Të dielën, më 12 tetor, në Kosovë do të mbahen zgjedhjet lokale, të cilat pritet të jenë veçanërisht interesante në komunën e Drenasit. Kjo komunë është bërë epiqendra e një përplasjeje të brendshme brenda Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), që ka çuar në ndarjen e saj.
Kryetari aktual i Drenasit, Ramiz Lladrovci, nuk është përfshirë në listën e kandidatëve të PDK-së për një mandat të ri. Në vend të tij, partia ka vendosur të kandidojë Petrit Hajdarin, një emër më i ri në skenën politike lokale.
Ky vendim ka shkaktuar përçarje të thella në strukturat e degës lokale të PDK-së.
Si përgjigje ndaj këtij zhvillimi, Lladrovci ka themeluar një parti të re dhe ka vendosur të garojë në zgjedhje si kandidat i saj.
Analisti politik, Nexhat Haziri në një prononcim për “Bota sot”, ka është shprehur se do të ketë balotazh mes Lladrovcit dhe Hajdarit, me një diferencë shumë të ngushtë.
Ai ka thënë se rezultati final do të varet edhe nga performanca e kandidatëve tjerë dhe nga mënyra se si do të shpërndahen votat e tyre në rundin e dytë.
“Gara për Drenasin do të jetë interesante dhe në sajë të kësaj ka marre vëmendje edhe nacionale. Do të ketë balotazh në Drenas, dhe të dy kandidatet Ramiz Lladrovci dhe Petrit Hajdari. Dallimi në mes tyre do të jetë shumë i ngushtë, por kjo do të varet shumë edhe nga performanca e kandidatëve të tjerë se çfarë rezultati do të kenë në rundin e parë, dhe a do të mundin që ato vota t'ia bartin atij me të cilin do të bëjnë marrëveshje në rundin e dytë, pra në balotazh”, ka deklaruar ai.
Gjithashtu, Haziri ka theksuar se nuk duhet nënvlerësuar as ndikimi i fuqishëm i makinerisë së PDK-së – si në aspektin financiar ashtu edhe propagandistik.
“Kështu që gara për Drenasin është shumë ë paparashikueshme, por unë nëse do ta përdori fjalorin e një komentatori sportiv, do të thoja se Ramiz Lladrovci është favorit në letër. Në anën tjetër nuk duhet që mos ta përfillimi edhe faktin se e gjithë makineria e PDK-së, qoftë financiare, qoftë propagandistike e ka vërshuar Drenasin, dhe në momentet e fundit edhe mund të bëjë ndryshimin”, ka përfunduar Haziri .