Zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor dhe raundi i dytë i balotazhit më 9 nëntor kanë përfunduar me ndryshime të pushtetit vetëm në katër komuna të Kosovës. Në pjesën tjetër të komunave, kryetarët aktualë kanë arritur të ruajnë mandatin e tyre, duke treguar një stabilitet të përgjithshëm politik në nivel lokal.
Ndryshime janë shënuar në Mitrovicë të Jugut, Fushë-Kosovë dhe Obiliq, ku kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë fituar garën për kryetar komune. Faton Peci është zgjedhur në Mitrovicë të Jugut, Valon Prebreza në Fushë-Kosovë, ndërsa Halil Thaçi në Obiliq.
Në Kaçanik, pushteti lokal ka mbetur në duart e Partisë Demokratike të Kosovës, por me një ndryshim në drejtim: Sabedin Vishi do të marrë detyrën e kryetarit në vend të Besim Ilazit.
Këto rezultate tregojnë se, ndonëse ka pasur gara të ngushta në disa komuna, në shkallë të gjerë vendi ka ruajtur një vazhdimësi politike, me ndryshime të kufizuara në nivel komunal.
Hezitimi i votuesve për ndryshime
Veprimtari Agim Aliçkaj, thotë se është lajm i mirë që zgjedhjet lokale të Kosovës përfunduan me sukses dhe në nivel të duhur demokratik.
Sipas tij, partitë nuk kanë dalë me kandidatë të rinj, ndërsa votuesit hezitojnë për ndryshime.
Mundësia për të votuar për kandidatin e një partie tjetër, sipas Aliçkajt, është më e vogël, edhe nëse ai është më i kualifikuar.
“Mitrovica, simbol i rezistencës ndaj ndarjes së Kosovës! Është lajm shumë i mirë që zgjedhjet lokale të Kosovës përfunduan me sukses dhe në nivel të duhur demokratik. Të gjitha partitë po i festojnë fitoret dhe po i minimizojnë humbjet e tyre. Realisht nuk ka patur ndryshime të mëdha krahasuar me zgjedhjet e mëparshme. Zgjedhjet lokale, normalisht varen shumë nga kualiteti i kandidatëve të cilët në të shumtën e rasteve njihen nga votuesit. Partitë nuk dolën me kandidatë të rinj duke u koncentruar në përkrahjen e kandidatëve të mëparshëm, me struktura të definuara, duke i zmadhuar arritjet e tyre dhe zvogëluar dështimet. Është e vërtetë se edhe votuesit hezitojnë të votojnë për ndryshime, përveç në raste të dështimeve drastike apo të propozimit nga partia kundërshtare të ndonjë kandidati të njohur me aftësi të mëdha e të vërtetuara, siç ishte rasti në Mitrovicë me ish-ministrin Faton Peci. Lidhja e votuesve me strukturat partiake tradicionale është ende shumë e fortë në Kosovë. Mundësia për të votuar për kandidatin e një partie tjetër edhe nëse ai është më i kualifikuar është tepër e vogël. Vetëm votuesit e pavarur janë të hapur për ndryshime. Pas bllokimeve të shumta në zgjedhjet nacionale të krijuara nga partitë humbëse të zgjedhjeve PDK, LDK, AAK, NISMA, dhe vështirësisë së krijimit të institucioneve nga fituesit e zgjedhjeve LVV, Guxo, Alternativa, është bërë një polarizim i skajshëm i elektoratit ku inati dhe urrejtja për kundërshtarin e tejkalon arsyen”, deklaron Aliçkaj.
Ai e konsideron LVV në rritje komunale, gjersa shton se fitorja në Mitrovicë është tepër e rëndësishme.
“ Nëse shikohen në mënyrë të paanshme, krahasuar me zgjedhjet e mëparshme, e vërteta është se vetëm LVV me koalicion ka pasur rritje me fitore në tri komuna më shumë, LDK dhe PDK kanë shënuar rënie, ndërsa AAK të njëjtin nivel. Pas kampanjës marramendëse me vite kundër LVV-së nga qeveria shoviniste serbe, organizata armiqësore “Lista srpska”, qeveria vasale e Serbisë në Shqipëri, forca të tjera negative joparimore ndërkombëtare, opozita joparimore e Kosovës e financuar nga oligarkët dhe paratë e fituara në mënyrë joligjore, si dhe mediat e shitura te Serbia dhe armiqtë e Kosovës, megjithatë LVV-ja duhet të jetë e kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve lokale. Sidomos fitorja e LVV-së në Mitrovicë është tepër e rëndësishme. Mitrovica është komuna më e dhimbshme e Kosovës, sepse është ndarë padrejtësisht në dy pjesë. Ajo është shndërruar në simbol të rezistencës ndaj përpjekjeve serbe për ndarjen dhe shkatërrimin e Republikës së Kosovës”, shprehet veprimtari.
Në fund, ai kritikon pjesëmarrjen e Listës Serbe, gjersa shton se vetëm liderët e katër viteve të kaluara të qeverisjes së Kosovës mund ta mbajnë atë nën kontroll.
“Lejimi i pjesëmarrjes në zgjedhje të partisë armiqësore “Lista srpska”, e cila me presion, shantazh dhe finansim nga Serbia i ka fituar zgjedhjet në 10 komuna me shumicë serbe, shumica e tyre të krijuara artificialisht me presion ndërkombëtarë mbi qeveritë e dështuara të ish-opozitës, është padrejtësi dhe gabim i rëndë dhe i rrezikshëm për shtetin e Kosovës. Kjo e bën të domosdoshme që populli i Kosovës, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të votojë për LVV-në me koalicion. Liderët e katër viteve të kaluara të qeverisjes së Kosovës, Vjosa Osmani, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca, të cilët e shpëtuan Kosovën nga shkatërrimi, janë të vetmit në këtë moment, që mund ta mbajnë Listën serbe nën kontroll, me respektim dhe zbatim të demokracisë, ligjeve dhe kushtetutës së Republikës së Kosovës”, përfundon Aliçkaj.
Pas përfundimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të fitojë në 7 komuna, duke shënuar një rritje prej tri komunash krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Po aq komuna ka fituar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, megjithëse ka pësuar humbje në dy. Pas tyre renditet Partia Demokratike e Kosovës me 6 komuna, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 5.
Në Prishtinë, Përparim Rama i LDK-së arriti ta mbajë kryeqytetin me 51,54% të votave, përballë Hajrulla Çekut të Vetëvendosjes, që mori 48,55%.
Në Mitrovicë, Faton Peci i Vetëvendosjes fitoi me 53,53% ndaj Arian Tahirit të PDK-së, ndërsa në Prizren u konfirmua Shaqir Totaj i PDK-së me 53,86%.
Në Gjakovë, Ardian Gjini i AAK-së e ruajti epërsinë me 56,03%, ndërsa në Gjilan, Alban Hyseni i Vetëvendosjes mori një fitore të thellë me mbi 61% të votave.
Sipas kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, të hënën, votimi është përmbyllur plotësisht në të gjitha komunat, ndërsa rezultatet përfundimtare do të zyrtarizohen pas numërimit të votave të diasporës, të personave me nevoja të veçanta dhe atyre me kusht.
Votat nga diaspora pritet të arrijnë në Kosovë gjatë javës së ardhshme, dhe procesi i plotë të përmbyllet brenda dy javësh.
Megjithatë, edhe në këtë fazë paraprake, zhvendosjet politike janë të qarta:
Vetëvendosje po konsolidon rolin e saj si forcë e dytë lokale, me rritje të dukshme në Mitrovicë, Fushë Kosovë, Obiliq e Gjilan.
LDK ruan bastionet tradicionale si Prishtina, Peja dhe Viti, por me humbje simbolike në disa komuna ku dikur kishte epërsi të qartë.
PDK mbetet forcë e tretë stabile, duke ruajtur Prizrenin e Vushtrrinë, ndërsa AAK e mban bazën e saj të fortë në perëndim me Gjakovën, Klinën e Rahovecin.
Mobilizimi i ditës së fundit dhe bashkimi i votuesve kundër një kandidati të caktuar
Analisti Eduard Gashi, thotë se në këto zgjedhje si në raundin e parë, si në balotazh ka pasur garë jashtëzakonisht të ngushtë.
Sipas tij, nuk mjafton të shihet kush e mori pozitën e kryetarit, por duhet parë edhe përbërja e kuvendeve komunale.
“Fakti që ndryshimi i pushtetit ndodhi vetëm në katër komuna me shumicë shqiptare nuk mund të interpretohet thjesht si “fitore e një partie” apo “humbje e tjetrës”. Një analizë serioze duhet të shkojë shumë më thellë se kaq.
Së pari, në këto zgjedhje – si në raundin e parë, ashtu edhe në balotazh – pati gara jashtëzakonisht të ngushta. Në shumë komuna nuk fituan idetë apo programet, por koalicionet e heshtura, mobilizimi i ditës së fundit, dhe bashkimi i votuesve kundër një kandidati të caktuar. Kjo tregon se rezultati përfundimtar nuk është gjithmonë pasqyrim i forcës reale të partive, por i rrethanave lokale dhe marrëveshjeve të pashpallura.
Së dyti, nuk mjafton të shihet kush e mori pozitën e kryetarit. Duhet parë edhe përbërja e kuvendeve komunale. Në disa raste, kryetari mund të jetë i një partie, por shumica në kuvend i takon partive tjera – çka do të thotë se qeverisja reale do të varet nga kompromiset dhe balancat e brendshme. Krahasimi me zgjedhjet e mëparshme tregon se votuesit kanë ndëshkuar premtimet e tepërta dhe mungesën e rezultateve konkrete, por nuk kanë gjetur ende alternativa të qarta dhe të besueshme”, deklaron Gashi.
Duke vazhduar analizën e tij, Gashi, thotë se nuk duhet të anashkalohet votueshmëria shumë e ulët dhe fakti që një numër i madh qytetarësh jetojnë në një komunë, por janë të regjistruar në një tjetër.
“Së treti, nuk mund të anashkalohet votueshmëria shumë e ulët. Një pjesëmarrje nën 75% nuk e pasqyron vullnetin e shumicës, por vetëm të atyre që ende shpresojnë se vota e tyre ka peshë. Politika lokale në Kosovë po përballet me një nivel të lartë lodhjeje dhe zhgënjimi. Shumë qytetarë mendojnë se “nuk ndryshon gjë kush vjen”, sepse problemet bazë – infrastruktura, uji, kanalizimi, shëndetësia, shkollat, pastrimi, rrugët – vazhdojnë të mbeten të zgjidhura pjesërisht ose aspak. Së katërti, një numër i madh qytetarësh jetojnë në një komunë, por janë të regjistruar në një tjetër, prandaj votojnë aty ku nuk janë të prekur drejtpërdrejt. Kjo e shtrembëron perceptimin për atë se çfarë duan në të vërtetë banorët që e jetojnë përditë realitetin lokal”, pohon analisti.
Zgjedhje për stabilitet dhe eksperiencë, e bën votuesin të mos iu bindet ofertave të reja, thotë Gashi, gjersa shton se nuk të flitet për fitore të qarta apo humbje të thella.
“Në pamje të parë, mund të duket se shumica e komunave shqiptare “qëndruan te e njëjta parti”, por kjo nuk do të thotë medoemos besnikëri e verbër ndaj strukturave të vjetra. Më shumë duket një zgjedhje për stabilitet dhe eksperiencë, për faktin se votuesit nuk u bindën se ofertat e reja kishin kapacitet real për të menaxhuar komunën. Nga bisedat me qytetarë del qartë se njerëzit nuk kërkojnë më fasada të bukura apo projekte kozmetike; ata duan gjërat elementare që funksionojnë. Prandaj, nuk mund të flasim për fitore të qarta apo humbje të thella. Rezultatet janë produkt i një kombinimi kompleks faktorësh: gara të ngushta, koalicione të heshtura, votueshmëri të ulët, mungesë alternative të forta, dhe mbi të gjitha, mosbesim të thellë se politika lokale po adreson problemet reale të qytetarëve. Në këtë kuptim, këto zgjedhje nuk tregojnë vetëm orientimin politik të votuesve, por një gjendje të përgjithshme të shoqërisë kosovare: kërkesë për stabilitet, por edhe zhgënjim të akumuluar; dëshirë për ndryshim, por frikë nga eksperimente të pasigurta; rëndësi për kandidatin lokal, jo domosdoshmërisht për partinë”, përfundon Gashi.