Në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, gjithsej 23 subjekte politike kanë dorëzuar online formularët e certifikimit. Në këtë listë përfshihen tri koalicione, 17 parti politike, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i vetëm i pavarur.
“Lëvizja Vetëvendosje!” këtë herë hyn në garë në një aleancë të zgjeruar, duke u bashkuar me GUXO-n, Alternativën dhe Partinë Shqiptare Demokristiane (PSHDK).
Ndërkohë, LDK, PDK, AAK dhe Nisma Socialdemokrate kanë zgjedhur të garojnë të vetme, pa partnerë koalicioni.
Koalicioni i shumëpërfolur mes LDK-së dhe Nismës nuk u konkretizua, ndërsa kjo e fundit u certifikua sot për pjesëmarrje në zgjedhje si një subjekt i vetëm.
Por, cili është synimi i subjekteve ish-opozitare me garën e tyre si të vetme në zgjedhjet e 28 dhjetorit?.
Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” foli analisti politik Zejnullah Jakupi. Sipas tij, kur partitë garojnë bashkë në koalicion parazgjedhor, askush nuk e di saktë sa vota ka sjell secila, prandaj garimi “solo” është strategji e tyre për ta ditur se ku janë para elektoratit.
Gjithashtu, Jakupi këtë veprim e lidh edhe me pazaret paszgjedhore për koalicione të mundshme.
“Prandaj, nëse synojnë: të dinë peshën e tyre reale elektorale, të kenë legjitimitet më të fortë në negociatat poste-ndarëse, të tregojnë forcë ndaj partnerëve të mundshëm, atëherë dalja veçmas është për ta testuar veten.
Kjo i ndihmon shumë në pazaret e pas-zgjedhjeve, sepse mund të thonë: “Ne kemi X vota vetë, prandaj na takon ky pozicion.”
Kur partitë dalin të vetme: Nuk u duhet të deklarojnë paraprakisht me kë do të lidhen, mund të negociojnë pas rezultatit me kushdo që u jep më shumë përputhje ose përfitim politik, shmangin kufizimet dhe kompromiset e një koalicioni të paracaktuar.
Pra, dalja të vetmuar i bën më fleksibë, i bën më të “lira” të hyjnë në çfarëdo koalicioni, në varësi të rrethanave pas zgjedhjeve”, thotë Jakupi.
Kështu, ai shprehet se kur partitë garojnë të vetme, votuesi shikon: Listën e kandidatëve, profilin e figurave, dallimet programore, ofertën specifike etj, për dallim nga koalicionet.
“Koalicionet shpesh e zbehin këtë, sepse listat e përbashkëta: Mbushen me emra nga shumë parti, humbasin identitetin, krijojnë pakënaqësi brenda secilës parti.
Duke dalë veç e veç, secila parti synon t’i thotë votuesit: “Na gjykoni për atë që jemi NE, jo si përzierje partish..
Nëse partitë ish-opozitare besojnë se: Kanë rritje në sondazhe, mund të marrin rol udhëheqës, atëherë garojnë veçmas që të provojnë se kush mund të kryesojë koalicionin e ardhshëm.
Kjo i ndihmon që pas zgjedhjeve të thonë: “Ne jemi subjekti me më shumë vota nga opozita.” Ne udhëheqim koalicionin, të tjerët na bashkohen.”, nënvizon ai.
I gjithë synimi sipas Jakupit është që pas zgjedhjeve të negociohet me pozita të forta.
“Pra, cila nga këto arsye qëndron?
Realisht: Të gjitha së bashku. Po, duan të fokusojnë votuesin në listat e tyre, duan liri maksimale për koalicione paszgjedhure. Po, duan të matin peshën reale. Po, duan të hyjnë në negociata me pozita me të forta.
Kjo është një strategji e zakonshme kur partitë mendojnë se: Mund të përfitojnë më shumë vetë sesa në një bllok parazgjedhor”, përfundon ai.