Zogaj godet në 28 Nëntor: E çuditshme, Edi Rama...

Politika

Zogaj godet në 28 Nëntor: E çuditshme, Edi Rama...

Nga: N.E Më: 28 nëntor 2025 Në ora: 19:32
Foto ilustrim

Sot, shqiptarët kremtojnë 113-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, një ditë që ka hyrë në historinë kombëtare si themeli i shtetit modern shqiptar.

Më 28 Nëntor 1912, në Vlorë, Kuvendi Gjithëkombëtar ngriti flamurin kuq e zi dhe shpalli pavarësinë, duke i dhënë fund një periudhe të gjatë sundimi dhe duke hapur një kapitull të ri për kombin shqiptar. Shpallja e Pavarësisë ishte kulmi i një rruge të gjatë përpjekjesh, rezistence dhe sakrificash të shqiptarëve në mbrojtje të trojeve të tyre.

Vendimi i delegatëve të Vlorës jo vetëm që afirmoi të drejtën e shqiptarëve për vetëvendosje, por edhe sfidoi planet e monarkive ballkanike që synonin copëtimin e trojeve shqiptare. Ky moment historik i dha fund sundimit pesëshekullor osman dhe krijoi bazën për zhvillimin politik, kulturor dhe shoqëror të shtetit shqiptar. Pavarësia e vitit 1912 u arrit falë kontributit të figurave të Rilindjes Kombëtare, luftëtarëve dhe patriotëve që me penë e me armë trashëguan idealin e lirisë.

Në nder të kësaj feste, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka shpallur ditën e premte si ditë pushimi për administratën publike. MPB, përmes një njoftimi zyrtar, ka uruar qytetarët për Festën e Flamurit dhe të Pavarësisë.

Për Kosovën, 28 Nëntori ka një kuptim të veçantë e të shumëfishtë: shënon Ditën e Flamurit të Skënderbeut, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe përvjetorin e paraqitjes së parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Publicisti Skënder Zogaj, thotë se është fatkeqësi që festa e Flamurit që nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë londineze më 1912, në vazhdimësi, ndër të gjitha trevat shqiptare, në aspektin politik, i ka gjetur shqiptarët gjithnjë të përçarë e të ndarë.

Sipas tij, kulmi i turpit po ndodh sidomos ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

“Dita e flamurit – 28 Nëntori, është festa shpirtërore e të gjithë shqiptarëve kudo që janë nëpër botë, sepse flamuri kuqezi është simboli më i dashur dhe i përbashkët mbarëshqiptar që nga koha e Skënderbeut!

Është fatkeqësi që festa e flamurit, që nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë londineze më 1912, në vazhdimësi, ndër të gjitha trevat shqiptare, në aspektin politik, i ka gjetur shqiptarët gjithnjë të përçarë, të ndarë e të mbushur me urrejtje brenda vetes dhe kundër njëri-tjetrit, njësoj!

Kulmi i turpit po ndodh sidomos ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, të cilat i ka mbërthyer ndryshku i mosdurimit, në kohën kur e kanë rastin më të volitshëm në histori për të realizuar maksimumin e forcimit dhe të bashkimit kombëtar, pa të cilin kanë për të vazhduar të mbesin shtete jokonsistente, gjysmë shtete!”, deklaron Zogaj.

Image
Skënder Zogaj

Ai fajin ia lë udhëheqjeve, gjersa kritikon Ramën.

“Krejt kjo po ndodh për fajin e udhëheqjeve të pandërgjegjshme politike e shtetërore, në Kosovë e në Shqipëri, që janë shpallur shtete të lira e të pavarura, por nuk janë as të lira as të pavarura! Të dyja të ngjashme, “as mish as peshk” – Kosova qe 17 vjet, e Shqipëria 113 vjet!

Dhe kulmi i së keqes: anashkalimi dhe përbuzja reciproke Kosovë – Shqipëri, që harrojnë se janë motra, dhe shkojnë e miqësohen me armiqtë e përbetuar shekullorë – Serbinë e Greqinë, të cilat na kanë vrarë e djegur, na i kanë marrë me dhunë territoret, ndërsa ne u bëjmë elozhe! E çuditshme: Edi Rama e ka sharë mbretin Ahmet Zogu, sepse e ka dhënë Shën Naumin. E tash ky po tenton t’ia dhurojë Serbisë tërë veriun e Kosovës.

Kjo është e vërteta e trishtueshme edhe në këtë 28 nëntor; prandaj, nuk na mbetet tjetër pos të urojmë që kjo zallahi të përfundojë sa nuk është bërë tepër vonë!”, shprehet analisti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat