Shaip Kamberi akuzon Beogradin për nxitje urrejtjeje: Grafitet me emrin e Ratko Mladiqit, pjesë e politikës destabilizuese të Vuçiqit

Politika

Shaip Kamberi akuzon Beogradin për nxitje urrejtjeje: Grafitet me emrin e Ratko Mladiqit, pjesë e politikës destabilizuese të Vuçiqit

Nga: A.M. Më: 9 shtator 2025 Në ora: 20:57
Shaip Kamberi: Grafitet me emrin e Ratko Mladiqit në Bujanoc janë pjesë e politikës destabilizuese të Beogradit (Foto ilustrim: Bota sot)

Në qendër të Bujanocit, të shtunën, u shfaqën grafite me mesazhe provokuese, të shkruara në alfabetin cirilik. Në një mur ishte vizatuar simboli nacionalist i katër shkronjave “C” rreth një kryqi, i shoqëruar me emrin e Ratko Mladiqit – gjeneralit të ish-Ushtrisë Serbe të Bosnjës, i dënuar për gjenocid në Srebrenicë.

Këto grafite po konsiderohen si një provokim i qëllimshëm për nxitje të tensioneve ndëretnike.

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, në një prononcim për “Bota sot”, tha se mesazhet e tilla janë vazhdimësi e politikës destabilizuese të Aleksandar Vuçiqit.

“Grafitet me emrin e kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mladiq, janë veç një vazhdimësi e politikës destabilizuese rajonale të Aleksander Vuçiq. Vitin e kaluar, në Bujanoc, u paraqitën grafite me mbishkrime ‘Vdekje shqiptarëve’. Deri më sot, organet e rendit nuk kanë zbuluar autorët. Dyshoj që fare i kanë kërkuar, ashtu siç do të ndodhë edhe me këtë mbishkrim”, ka deklaruar ai.

Sipas Kamberit, etnonacionalizmi mbetet bërthama e politikës zyrtare të Serbisë dhe rrezikon sigurinë në gjithë rajonin.

“Etnonacionalizmi, i bazuar në dominimin e popullit shumicë ndaj komuniteteve, është nxitësi kryesor i kësaj dukurie. Kjo përvojë, e shtytur nga ambicia e Serbisë për hegjemoni, po rrënon sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Lugina e Preshevës, për aq sa Vuçiq është në pushtet, është në shënjestër të politikës së tij diskriminuese”, ka shtuar ai.

Deputeti shqiptar e ka cilësuar këtë ngjarje si pjesë të konceptit politik të “Botës serbe”, për dominim rajonal, por edhe si përpjekje për të shpërqendruar krizën politike nga Beogradi në periferi.

“Javë më parë u provua në Novi Pazar, tani në Bujanoc. Duke ditur seriozitetin e pasojave të një eskalimi të mundshëm, pres që Bashkësia Ndërkombëtare të reagojë për këto provokime të orkestruara e dirigjuara nga pushteti qendror”, ka përfunduar Kamberi.

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat