Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko në një bashkëbisedim me “Bota Sot” foli për rolin e Ukrainës në negociatat e paqes dhe për qëndrimet e saj ndaj planit amerikan prej 28 pikash.
Fillimisht, ai potencoi se Ukraina duhet të marrë pjesë në negociata, por që të vendos vija të kuqe dhe të mbrojë interesat e saj.
“Ukraina duhet të jetë pjesëmarrëse e plotë në çdo negociatë. Parimi ynë i palëkundur: asgjë për Ukrainën pa Ukrainën.
Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane janë partnerët tanë strategjikë dhe ne jemi mirënjohës për mbështetjen e tyre. Në të njëjtën kohë, Ukraina duhet të mbrojë interesat e saj dhe vijat e kuqe të përcaktuara qartë, dhe është përgjegjësia jonë t'ua përcjellim ato partnerëve tanë.
Paqja duhet të jetë rezultat i negociatave”, deklaroi ai.
Po ashtu, Goncharenko tha se bisedimet mund të bazohen në planin e propozuar të SHBA-së, mirëpo, duhet pas parasysh se disa pika janë të papranueshme për Ukrainën.
Madje, kërkoi që diplomacia të mbrojë interesat e Ukrainës në negociata, njëjtë siç mbrojnë territoret ushtarët në fushëbetejë.
“Plani i propozuar prej 28 pikash i SHBA-së mund të shërbejë si pikënisje për diskutime rreth paqes. Megjithatë, ka dispozita që janë të papranueshme për Ukrainën.
Kjo është arsyeja pse është e nevojshme një punë serioze diplomatike: të shpjegohet, përshtatet dhe këmbëngulet në qëndrimin tonë.
Ukraina duhet të mbrojë interesat e saj kombëtare në tryezën e negociatave po aq fort sa bëjnë ushtarët tanë në fushën e betejës”.
Ndër të tjera, deputeti ukrainas komentoi më gjerësish draft-marrëveshjen për garanci sigurie 10 vjeçare me SHBA-në.
Goncharenko rithekson faktin se Ukraina ka nevojë për garanci ligjërisht të detyrueshme nga lideri global.
“Vetëm neutraliteti që mbron vërtet Ukrainën është i pranueshëm.
Draft-marrëveshja përfshin garanci sigurie 10-vjeçare - dhe kjo është e rëndësishme. Garancitë e përhershme nuk respektohen kurrë plotësisht, ndërsa garancitë me afat kohor kanë një shans më të lartë për të qenë efektive.
Një pikë thelbësore për t'u mbrojtur është ratifikimi i garancive të sigurisë së SHBA-së nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara.
Ukraina nuk ka nevojë për memorandume të reja në stilin e Budapestit. Ne kemi nevojë për garanci ligjërisht të detyrueshme nga lideri global.
Ky është themeli për sigurinë tonë të ardhshme”, përfundoi Oleksiy Goncharenko për “Bota sot”.