Siguria e Kosovës: Çfarë thonë ekspertët për rritjen e buxhetit ushtarak?

Politika

Siguria e Kosovës: Çfarë thonë ekspertët për rritjen e buxhetit ushtarak?

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 11 shtator 2025 Në ora: 12:03
Foto ilustrim

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se me ardhjen e Qeverisë Kurti, ushtrisë i është dhënë prioritet maksimal, duke katërfishuar buxhetin brenda 5 viteve dhe duke kaluar planet e tranzicionit.

Ai theksoi se më parë, buxheti për ushtrinë nuk ka kaluar asnjëherë 50 milionë euro, siç tregohet edhe në grafik.

“Me ardhjen e Qeverisë Kurti, ushtrisë sonë i është dhënë prioritet maksimal. Për vetëm 5 vite buxheti është 4-fishuar, duke tejkaluar kështu edhe planin e tranzicionit.

Kurse me qeveritë e kaluara buxheti i shpenzuar për ushtrinë nuk e kalonte asnjëherë nivelin prej 50 milionë eurove, siç edhe mund të shihet nga grafikoni më poshtë”, ka shkruat Murati në Facebook.

Ekspertët e kanë mirëpritur këtë rritje të buxhetit për ushtrinë e Kosovës, në një kohë kur Kosova po kërcënohet vazhdimisht nga Serbia.

Rexhepi: Më parë, Kosova nuk kishte as guximin politik dhe as prioritetin buxhetor për ushtrinë

Lidhur me këtë, në një prononcim për “Bota sot”, ish hetuesi Agim Rexhepi, ka vlerësuar këtë rritje, duke e quajtur atë dëshmi se Kosova për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë ka një qeveri që e merr seriozisht mbrojtjen dhe sigurinë e shtetit.

Ai ka kritikuar qeveritë e mëparshme, të cilat sipas tij e kanë lënë ushtrinë pa mjete.

“Fakti që buxheti për ushtrinë është katërfishuar gjatë mandatit të Qeverisë Kurti, është dëshmi se për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ka një qeveri që e merr seriozisht mbrojtjen e shtetit dhe sigurinë e qytetarëve.

Qeveritë e kaluara për vite të tëra e kanë lënë ushtrinë në harresë, pa mjete, pa buxhet dhe pa vizion. Ndërsa sot, falë investimeve të kësaj qeverie, FSK-ja po shndërrohet në një forcë moderne, të aftë për t’u përballur me çdo kërcënim”, ka thënë ai.

Image
Agim Rexhepi

Gjithashtu, Rexhepi ka shtuar se rritja e buxhetit për ushtrinë nuk është rastësi, por përgjigje ndaj kërcënimeve të vazhdueshme të Serbisë, e cila synon të destabilizojë Kosovën.

“Rritja e buxhetit nuk është rastësi është përgjigje e qartë ndaj kërcënimeve të vazhdueshme të Serbisë, e cila akoma ëndërron të destabilizojë Kosovën. Por, koha kur Kosova ishte e pambrojtur ka marrë fund. Sot, Serbia duhet ta kuptojë se përballë ka një shtet më të fortë, me ushtri më të pajisur dhe me qytetarë më të vendosur se kurrë për ta mbrojtur lirinë dhe pavarësinë e fituar me shumë gjak.

Më parë, Kosova nuk kishte as guximin politik dhe as prioritetin buxhetor për ushtrinë. Sot, falë Qeverisë Kurti, ne kemi të dyja, edhepse jemi shtet i ri, kemi nje ushtri analoge me shtetet e NATO-se. Siç është shembulli blerja e Autoblindave, Droneve "Bajrajtar", Raketavi antitank "Zhaveĺin" e tani edhe fluturajet pa pilot. Ky është ndryshimi thelbësor që po e ndjen çdo qytetar se siguria e vendit nuk është më fjalë në letër, por realitet”, ka deklaruar Rexhepi.

Katërfishimi i buxhetit dhe zhvillimi i projekteve strategjike

Ndërkaq, njohës i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa, ka theksuar se katërfishimi i buxhetit të ushtrisë, nëse nuk çon në borxhe të mëdha afatshkurtra, përmirëson sigurinë.

“Katërfishimi i buxhetit për ushtrinë, nëse nuk është hyrë në borxhin publik në aspektin afatshkurtër, e përmirëson sigurinë dhe i tërheq investitorët e huaj që të investojnë në sektorët strategjikë të ekonomisë. Por në aspektin ekonomik afatmesëm dhe afatgjatë duhet të analizohen politikat ekonomike publike se si të zhvillohet sektori privat dhe të krijohet rritje ekonomike, e cila të përkthehet në mirëqenie sociale për jetën e qytetarëve”, ka thënë ai.

Image
Jakup Bellaqa

Gjithashtu, Bellaqa ka potencuar nevojën për reforma të thella në politikat monetare, fiskale, tatimore dhe doganore për të siguruar qëndrueshmëri ekonomike dhe për të katërfishuar buxhetin në projekte

“Ndërsa duhet të bëhen reforma të thella ekonomike në politikat monetare, fiskale dhe tatimore, si dhe doganore, që të krijohet qëndrueshmëri ekonomike dhe të katërfishohet buxheti në projekte. Gjithashtu, në ekonominë publike, duhet të investohet në projekte energjetike, duke ndërtuar një termocentral të ri, dhe në ndërtimin e autostradave. Për shembull, duhet të fillohet ndërtimi i autostradës së Dukagjinit, e cila ende nuk ka nisur.

Pastaj, duhet të investohet në arsim, shëndetësi, si dhe në rritjen e pagës minimale mbi 500 euro. Më pas, duhet të rriten pensionet, si dhe pagat në sektorin privat dhe atë publik, sepse kjo rrit fuqinë blerëse dhe ndikon drejtpërdrejt në rritjen ekonomike”, ka përfunduar Bellaqa.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat