Derisa po mbahej Asambleja e 80-të e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (AP-OKB) në New York të SHBA-së, Serbia ka tentuar të shfrytëzojë kartën e saj të preferuar, propagandën.
Të mërkurën, në rrugët e New York-ut është vërejtur një mbishkrim skandaloz në një mjet lëvizës, ku thuhet: "Kurti dhe regjimi i tij po arrestojnë dhe shqetësojnë fëmijët serbë".
Ky veprim është një përpjekje e qartë për të manipuluar opinionin ndërkombëtar dhe për të krijuar një imazh të rremë mbi situatën në Kosovë dhe mbi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ndërkaq, njohësit e çështjeve politike kanë theksuar se Kosova duhet të përforcojë lobimin dhe strategjitë e saj për të parandaluar ndikimin e propagandës serbe.
“Serbia, kjo shtrigë e vjetër”
Lidhur me këtë, Agim Aliçkaj, Drejtori Ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane në një prononcim për “Bota sot”, e ka quajtur propagandën serbe në Nju Jork si vazhdimësi të urrejtjes historike ndaj shqiptarëve, të ndërtuar mbi mite dhe gënjeshtra për të justifikuar pretendimet territoriale ndaj Kosovës.
“Propaganda urrejtjëse serbe në rrugët e Nju Jorkut me slogane të rreme dhe imbecile kundër Republikës së Kosovës nuk është asgjë e re. Që nga koha e zbritjes nga shpellat e Uralit në shekullin e 7-të e deri më sot, udhëheqësit e hordhive serbe dhe më vonë qeveritë serbe në koordinim me kishën serbe dhe akademinë e shkencave kanë bërë plane dhe janë përpjekur të shfarosin popullin shqiptar.
E gjithë historia serbe bazohet në mite, gënjeshtra dhe mashtrime me qëllim plaçkitjen e tokave shqiptare dhe dominimin e gadishullit ilirik. Nuk është kot që politikani serb Dobrica Qosic thotë se gënjeshtrat e kanë shpëtuar Serbinë shumë herë”, ka thënë ai.
Tutje, Aliçkaj ka theksuar se disa politikanë perëndimorë u besojnë gënjeshtrave serbe për arsye gjeopolitike.
“E keqja është se shumë politikanë dhe diplomatë evropianë dhe disa amerikanë, për arsye gjeopolitike, korruptive dhe të tjera, duan t'u besojnë gënjeshtrave serbe. Gënjeshtra më e madhe e të gjitha kohrave është se, nëse Kosova u kthehet atyre, Serbia do të largohet nga Rusia. Kjo nuk do të ndodhë kurrë.
E keqja tjetër është se shumica e mediave dhe krerëve të partive humbëse të zgjedhjeve në Kosovë po i pranojnë dhe shpërndajnë rrenat serbe. Interesi i tyre i sëmurë, për largimin e KM Albin Kurti nga politika dhe marrjes së pushtetit në mënyrë ilegale, pa vota, përputhet me interesat serbe”, ka vlerësuar ai.
Sipas tij, se propaganda serbe në Nju Jork është e kot dhe pa ndikim, pasi nuk merret seriozisht as nga mediat amerikane e as nga kalimtarët.
Ai ka theksuar se vetëm budallenjtë mund të besojnë gënjeshtra si ajo që Albin Kurti burgos fëmijë serbë.
“Megjithatë, mendoj se rrenat e fundit me kamionë nëpër rrugët e Nju Jorkut të organizuara me mbështetjen e regjimit fashist të Vuciqit janë të kota. Efekti i tyre në opinionin amerikan dhe ndërkombëtarë është minimal. Nuk besoj se kanë ndonjë efekt, sepse nuk janë pranuar nga mediat amerikane. Kalimtarëve të rrugës as që ju bëjnë përshtypje, kanë punë më të mënqura se sa të merren me to.
Duhet të jesh vërtet budalla për të besuar se "Albin Kurti burgos fëmijë serbë", kur mbi të dhe mbi të gjithë Kosovën ushtrohet mbikëqyrje e vazhdueshme ndërkombëtare”, ka shtuar ai.
Në fund, Aliçkaj ka nënvizuar se përgjigja më e mirë ndaj rrenave është e vërteta dhe kërkoi angazhim më të madh diplomatik e lobues nga Kosova dhe mërgata.
“Përgjigja më e mirë ndaj rrenave, është e vërteta. Shteti i Kosovës me diplomatë dhe ndihmën e mërgatës në Amerikë dhe kudo, duhet të bëjnë punë më të madhe për ta shpërndarë të vërtetën, me fakte, në takime diplomatike dhe me veprime lobiste. Nuk thuhet kot nga populli se “Rrena i ka këmbët e shkurta”.
Serbia, kjo shtrigë e vjetër, nuk mëson kurrë. Po vepron kundër Kosovës, por edhe kundër vetes”, ka përfunduar Aliçkaj.
Strategjia kundër fushatave propagandistike serbe
Ndërkaq, analisti politik, Faton Mehmeti Mehmeti ka cilësuar se propaganda serbe po bëhet më agresive, duke përhapur dezinformata për të viktimizuar Serbinë dhe demonizuar Kosovën.
“Fushatat e propagandës së Serbisë kundër Kosovës nuk janë asgjë e re, por ato po marrin forma gjithnjë e më agresive, përmes manipulimit të fakteve dhe shpifjeve të drejtpërdrejta. Mesazhi i shfaqur së fundmi në Shtetet e Bashkuara, ku akuzohet se “Kurti dhe regjimi i tij po arrestojnë dhe shqetësojnë fëmijët serbë”, është një shembull tipik i dezinformimit të paramenduar, që synon të viktimizojë Serbinë dhe të demonizojë shtetin e Kosovës”, ka thënë ai.
Po ashtu, Mehmeti ka deklaruar se këto gënjeshtra synojnë të mashtrojnë opinionin ndërkombëtar, duke shfrytëzuar ndjeshmërinë ndaj fëmijëve për të krijuar një perceptim të rremë për Kosovën.
“Ky lloj mesazhi, i ndërtuar mbi gënjeshtra të qëllimshme, mund të ndikojë tek opinioni publik ndërkombëtar, sidomos te ata që nuk e njohin mirë realitetin e Kosovës. Synimi është të krijohet një perceptim i rremë, duke shfrytëzuar sensibilitetin që kanë qytetarët amerikanë e të tjerë ndaj fëmijëve dhe të drejtave të tyre”, ka shtuar ai.
Sipas tij, Kosova duhet të përgjigjet qetësisht, por me vendosmëri, duke përdorur diplomacinë dhe informuar botën për të vërtetën.
Në fund, Mehmeti ka theksuar nevojën për një strategji të koordinuar publike për të zbuluar propagandën serbe dhe për të mbrojtur imazhin e Kosovës.
“Kosova duhet të reagojë me qetësi, por me vendosmëri, duke përdorur kanalet diplomatike dhe duke informuar publikun ndërkombëtar për të vërtetën. Institucionet tona duhet të theksojnë se Kosova respekton të gjitha të drejtat e njeriut dhe është e përkushtuar ndaj standardeve demokratike, ndërkohë që Serbia po përdor propagandën për të fshehur të kaluarën dhe për të penguar integrimin euroatlantik të Kosovës.Në këtë drejtim, një strategji e koordinuar e diplomacisë publike, përmes ambasadave dhe partnerëve ndërkombëtarë, është thelbësore për të demaskuar këto fushata dhe për të mbrojtur imazhin e shtetit tonë”, ka përfunduar Mehmeti.