë zyrtarë të Policisë së Kosovës në vepra të ndryshme në mbështetje të krimit, apo në vepra penale të mosveprimit, sepse zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë mundësi që të kryejnë vepra penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, siç janë mosveprimi apo edhe përfshirja në vepra të ndryshme kriminale”, thekson Elezi.

Për fund, Elezi deklaron se edhe njësitet speciale të Policisë janë të prekura nga krimi i organizuar.

“Ne mund të konsiderojmë nga ky rast se fakti që IPK-ja në bashkëpunim me Prokurorinë kanë siguruar informacione të bazuara, kanë pasur dyshimin e bazuar për ta arrestuar një zyrtar të Policisë së Kosovës, tregon që edhe këto njësi janë prekur nga ky fenomen i krimit të organizuar dhe se urgjentisht dhe në mënyrën më të mirë të duhur duhet që të ndërmerren veprime për të siguruar një besim te qytetarët e Republikës së Kosovës se askush nuk është mbi ligjin dhe të gjithë ata që kryejnë vepra penale do të dalin para drejtësisë, pavarësisht pozitës së tyre – polic, gjyqtar, politikan, e çkado tjetër”, përfundon Bedri Elezi për “Bota sot”.

Rreziku që të shndërrohet në fenomen

Image
Nexhat Haziri

Kurse Nexhat Haziri, njohës i zhvillimeve politike, thotë se arrestimi i policëve që janë të lidhur me krimin e organizuar nuk duhet të shndërrohet në fenomen në Kosovë.

“Raste të tilla të izoluara ka pasur edhe në të kaluarën dhe natyrisht se do të ketë edhe sot, por edhe nesër. Ajo që është me rëndësi për Policinë e Kosovës, por edhe për qytetarët tanë dhe sigurinë e tyre, është që të mos lejohet që të shndërrohet në fenomen brenda Policisë së Kosovës, e cila jo rastësisht dhe jo pa meritë është konsideruar si policia më e mirë në rajon, me standard të lartë që është krahasuar edhe me policitë më të zhvilluara të vendeve perëndimore”, përfundon analisti Nexhat Haziri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat