Debatet televizive po vazhdojnë të jenë arenë përplasjesh mes palëve të ndryshme të interesit.
Kryesisht, opinionistët janë ata që kanë marr rolin e opozitës, e cila për gjithë këta muaj të bllokadës politike ka bërë shumë pak drejt arritjes së një zgjidhjeje.
Gjithçka do të konsiderohej normale nëse do të bëhej fjalë për debate konstruktive me fakte e mendime konkrete, por fatkeqësisht qytetarët e Kosovës janë dëshmitarë të fyerjeve të rënda personale mes palëve dhe një gjuhë skajshmërish të degraduar.
Rasti i fundit ishte ai kur një gazetar - opinionist ofendoi me fjalët më të rënda deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati.
Gjuha që u përdor ishte nxitje e urrejtjes dhe shpërfaqi polarizimin e skajshëm të skenës politike, sidomos muajt e fundit kur vendi ndodhet në një ngërç politik.
Në një deklaratë për gazetën “Bota sot”, analisti politik Zejnullah Jakupi ka ngritur shqetësimin për gjuhën e përdorur në hapësirën publike dhe për ndikimin që ajo ka mbi kulturën demokratike në Kosovë.
“Ky është një shqetësim shumë serioz dhe i rëndësishëm për shoqërinë dhe për zhvillimin e saj demokratik. Rasti konkret që përmendët – përdorimi i fjalorit fyes nga analisti Lirim Mehmetaj ndaj ministrit Hekuran Murati në emisionin “Debat Plus” – është një shembull i qartë i degradimit të gjuhës publike dhe politikës së debatit në hapësirën mediatike”, u shpreh Jakupi.
Ai theksoi se politizimi ekstrem dhe polarizimi i shoqërisë janë dëshmi se klima politike në Kosovë është thellësisht e ndarë.
“Palët shpesh nuk debatojnë mbi ide apo politika, por ndërtojnë narrativë përbuzëse ndaj kundërshtarit. Kjo e shndërron debatin publik në një "fushë lufte", ku fyerja bëhet mjet për të demonstruar forcë dhe për të mobilizuar ndjekësit.
Media që ndjek sensacionalizmin, jo cilësinë:
Shumë televizione dhe emisione debati po e shfrytëzojnë konfliktin verbal si mënyrë për të rritur audiencën. Kur ftesa për analistë nuk bëhet mbi bazën e ekspertizës, por të “temperamentit”, pasojat janë diskurse të nxehta që kalojnë kufijtë e respektit”, nënvizoi Jakupi.
Për analistin Jakupi, kur figura publike, qofshin politikanë apo analistë, përdorin gjuhë fyese dhe kjo nuk sanksionohet nga vetë mediat, institucionet ose publiku, ajo bëhet pjesë e zakonshme e komunikimit.
“Në këtë mënyrë, urrejtja zë vendin e argumentit.
Shumë prej pjesëmarrësve në debatet publike nuk mbajnë përgjegjësi për fjalët e tyre. Nuk ka mekanizma të fortë që t’i ndëshkojnë apo sanksionojnë për tejkalime etike”, potencoi ai.
Jakupi ka treguar edhe se cilat janë pasojat e kësaj gjuhe për shoqërinë dhe demokracinë.
“Rritja e mosbesimit ndaj institucioneve dhe elitave politike
Thellimi i ndarjeve sociale dhe politike mes qytetarëve
Zhvlerësimi i kulturës demokratike të debatit
Nxitja e dhunës verbale e potencialisht edhe fizike në rrugë, etj”
Sipas tij, ky fenomen mund të parandalohet vetëm me ndërhyrja e mediave me kode etike të qarta.
“Mediat duhet të mbajnë standarde profesionale dhe të mos tolerojnë përdorimin e gjuhës fyese.
Moderatorët kanë përgjegjësi direkte për menaxhimin e tonit të debatit.
Përgjegjësi publike dhe sanksion moral:
Shoqëria civile, OJQ-të, institucionet akademike dhe vetë qytetarët duhet të reagojnë përmes platformave publike dhe rrjeteve sociale kundër gjuhës së urrejtjes, duke mos i legjitimuar individët që e përdorin.
Rregullatorë të pavarur dhe të fortë:
Organe si KPM (Komisioni i Pavarur i Mediave) duhet të jenë më aktivë në monitorimin dhe ndëshkimin e mediave që shkelin normat e etikës.
Edukimi qytetar dhe mediatik:
Në shkolla dhe në platforma publike duhet të promovohet kultura e debatit civil dhe e mendimit kritik.
Kjo është një strategji afatgjatë, por e domosdoshme për të ndërtuar një diskurs të shëndetshëm”, përfundoi Jakupi.