Më 26 gusht 2025, pas muajsh bllokade politike, Kuvendi i Kosovës zgjodhi Dimal Bashën nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në postin e kryetarit. Ky vendim erdhi pas 58 seancash të dështuara që kishin filluar në prill 2025. Basha u votua me 73 vota pro, 30 kundër dhe 3 abstenime, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt përfundimit të konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të mundësive për qeverinë e re.
Megjithatë, Kuvendi ende nuk është plotësisht i konstituuar. Një pengesë kryesore mbetet mos-zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb, siç kërkohet nga Kushtetuta. Partia kryesore serbe, Lista Serbe, ka bojkotuar procesin e zgjedhjes së tij, duke bllokuar përmbushjen e këtij detyrimi kushtetues
Të martën Kushtetuesja ka publikuar vendimin ku ka konstatuar se seanca konstitutive nuk ka përfunduar, për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e pakicave serbe.
Gashi: Demokracia bllokuese!
Avokati Tomë Gashi, ka thënë se vetëm në Kosovë një parti që nuk e njeh pavarësinë vendos për funksionimin e Parlamentit dhe Qeverisë, duke përdorur të drejtën e vetos për të bllokuar shtetin. Gjykata Kushtetuese e konsideron këtë “demokraci”.
“Vetëm te ne 4% vendos a do të kemi Parlament, a do të kemi Qeveri.
Vetëm në Republikën tonë partia që nuk e pranon Pavarësinë tonë vendos se si duhet të shkojnë punët e shtetit e të cilin e kanë si therë në sy!
Vetëm te ne një parti me trurin në Serbi i jepet e drejta e vetos për të bllokuar shtetin tonë të ri.
Nëse nuk më besoni mua pyeteni Gjykatën Kushtetuese apo ndëshkuese, e ajo do të ju thotë se sipas saj kjo është demokraci”, deklaron Gashi për “Bota sot”.
Burjani: Ky nuk është një precedent, por është i frikshëm dhe shqetësues
Juristi Blerim Bujrani tha se Aktgjykimi i Gjykatës bllokon punën e Kuvendit, duke e paraqitur si jo të konstituuar, duke shtuar se ai bën vetëm një lexim të Kushtetutës, pa një interpretim të plotë, dhe lloji i interpretimeve që përdor nuk sqaron mënyrën se si ka arritur në përfundime, duke krijuar paqartësi dhe pasiguri politike.
“Aktgjykimi i Gjykatës bllokon plotësisht punën e Kuvendit dhe e paraqet institucionin sikur të mos ishte fare i konstituar. Ky aktgjykim ka bërë një lexim, por jo një interpretim të plotë të Kushtetutës në aspektin e tij gjithëpërfshirës. Gjykata vazhdon të merret me befasi për profesionistët dhe e paraqet veten si autoritet final, gjë që edhe është. Meta më e madhe e kësaj gjykate është lloji i interpretimeve që përdor për të interpretuar Kushtetutën, dhe kjo e bën të mundur sjelljen e paplotë politike, pasi nuk tregon cilin lloj interpretimi ka përdorur dhe si ka arritur te ky konkluzion”, deklaron Bujrani.
Në fund, thotë se nëse një gjykatë që nuk interpreton drejt Kushtetutën lejon pakicat të bllokojnë Kuvendin, duke shkatërruar funksionimin e demokracisë dhe pamundësuar formimin e qeverisë.
Ai thotë se ky është një rast shqetësues dhe i frikshëm.
“Një gjykatë e tillë që lexon, por ka probleme serioze profesionale për të interpretuar drejt, saktë dhe pa shkallëzim profesional, bën që pakicat të bllokojnë institucionin më të madh dhe më përgjegjës për shtetin, Kuvendin. Pra, secili komunitet i bie të jetë shtetformues, dhe demokracia bëhet barbare si për shumicën, ashtu edhe për pakicën. Kjo do të thotë se as qeveria e shtetit pa minoritetet nuk mund të themelohet.
Ky nuk është një precedent, por është i frikshëm dhe shqetësues nëse ky organ trajton një institucion kaq të madh në vend si jo të konstituar, pa pjesëmarrjen formale të kryesisë së Kuvendit”, përfundoi Burjani.
Kujtojmë, se ky është vendimi i plotë i Kushtetueses:
"TË DEKLAROJË, kërkesën të pranueshme;
TË KONSTATOJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i mos zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
TË URDHËROJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 (dymbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi;
TË URDHËROJË, të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat], paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit;
TË VAZHDOJË, masën e përkohshme, e cila ka hyrë në fuqi nga data 5 shtator 2025, deri në hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi;
T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;
TA PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës;
TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe njoftimit të palëve, përveç pikës V të dispozitivit, e cila hyn në fuqi menjëherë.
Gjykata Kushtetuese më 5 shtator 2025 vendosi masë të përkohshme përmes së cilës ua ndaloi deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ndalon zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Masa u vendos në fuqi nga 5 shtatori deri më 30 shtator.
Në seancën e mbajtur më 26 gusht 2025, deputetët e Kuvendit të Kosovës zgjodhën Dimal Basha kryeparlamentar. Më pas, Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala u zgjodhën nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës nga tri parititë më të mëdha shqiptare. Ndërkaq, Emilija Rexhepi është zgjedhur nënkryetare e Kuvendit nga pakicat joserbe. Votimi i nënkryetarëve nga radhët e pakicave nuk u bë në pako, por veçmas.
Por, konstituimi i Kuvendit ngeci tek pozita e nënkryetarit të Kuvendit nga pakicat serbe. Lista Serbe insistoi vetëm tek emri i Sllavko Simiqit, i cili nuk mori votat e mjaftueshme në tri tentime.