Qytetarët e Kosovës të dielën që kaloi kanë votuar për kryetarë në komuna, si pasojë e kësaj 21 komuna tashmë do të jenë me kryetar të rinj, ndërsa 17 tjera do të votojnë përsëri në balotazh.
Nga rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku nuk janë përfshirë votat e diasporës, ato me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta, duket se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka fituar pa balotazh tri komuna: Kamenicën, Podujevën dhe Shtimen. Kadri Rahimaj në Kamenicë fitoi me 50.56% të votave, duke mundur kundërshtarin kryesor Qëndron Kastratin nga PSD. Në Podujevë, Shpejtim Bulliqi fitoi me 53.42%, ndërsa në Shtime, Qemajl Aliu mori 50.47% të votave.
Sikur Lëvizja Vetëvendosje, edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka fituar pa balotazh tri komuna që i ka qeverisur tradicionalisht: Skenderajn me Sami Lushtakun, Ferizajn me Agim Aliun dhe Hanin e Elezit me Mehmet Ballazhin. Në Ferizaj, Aliu mori 56.47% të votave me 95.45% të vendvotimeve të numëruara, ndërsa në Hani të Elezit, Ballazhi fitoi me 50.94%.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) fitoi pa balotazh dy komuna: Istogun dhe Lipjanin, të cilat i kishte fituar edhe në zgjedhjet e mëparshme. Imri Ahmeti në Lipjan fitoi për herë të katërt me 51.15%, ndërsa Ilir Ferati në Istog gjithashtu fitoi pa balotazh.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) fitoi pa balotazh në komunën e Deçanit me Bashkim Ramosajn, i cili siguroi mandatin e tretë.
Edhe, Nisma për Kosovën arriti ta sigurojë përsëri Malishevën, ndërsa “Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin” ka fituar pa balotazh në garën për komunën e Drenasit.
Lladrovci, i cili nga dhjetori i vitit 2026 është kryetar i Drenasit nga PDK, në zgjedhjet lokale të 12.10.2025, garoi me iniciativën e tij qytetare pasi që nuk u rikandidua nga kjo parti për kryetar komune.
Kundërshtar kryesor, ai e kishte Petrit Hajdarin nga partia me të cilën udhëhoqi që nga viti 2016- PDK.
Sipas rezultateve preliminare të KQZ, Lladrovci ka marrë 52.31% të votave.
Pas përfundimit të procesit të votimit, Lladrovci përmes një postimi në rrjete sociale tha se fitorja e tij “ka befasuar shumë amatorë politikë, por, nuk e befasoi qytetarin krenar, dinjtoz e me integritet të Drenasit”.
“Befasia e këndshme, bashkë me fitoren për Drenasin, është befasia tjetër, kemi marrë më shumë vota “Për Drenasin Kampion” se PDK në Skenderaj” – shkroi tutje Lladrovci.
Lista Serbe fitoi në 9 komunat e banuara me shumicë serbe, ndërsa në Kllokot prin, por shkon në balotazh me Unitetin Kombëtar Serb.
Komunat që shkojnë në balotazh
Më 9 nëntor do të mbahet balotazhi në 17 komuna të Kosovës, përfshirë ato të mëdha si Prishtina, Prizreni, Peja, Gjilani, dhe të vogla si Juniku dhe Kllokoti, nuk kanë pasur fitues me mbi 50% të votave dhe do të shkojnë në raundin e dytë.
Nga rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku nuk janë përfshirë votat e diasporës, ato me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta, duket se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka fituar pa balotazh tri komuna: Kamenicën, Podujevën dhe Shtimen. Kadri Rahimaj në Kamenicë fitoi me 50.56% të votave, duke mundur kundërshtarin kryesor Qëndron Kastratin nga PSD. Në Podujevë, Shpejtim Bulliqi fitoi me 53.42%, ndërsa në Shtime, Qemajl Aliu mori 50.47% të votave.
LVV do të garojë në balotazh në 12 komuna, përfshirë Prishtinën, ku Hajrulla Çeku mori 33.05% të votave, dhe Gjilanin, ku Alban Hyseni mori 49.79%. Në Mitrovicë të Jugut, kandidati i LVV-së Faton Peci ka marrë 47.80%, ndërsa në Pejë, Taulant Kelmendi 27.88%. Në Gjakovë, Ardian Gola ka 32.82%, në Prizren Artan Abrashi 29.80%, ndërsa në Viti Arsim Ademi 33.55%. Në Fushë Kosovë, Valon Prebreza ka marrë 45.14%, në Obiliq Halil Thaçi 44.04%, në Kaçanik Jeton Raka 37.86%, në Vushtrri Sylejman Meholli 30.63%, dhe në Rahovec Ali Dula 23.92%.
Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, në një konferencë për media më 13 tetor, shprehu besimin se me votat e diasporës dhe ato me kusht, kandidati i LVV-së në Gjilan mund të fitojë pa balotazh. Ai theksoi se qëllimi i partisë është që kandidatët e saj të fitojnë në raundin e dytë dhe të vazhdojnë qeverisjen e komunave me transparencë, drejtësi dhe mirëqenie.
Edhe, PDK është gjithashtu e para në katër komuna që shkojnë në balotazh: Kaçanik, Mitrovicë të Jugut, Prizren dhe Vushtrri. Në dy komuna tjera, Dragash dhe Klinë, PDK është e dyta në garë. Në Prizren, kryetari aktual Shaqir Totaj doli i pari me 41.99% të votave, por do të ballafaqohet në balotazh me LVV-në. Në Kaçanik, Sabedin Vishi nga PDK-ja mori 39.86%, ndërsa kandidati i LVV-së Jeton Raka 37.86%. Në Vushtrri do të ketë garë mes Ferit Idrizit të PDK-së dhe Sylejman Mehollit të LVV-së. Në Mitrovicë të Jugut, balotazhi pritet të jetë i fortë mes Arian Tahirit (PDK) dhe Faton Pecit (LVV).
Në Dragash, PDK renditet e dyta me 28.38% të votave, pas LDK-së që ka 43.98%. Në Klinë, Zenun Elezaj i AAK-së ka 48.04%, ndërsa Sokol Bashota i PDK-së 35.98%. Ndryshe nga zgjedhjet e vitit 2021, PDK këtë herë ka tri fitore pa balotazh dhe katër komuna në balotazh, një më shumë se herën e kaluar.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen dhe theksoi përkushtimin për të rikonfirmuar fitoret në komunat ku janë në balotazh.
Ndërsa, LDK do të garojë në balotazh në gjashtë komuna, përfshirë kryeqytetin Prishtinë, Dragashin, Obiliqin, Pejën, Vitin dhe Junikun. Në Suharekë, Gjilan dhe Fushë Kosovë, LDK është e dyta në garë.
Në Prishtinë, balotazhi do të jetë mes Përparim Ramës të LDK-së, i cili mori 33.76%, dhe Hajrulla Çekut të LVV-së, me 33.05%. Në Obiliq, Xhafer Gashi nga LDK-ja është në balotazh me Halil Thaçin e LVV-së. Në Suharekë, Ardian Shala nga LDK-ja do të garojë me Bali Muharremaj nga AAK-ja, e cila kryeson me 45.70% të votave. Në Fushë Kosovë, Besnik Osmani i LDK-së ka marrë 36.62%.
Në komunën e Vitisë, Sokol Haliti nga LDK nuk arriti të sigurojë mandatin e katërt, dhe kështu do të ketë balotazh pasi asnjë kandidat nuk mori mbi 50% të votave. Në Pejë, garojnë për kryetar Gazmend Muhaxheri i LDK-së me 46.11% dhe Taulant Kelmendi i LVV-së me 27.88%.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, lavdëroi kryetarët që fituan pa balotazh dhe i inkurajoi kandidatët që janë në balotazh të mos marrin humbjen si të tillë, por si përvojë për fitoret e ardhshme.
AAK shkon në balotazh në pesë komuna, përfshirë Gjakovën, Rahovecin, Klinën, Suharekën dhe Junikun.
Në Gjakovë, kryetari aktual Ardian Gjini mori 47.74% të votave; në Rahovec, Smajl Latifi 37.28%; në Klinë, Zenun Elezaj 48.04%; në Suharekë, Bali Muharremaj 45.70%; dhe në Junik, Agron Kuçi 40.68%. Ramush Haradinaj falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje dhe u uroi garuesve sukses në punën që i pret.
NISMA nuk është në garë për balotazh në asnjë komunë tjetër.
Skepticizmi dhe befasitë
Analisti politik Blerim Burjani, konsideron Lëvizja Vetëvendosje i ka gjasat e vogla në balotazh, kjo për shkak se një parti e vetme nuk mund, asaj i nevojitet bashkëpunim.
“Duket se gjasat e VV-së janë më të vogla në balotazh, madje edhe në Prishtinë, që ka refuzuar edhe para zgjedhjeve të bëjë koalicion me ndonjë subjekt opozitar. Tashmë me politikën “të gjej vetë” dhe për mos ta ndarë pushtetin, definitivisht e prish punën e këtij subjekti. Kur dihet se në balotazhe ku s’mund të fitojë një parti vetëm, duhet bashkëpunim me të tjerët për të ndarë interesat në komunat përkatëse”, deklaron Burjani.
Ai thotë se mund të ketë ndonjë befasi në Mitrovicë e Gjakovë apo Pejë, por gjasa të vogla.
“Të shohim nëse mund të ketë ndonjë befasi në Mitrovicë, Gjakovë apo Pejë, por gjasat janë shumë të vogla ose fare për VV-në, përderisa partitë opozitare qëndrojnë larg. Kjo ka gjasa të rrisë fitoret e tyre, dhe mendoj se LDK dhe PDK do të marrin shumicën e komunave në balotazh. Edhe një herë, po e përsëris: me këtë politikë që udhëhiqet nga VV-ja, “krejt ose hiq”, nuk prodhohet kurrfarë dobie”, shton analisti.
Procesi i votimit në Kosovë ka përfunduar në orën 19:00 në të gjitha vendvotimet e Republikës së Kosovës. Sipas të dhënave preliminare të KQZ-së të pranuara nga rreth 95% e vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që votuan deri në orën 19:00 është 791.123 votues, apo 39.07% nga gjithsej 2.025.105 votues me të drejtë vote.
Zgjedhjet shembullore, balotazhi dhe gara interesante
Analisti Skënder Zogaj, lavdëron procesin zgjedhor, duke thënë se është shenjë tepër e mirë e vullnetit diplomatik.
Sipas tij, mos dalja në zgjedhje është për shkak të absurditetit e premtimeve boshe.
“Zgjedhjet lokale sivjet ishin shembullore, sa i përket organizimit dhe kulturës votuese të elektoratit, që tregoi se, mund të ketë militantizëm partiak por, jo arrogancë më procesin e votimit! Kjo është shenjë tepër e mirë e vullnetit demokratik që tregon se, vota janë më të emancipuat se sa udhëheqjet qendrore partiake, të cilat duan që me çdo kusht të përfitojnë rrëmbim pushteti, me çdo kusht, me e pa meritë! Kjo u pa në fushatën parazgjedhore e cita u bë më tubime pompoze në formë dhe fare të cekëta në përmbajtje, sepse kandidatët, sidomos ata për kryetar komunash, ishin lëvdaç premtimesh të gënjeshtërta, gjë që edhe në këto zgjedhje në votim nuk mori pjesë një përqindje e madhe votuesish! Mos dalja e ka arsye absurditetin e premtimeve boshe!”, deklaron Zogaj.
Balotazhi do të jetë favorit për ata që kanë dalë të parët në garë, thotë Zogaj, gjersa shton se balotazhi interesant do të jetë në Prishtinë e Mitrovicë.
“Sido që të jetë, e mira është se rundi i parë u kry dhe rezultati është domethënës: shumica e komunave mbesin në balotazh, rezultat ky i pakënaqësisë së elektoratit që e ka dilemë të arsyeshme - kë ta votoj?! Aty ku nuk ishte kjo dilemë u dha verdikti i pastër i mbi 50 për qind të votave dhe tash u zgjodhën kryetarët! Vazhdimi i garës në balotazh mendoj se do të jetë në anën e kandidatëve që kanë dalë të parët në garë, pra në balotash do të janë favoritë të gjithë që kanë epërsi, aty ku nuk do të ketë kalkulime ndërpartiake, që me anime të mund ta ndryshojnë rrjedhën e rezultatit dhe, të dalin fitues kandidatët me rezultat të dytë! Kjo është e natyrshme, por mendoj se, jo mjaft e ndershme, sepse i marrëveshjet ndërpartiake gjatë procesit zgjedhor janë kurdisje për qëllime politike dhe jo vullnet real i qytetarëve! Interesant do të jetë balotazhi në Kryeqendër dhe në Mitrovicë, që janë dy pikat e nxehta dhe shumë sinjifikative për testin demokratik të elektoratit!”, përfundon Zogaj.