Qeveria e Serbisë ka emëruar të hënën Sreqko Spasiqin në krye të të ashtuquajturit “Organ i Përkohshëm Komunal të Vitisë”, vetëm pak ditë pasi ai u tërhoq nga gara për kryetar të Kllokotit në balotazhin e 9 nëntorit për të mbështetur kandidatin e Listës Serbe.
Ky veprim shihet si përpjekje e Beogradit për të ringjallur strukturat paralele në Kosovë, të cilat janë shpallur të jashtëligjshme dhe të mbyllura nga autoritetet kosovare në fillim të këtij viti.
Sipas institucioneve të Kosovës, këto struktura përfaqësojnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë të Serbisë në punët e brendshme të vendit dhe cenojnë sovranitetin e saj. Megjithatë, Beogradi refuzon t’i shuajë, duke i zhvendosur pjesërisht brenda territorit të Serbisë dhe duke i përdorur për të ruajtur ndikimin mbi komunitetin serb në Kosovë.
Ky zhvillim po shihet nga analistët si pjesë e një fushate të re të provokimeve dhe një forme të luftës hibride të Serbisë ndaj Kosovës.
Kuçi: Përpjekje e Beogradit për të rikthyer strukturat paralele në Kosovë
Njohësi i sigurisë, Gurakuç Kuçi, tha për “Bota sot” se Serbia po shfrytëzon përçarjet politike në Kosovë për të provokuar tensione, veçanërisht në veri, duke përdorur propagandë dhe presione ndaj serbëve lokalë.
Ai theksoi se në këtë fushatë po përfshihet edhe Kisha Ortodokse Serbe si mjet ndikimi politik.
“Fushata e provokimeve të Serbisë ndaj Kosovës duke tentuar që të rikthejë situatën në Kosovë e sidomos në veri të vendit sikur para vitit 2021 është duke shfrytëzuar terrenin e ndarjeve të brendshme politike. Në këtë atmosferë po ashtu është duke përdorur edhe propagandën mediale për të justifikuar rikthimin e saj në terren.
Në terren, Beogradi po ushtron presione të drejtpërdrejta ndaj serbëve në Kosovë, përjashtime nga puna, ndalim ndihmash financiare, dhe forma të ndryshme frikësimi, që në disa raste kanë përfunduar me dhunë, si rasti i sulmit ndaj Millan Vukashinoviq-it. Në këtë fushatë, rol aktiv po luan edhe Kisha Ortodokse Serbe, e cila shfaqet si bashkëpunëtore në procesin e kontrollit politik mbi komunitetin serb”, thotë ai.
Kuçi tha se emërimi i Sreqko Spasiqit në krye të “Organit të Përkohshëm Komunal të Vitisë” tregon përpjekjet e Beogradit për të rikthyer strukturat paralele në Kosovë.
Sipas tij, Serbia po zhvillon një luftë hibride — në terren përmes strukturave ilegale dhe në media përmes propagandës — duke provokuar tensione dhe më pas paraqitur veten si viktimë.
Ai theksoi se Kosova duhet të reagojë me qetësi, ligjërisht e diplomatikisht, duke informuar aleatët ndërkombëtarë dhe shmangur provokimet.
“Emërimi i Sreqko Spasiq-it në krye të të ashtuquajturit “Organ i Përkohshëm Komunal i Vitisë” tregon qartë përpjekjet e Beogradit për të rikthyer strukturat paralele në Kosovë. Spasiq, i cili më parë u tërhoq nga gara në Kllokot për të mbështetur Listën Serbe, tani po përdoret si figurë simbolike për të legjitimuar këto struktura ilegale. Paralelisht, Lista Serbe ka nisur një fushatë propagandistike për t’i mbrojtur këto veprime, përmes deklaratave si ajo e nënkryetarit Dragisha Milloviq, që pretendon se “presin sulme nga institucionet e Kosovës”.
Kjo është një luftë e pastër hibride që po zhvillohet në dy fronte. Në terren nëpërmjet strukturave paralele dhe në media duke manipuluar perceptimin publik. Pra, Beogradi provokon dhe krijon tensione dhe pastaj vepron në rolin e viktimës për të frenuar reagimin e Kosovës dhe për të përfituar nga heshtja ndërkombëtare, nën pretekstin e “rikthimit të serbëve në institucione”.
Megjithatë, Kosova nuk duhet të bjerë në këtë kurth. Reagimi duhet të jetë i qetë, ligjor dhe diplomatik, me njoftim të vazhdueshëm të aleatëve ndërkombëtarë dhe organizatave relevante. Shtimi i masave të sigurisë duhet të bëhet në mënyrë të qetë, pa rënë në provokime dhe pa u bërë pjesë e narrativës së Beogradit” – thekson ai.
Dashevci: Strukturat paralele janë mbyllur në Republikën e Kosovës
Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci tha se emërimi i Sreqko Spasiqit në komunën paralele të Vitisë është i pavlefshëm dhe pjesë e provokimeve të Serbisë në kuadër të luftës hibride ndaj Kosovës.
Ai theksoi se strukturat paralele janë mbyllur dhe se në një shtet sovran si Kosova nuk mund të ekzistojë asgjë ilegale.
“Qeveria e Serbisë provokon gjithmonë Republikën e Kosovës me atë që është ilegale dhe e pamundur në praktikë.
Kosova i ka të gjitha institucionet e saj të konsoliduara.
Emërimi i këtij personi në krye të komunës paralele të Vitisë,është thjeshtë e pa vlerë, e pamundur dhe vazhdë e provokimeve si pjesë e luftës hibride që e zhvillon Serbia kundrejt Republikës së Kosovës.
Strukturat paralele janë mbyllur në Republikën e Kosovës.
Unë mendoj që ky hap është përpjekje e radhës, pa asnjë vlerë e Beogradit dhe e shoh vetëm si provokim kinse për të ringjallur strukturat paralele në Kosovë, gjë që është absolutisht e pamundur të ndodhë në praktikë sepse nuk mund të ketë në praktikë diçka që është ilegale në një shtet të pavarur dhe sovran me organe të konsoliduara, legale, ligjore dhe legjitime” – përfundon ai.
Vlen të përmendet se strukturat paralele janë institucione që funksionojnë në Kosovë që nga paslufta, me mbështetje financiare dhe me direktiva nga Qeveria e Serbisë, e cila nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.