Të shtunën në Beograd u mbajt parada ushtarake, e cila nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq u prezantua si një demonstrim i fuqisë dhe kapaciteteve shtetërore të Serbisë. Ngjarja, e mbushur me simbolikë politike dhe mesazhe të brendshme e të jashtme, u ndoq nga përfaqësues të shumtë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Megjithatë, vëmendjen e mediave dhe opinionit publik nuk e mori vetëm arsenali ushtarak i ekspozuar, por sidomos prezenca e Nexhmedin Saqipit, hoxhës nga Tërnoci i Madh, i cili aktualisht ushtron funksionin e autoritetit më të lartë fetar të myslimanëve në kuadër të Rijasetit të Bashkësisë Islame të Serbisë.
Në një deklaratë publike, Saqipi u shpreh se ndien detyrim moral dhe njerëzor për të përdorur këtë pozitë në mënyrë që çështja e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës të trajtohet në përputhje me të drejtat e tyre legjitime. Ai theksoi se do të përpiqet të ndikojë në qarqet shtetërore serbe për të garantuar një orientim pozitiv të këtyre kërkesave.
“Si autoriteti më i lartë fetar i myslimanëve në kuadër të Rijasetit të Bashkësisë Islame të Serbisë, ndjej detyrim moral dhe njerëzor që të shpreh qartë vizionin tim mbi çështjen e Luginës së Preshevës.
Do të bëj çmos për ta shfrytëzuar këtë pozitë për të ndikuar në të gjitha qarqet shtetërore të Serbisë, që çështja e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës të orientohet në dobi të të drejtave të tyre legjitime”, ka thënë vet hoxha në një deklaratë publike.
Fetoshi: Pjesëmarrja e imamit Saqipi ishte një gabim në lojën perfide të Beogradit
Drejtori i Institutit “Oktopus”, Arben Fetoshi, për “Bota sot”, ka deklaruar se pranimi i imamit Nexhmedin Saqipi në paradën ushtarake të Beogradit i shërben qëllimeve mashtruese të presidentit serb Aleksandar Vuçiq për të fshehur diskriminimin dhe spastrimin etnik në Luginë të Preshevës.
Sipas tij, ky gjest synon të projektojë një “harmoni ndëretnike” të rreme, ndërkohë që realiteti për shqiptarët është krejt ndryshe.
Ai theksoi se pjesëmarrja e imamit ishte një gabim që i shërben lojës perfide të Beogradit, por shtoi se reagimet e shqiptarëve të Luginës dëshmojnë se e vërteta është në anën e tyre dhe nuk mund të fshihet me akte simbolike.
“Përtej arsyetimit dhe informacioneve lidhur me qëndrimet apo angazhimin publik të imamit që është kryetar i Bashkësisë Islame në Serbi, pjesëmarrja e tij në paradën e forcave serbe i shërben qëllimeve mashtruese të Vuçiqit për ta fshehur të vërtetën e diskriminimit dhe spastrimit etnik në Luginë të Preshevës.
Simbolikisht përçon mesazhin e “harmonisë” ndëretnike, duke dëmtuar shqetësimet e drejta të përfaqësuesve shqiptarë adresuar institucioneve dhe qendrave ndërkombëtare. Ftesa e imamit në këtë paradë, e cila përveç mesazhit frikësues ndaj protestuesve është një zgjatim i provokimeve të Rusisë kundër NATO-s, lidhet me taktikën manipuluese “gaslighting” për ta tjetërsuar realitetin brutal në raport me shqiptarët, duke e paraqitur Serbinë si një shtet gjithëpërfshirës dhe me harmoni ndëretnike.
Prandaj, pjesëmarrja e imamit Saqipi ishte një gabim në lojën perfide të Beogradit, i cili nuk e përfaqëson të vërtetën. Mirëpo, pavarësisht kalkulimeve të Serbisë për të nxitur përçarje, reagimet e shqiptarëve të Luginës tregojnë se e vërteta është në anën e tyre dhe nuk mund të fshihet me akte simbolike” – tha Fetoshi.
Rexhepi: Simbolika e një hoxhe shqiptar në një paradë të ushtrisë serbe është e rëndë
Ish-hetuesi, Agim Rexhepi ka thënë se parada ushtarake e Beogradit, e prezantuar nga Aleksandar Vuçiq si “dëshmi force”, në fakt është shfaqje e nacionalizmit dhe militarizimit serb, që historikisht ka sjellë luftëra dhe spastrime etnike në Ballkan.
Ai shtoi se përfshirja e hoxhës shqiptar Nexhmedin Saqipi nuk është e rastësishme, por manovër propagandistike për të krijuar iluzionin e besnikërisë së shqiptarëve të Luginës ndaj Serbisë, ndonëse realiteti i tyre është diskriminim, varfëri dhe shpërngulje e detyruar.
“Parada ushtarake e mbajtur të shtunën në Beograd, e prezantuar nga Aleksandar Vuçiq si “dëshmi e forcës”, në fakt është një demonstrim i nacionalizmit dhe militarizimit serb, që historikisht ka sjellë vetëm luftëra, spastrime etnike dhe krime kundër popujve të tjerë në Ballkan.
Në këtë kuadër, pjesëmarrja e një hoxhe shqiptar nga Tërnoci i Madh, Nexhmedin Saqipi, nuk mund të shihet si një akt i rastësishëm. Serbia, përmes këtyre manovrave, synon të krijojë iluzionin e një “besnikërie” të shqiptarëve të Luginës ndaj shtetit serb, duke e përdorur figurën e një kleriku si instrument propagande. Ky është një manipulim i pastër politik, sepse realiteti i shqiptarëve në Luginë është i dhimbshëm: diskriminim, varfëri e imponuar, mosnjohje e të drejtave dhe shpërngulje të detyruar”, foli Rexhpi për “Bota sot”.
Ish-hetuesi tha se prezenca e hoxhës shqiptar në paradën e ushtrisë serbe është përpjekje e Beogradit për të përçarë shqiptarët e Luginës dhe për të dhënë një imazh të rremë të nënshtrimit, ndërkohë që komuniteti kërkon barazi, liri dhe respekt, jo fasada propagandistike.
“Simbolika e një hoxhe shqiptar në një paradë të ushtrisë serbe është e rëndë. Është përpjekje e Serbisë për të larë imazhin e një ushtrie që ende glorifikon gjeneralë të krimeve të luftës, një ushtri që për shqiptarët simbolizon dhunën dhe gjenocidin. Ky gjest nuk përfaqëson shqiptarët e Luginës, përkundrazi, është një përpjekje e Beogradit për t’i përçarë dhe për t’i përdorur.
Mesazhi është i qartë: Serbia tenton të tregojë se shqiptarët janë nën kontroll dhe se kanë pranuar nënshtrimin. Por e vërteta është se shqiptarët e Luginës kurrë nuk e kanë pranuar e as nuk do ta pranojnë këtë nënshtrim. Ata kërkojnë barazi, liri dhe respekt, jo fasadë propagandistike në parada ushtarake” – përfundoi ai.