Deklarata e Ali Ahmetit për “zagarët” ndan shqiptarët në RMV

Politika

Deklarata e Ali Ahmetit për “zagarët” ndan shqiptarët në RMV

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 1 tetor 2025 Në ora: 09:56
Ali Ahmeti

Në prag të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, tensionet politike po shtohen duke sjellë fyerje dhe përçarje në arenën publike.

Të dielën, Koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) mbajti në Shkup konventën promovuese.

Gjatë kësaj konvente mbajti fjalim Ali Ahmeti, i cili përdori një gjuhë të ashpër për kundërshtarët politikë.

“Kjo qeveri, bashkë me shërbëtorë dhe vazalë, tentuan ta prekin e ta rrënojnë Marrëveshjen e Ohrit. Duke prekur gjuhën shqipe, duke hequr balancuesin, etj. Marrëveshja e Ohrit duhet të respektohet nga të gjithë. Mickoski don të dalë trim mbi trima, Hristijan me argatët e tij, me gabimet e njëpasnjëshme, vetëm se i mobilizon shqiptarët. Ne nuk hedhim gurin e fshehim dorën, sepse na akuzuan nga qeveria se po ndezim zjarre, se duam të djegim xhamitë, se duam të vrasim një prej kandidatëve të tyre — këto janë shpifje të tmerrshme! Mickoski përballë ka kuadro dhe ekipe mirë të specializuara në të gjitha fushat, sepse secili kandidat i tyre është më i mirë se tjetri. Hristijan, me zagarë në gjueti dilet për lepuj e jo për shqiponja. Shqiponjat fluturojnë lartë, zagarët ruajnë për lepuj”, ka thënë Ahmeti.

Kjo gjuhë e Ahmetit nuk u mirëprit as nga kundërshtarët politikë, as nga opinion publik. Njohës të çështjeve politike e komentuan këtë deklaratë të Ahmetit, duke e vlerësuar përçarëse dhe duke thënë se ai nuk po arrin ta përballojë humbjen pas dy dekadash në pushtet.

Mehazi kundër fjalorit përçarës të Ali Ahmetit në politikën shqiptare

Publicisti Sulejman Mehazi në një prononcim për “Bota sot”, e ka komentuar deklaratën e Ahmetit  duke e konsideruar si të rrezikshme dhe përçarëse, që ushqen urrejtje ndaj të gjithë qytetarëve.

Image
Sulejman Mehazi

“Konventa promovuese e Koalicionit AKI në Shkup me  hapjen e fushatës për Zgjedhje Lokale që do mbahen më 19 tetor në RMV dhe deklarata e Ali Ahmetit "Me zagarë nuk dilet në gjah për shqiponja" , shprehin paralajmërime se kjo fushatë parazgjedhore do jetë e ashpër dhe e zjarrtë në mes koalicionit VMRO-VLEN dhe opozitës shqiptare AKI në krye me Ali Ahmetin.

Deklarata e "zagarëve" e Ali Ahmetit nuk është e mirë, është e rrezikshme e pamatur dhe përçarëse që  ushqen urrejtje jo vetëm ndaj pozitës dhe opozitës, por edhe ndaj qytetarëve shqiptarë dhe maqedonas. Është deklaratë e padobishme që shpreh revoltë dhe emocione poetike, fjalët e tilla nuk janë kurrsesi politike”, ka thënë ai.

Tutje, Mehazi ka thënë se fjalori i “zagarëve” i përdorur nga Ahmeti është i dëmshëm për AKI-në, pasi forcon VMRO-DPMNE-në në komunat shqiptare si Tetova dhe Çairi, ku votat e maqedonasve janë vendimtare.

“Fjalori i "zagarëve" të Ali Ahmetit është i dëmshëm për vetë AKI-në, për shkak se mobilizon dhe më shumë maqedonasit për ta votuar Bilall Kasanin në Tetovë dhe Izet Mexhitin në Çair, pra deklarata e "Zagarëve" të Ali Ahnetit më shumë forcon  Vlenin në Tetovë dhe Çair, pasi dihet se në komunat shqiptare votat e maqedonasve vendosin  se kush do ta udheheqë Tetovën dhe Çairin.

Shkurt e qartë, Selës dhe Taravarit ju ka hije të thonë "zagarë" pasi ju ngjajnë "zagarëve" ama Ali Ahmetit me përvojë të madhe  dhe me moshën që ka nuk i ngjanë, nuk i ka hije fjalori "zagarë".

Me fjalorin e 'zagarëve" Ali Ahmeti nuk i ndihmon as AKI-së, as qytetarëve shqiptarë në RMV,  më shumë thërret për përçarje sesa për bashkim të shqiptarëve në këtë republikë”, ka vlerësuar Mehazi.

Shabani kërkon rrotacion politik në Maqedoninë e Veriut

Ndërsa, njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Amir Shabani, ka kritikuar atmosferën parazgjedhore në Maqedoninë e Veriut për zgjedhjet lokale 2025, duke theksuar mungesën e drejtësisë dhe respektit në garë.

Image
Amir Shabani

“Në një botë demokratike ku politikbërja dhe gara për zgjedhje të caktuara duhet të jetë e drejtë, pa abuzime dhe pa nënçmime, fatkeqësisht jemi dëshmitarë të së kundërtës.

Në Maqedoninë e Veriut ka filluar kampanja parazgjedhore për zgjedhjet lokale të vitit 2025 ku veç më janë identifikuar garuesit për kryetarë të komunave, këshilltarët komunalë dhe për kryetar të Qytetit të Shkupit. Mirëpo nga konventa promovuese e koalicionit opozitar AKI mes tjerash është vërejtur një shprehje tepër fyese nga Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së drejtuar liderëve të VLEN-it me termin "zagarë", gjë që ngriti revolta tek qytetarët pasi që një ofendim i tillë u mor përsipër edhe për votuesit e VLEN-it”, ka deklaruar ai.

Gjithashtu, Shabani ka theksuar se Ahmeti nuk po arrin të pranojë humbjet pas dy dekadash në pushtet.

“Ali Ahmeti si duket nuk po mund të përballet me realitetin e humbjes së vazhdueshme pas 2 dekadave në Qeveri dhe si rrjedhojë po humb edhe kontrollin personal dhe shprehjet pa censurë, do të thosha. Parashtrohet pyetja se a konsiderohet edhe ai me të njëjtën cilësi (zagarë) kur vite me radhë qëndroi në pushtet duke ndodhur skandale të njëpasnjëshme në vend dhe nënçmim të shqiptarëve (rasti Monstra, Brodeci, enciklopedia fyese ndaj shqiptarëve, literatura nënçmuese, korrupsioni, nepotizmi etj etj), dukuri të pashembullta negative që realisht është pasuruar në kurriz të popullit dhe falë kohëzgjatjes në qeverisje?!”, ka cilësuar ai.

Tutje, Shabani tha se përçarja ka ndodhur, por deklaratat fyese irritojnë qytetarët dhe përgjigjen më të mirë do ta japë dita e votimit.

Në fund, ai ka shtuar se ka ardhur koha për një rrotacion politik në Maqedoninë e Veriut.

 “Përçarja vetëm se ka ndodhur, por deklaratat e tilla i irritojnë edhe qytetarët dhe më së miri do jepet përgjigjja në ditën e votimit, sepse prishja dhe ofendimi nuk kërkon mençuri, ndërsa ndërtimi dhe mirëkuptimi do durim dhe pjekuri, gjëra këto që i ka ngatërruar Ali Ahmeti kohëve të fundit. Ai akuzon se nënçmohet gjuha shqipe, por ka harruar kohën e tij kur dy zyrtarë shqiptarë nuk lejoheshin të flisnin shqip mes vete.

Mendoj se ka ardhur koha e rrotacionit politik në Maqedoninë e Veriut dhe skenës politike i nevojiten figura të reja me bagazh profesional, akademik dhe menaxherial për institucionet përkatëse”, ka përfunduar Shabani.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat