Sot, më 19 tetor 2025, bëhen 24 vjet nga vrasja e gazetarit të “Bota sot”, Bekim Kastratit, dhe Besim Dajakut, truproja e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, si dhe plagosja e ish-deputetit të LDK-së, Gani Geci.
Besim Dajaku u vra më 19 tetor 2001, në një pritë të organizuar në hyrje të Skenderajt, ku së bashku me të u vra edhe gazetari Bekim Kastrati, ndërsa u plagos ish-deputeti Gani Geci.
Sulmi i armatosur ndodhi mbi automjetin ku ndodheshin tre personat, menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë, në një periudhë të ndjeshme politike dhe shoqërore për vendin.
Pavarësisht kalimit të dy dekadave, rasti i vrasjes së Besim Dajakut dhe Bekim Kastratit ende nuk është zbardhur. Asnjë person nuk është vënë para drejtësisë për këtë krim, çka vazhdon të mbetet një plagë e hapur për familjarët dhe opinionin publik.
Familjarë, miq dhe ish-bashkëpunëtorë të tyre kujtojnë sot Bekim Kastratin dhe Besim Dajakun si njerëz të përkushtuar, të ndershëm dhe besnikë ndaj misionit të Presidentit Rugova dhe vizionit të tij për një Kosovë demokratike dhe paqësore.
Ata përsërisin thirrjen për zbardhjen e plotë të rastit, duke kërkuar që drejtësia e Kosovës dhe ajo ndërkombëtare të veprojnë dhe të vendosin përgjegjësit para ligjit, në mënyrë që e vërteta të mos mbetet peng i heshtjes dhe i harresës.
Bekim Kastrati dhe Besim Dajaku kujtohen sot me nderime të veçanta, si njerëz që dhanë gjithçka për idealin e lirisë dhe për mbrojtjen e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Familja e zhgënjyer me drejtësinë
Xhevat Dajaku, vëllai i Besimit, në një prononcim për “Bota sot”, shprehet i zhgënjyer me drejtësinë vendore dhe atë ndërkombëtare
“Për rastin tonë ka pasur një tentativë nga drejtësia, por të dyshuarit supozohet se ishin vetëm sinjalizues, domethënë pjesë e organizimit periferik. Por ata nuk kanë pranuar — kuptohet, si të gjithë kriminelët që nuk e pranojnë fajin — dhe drejtësia e Kosovës s’ka mundur të ecë më tej. Lëndën e kanë marrë ndërkombëtarët dhe s’kemi informata më shumë”, thotë Dajaku.
“Vrasja e gazetarëve në kohën e pasluftës është një prej akteve më të shëmtuara, sidomos për një shtet në formim e sipër. Kjo, normalisht, i ka dhënë një goditje shumë të rëndë vendit tonë”, shton ai.
Ai thekson se Gjykata Speciale dhe drejtësia ndërkombëtare e kanë borxh zbardhjen e vrasjeve politike në Kosovë.
“Gjykata Speciale nuk e di nëse e ka në planin e saj këtë rast, por drejtësia ndërkombëtare e ka me borxh që t’i hetojë vrasjet e pasluftës, sepse Kosova ishte nën mandatin ndërkombëtar dhe këto vrasje u bënë nën mandatin e tyre. Nëse Gjykata Speciale nuk do të merret me këtë rast dhe me shumë të tjerë, atëherë misioni i saj nuk do të jetë i përmbushur — madje do të jetë zhgënjyes!”, përfundon Xhevat Dajaku, vëllai i Besim Dajakut.
Mungesa e vullnetit politik për drejtësi
Ashtu si Dajaku, edhe analisti politik Nexhat Haziri shprehet i revoltuar me mungesën e drejtësisë për Bekim Kastratin dhe Besim Dajakun.
“Është për keqardhje që edhe pas 24 viteve ne ende kërkojmë drejtësi për vrasjet e gazetarëve si kjo e Bekim Kastratit dhe luftëtarit të lirisë, njërit nga truprojet e Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova — Besim Dajakut. Por jo vetëm këto, edhe vrasje të tjera të gazetarëve gjatë periudhës së luftës dhe pas saj, si vrasjet e Ismail Berbatovcit, Ali Ukës, Enver Malokut, Shefki Popovës, Xhemajl Mustafës, Bardhyl Ajetit — edhe pas gjithë këtyre viteve asnjëra nga këto vrasje nuk është zbardhur”, thekson Haziri.
Sipas tij, mungesa e vullnetit politik ka bërë që vrasjet politike të mos zbulohen asnjëherë deri më tani.
“E kam thënë edhe më parë, dhe e them edhe tani: moszbardhja e këtyre vrasjeve ka qenë kryekëput për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe një drejtësie e cila ka qenë e politizuar dhe ka kalkuluar me elementin e stabilitetit të brendshëm politik — si gjatë administrimit të UNMIK-ut, ashtu edhe pas pavarësimit të vendit deri në ditët e sotme,” nënvizon Haziri.
“Është e papranueshme që një shoqëri që ka ambicie të jetë funksionale dhe demokratike, ku sundon rendi dhe ligji, e që aspiron integrime euro-atlantike, të lejojë që këto vrasje — si ajo e gazetarit Bekim Kastrati dhe Besim Dajakut, por edhe të personaliteteve të tjera shoqërore e politike, bashkëpunëtorëve të ngushtë të Presidentit Rugova dhe zyrtarëve të LDK-së — të mbeten pa autorësi. Kjo do të vazhdojë të jetë si një gur rreth qafës për Kosovën dhe pengesë për zhvillimin normal të shoqërisë sonë, ku krimi i pandëshkuar gjithmonë rrezikon të përsëritet”, shton analisti Haziri.
Në fund, Haziri shpreh pak shpresa se Gjykata Speciale do të mund të zbardhë këtë rast
“Sa i përket mundësisë që Gjykata Speciale të zbardhë vrasjet e Bekim Kastratit dhe Besim Dajakut, ajo që është zhvilluar deri më tani në procesin gjyqësor në këtë gjykatë lë shumë për të dëshiruar — gati dëshpëruese që këto vrasje do të mund të marrin epilog në këtë gjykatë. E për sa i përket institucioneve tona të drejtësisë, vështirë se do të mund të vepronin në këtë drejtim pas kësaj periudhe, pasi dyshoj se ka pasur ndonjë hetim të mirëfilltë edhe në kohën kur janë kryer këto akte kriminale”, përfundon analisti Nexhat Haziri për “Bota sot”.