Listat e partive nën lupë – Analisti: Qytetarët duhet të...

Politika

Listat e partive nën lupë – Analisti: Qytetarët duhet të...

Nga: N.E Më: 10 dhjetor 2025 Në ora: 17:42
Foto ilustrim

Subjektet kryesore politike në Kosovë kanë bërë publike listat e tyre me kandidatë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor, duke u dhënë qytetarëve mundësinë të njihen me emrat që do të garojnë për ulëse në Kuvend.

Lista e Lëvizjes Vetëvendosje përbëhet nga 110 kandidatë për deputetë. Kryetari i partisë dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, kryeson listën, ndërsa ajo mbyllet me Salih Zyban, në vendin e 110-të.

Sipas VV-së, lista përfshin edhe figura të reja që synojnë të sjellin energji dhe perspektiva të reja në politikën vendore.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës e ka finalizuar listën e saj.

Ajo do të garojë me numrin 130, gjersa numrin e quan simbol të “bashkimit, stabilitetit dhe zhvillimit”.

Sipas njoftimit të partisë: Mbi 50 kandidatë janë të rinj në garën zgjedhore, përfaqësimi gjinor tejkalon kuotën ligjore, me 37 gra në listë.

Kandidatët sipas tyre, vijnë nga fusha të ndryshme profesionale, përfshirë akademinë, shëndetësinë, ekonominë, gazetarinë, diplomacinë dhe sigurinë.

Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës garon nën moton “Zgjedh Shpresën 123”, e udhëhequr nga kryetari i partisë Lumir Abdixhiku.

Në pjesën e parë të listës shihen emra me profil të lartë politik, anëtarë të Kryesisë së LDK-së dhe ish-ministra. Pjesë e dhjetëshes së parë është edhe Ukë Rugova, djali i ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Fundlista përfshin kandidatë të rinj dhe figura të reja politike, me Paris Gurin si emrin e fundit të listës.

Kurse, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës garon me numër 129 dhe në listën e saj të kryesuar nga lideri i partisë dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj, janë edhe politikanë të njohur e mera nga fusha e sigurisë dhe ushtrisë.

Edhe Nisma Socialdemokrate, ka publikuar listën e saj me kandidatët për deputetë nën numrin 122. Kryetari i kësaj partie e ka shoqëruar me publikimin me thirrjen: “Lista e kandidatëve për deputetë të Nismës, bashkë drejt fitores! VOTO 122!”

Analisti Skënder Zogaj, thotë se zgjedhjet e 28 dhjetorit janë sprova e re nga më të rëndësishmet.

Sipas tij, partitë politike për këto zgjedhje, nuk mendoj se i kanë planifikuar mirë qëllimet.

“Populli shqiptar i Kosovës po vazhdon të jetë në fazën e tranzicionit të vonuar, e kjo është periudhë e rrezikshme sepse, gjërat mund të ndryshojnë dhe Kosova të ndodhet në të papritura që e dëmtojnë qëllimin e paracaktuar shtetëror e kombëtar! BE, SHBA dhe NATO po vazhdojë të përkujdesen për popullin e Kosovës duke shpresuar se, do të dijë të vetëqeveriset, në profilin që e ka deklaruar! Çdo ndryshim i kursit të proklamuar do të jetë me pasoja të pariparueshme! Zgjedhjet e 28 Dhjetorit janë sprova e re nga më të rëndësishmet, sepse, Kosova është në pikën kritike të mosfunksionimit të shtetësisë, një vit pa shtet, kështu që shpresa është që këto zgjedhje të parakohshme, të dalin të mbara dhe të zhbllokohet shteti! Shpresa është e varur nga partitë politike dhe elektorati, që nuk guxojnë të gabojnë, se gabimi do të jetë i rëndë e me shumë pasoja! Partitë politike për këto zgjedhje, nuk mendoj se i kanë planifikuar mirë qëllimet!”, deklaron Zogaj.

Image
Skënder Zogaj

Sipas tij, mos planifikimi i mirë vjen nga listat e kandidatëve për deputetë.

Ai vëren ndryshime fare të vogla dhe sipas tij, ardhjet e reja në fakt nuk mund të quhen të reja.

“Të paktën kjo del nga listat e kandidatëve për deputet, që nuk janë dinjitore në kuptimi e shtetit, sepse, janë me shumë kalkulime, e kjo është me tagër të lartë për Kuvendin e ardhshëm, që përafërsisht do të ketë përbërje të njëjtë si ky i kaluari! Pra, ndryshimet do të jenë fare-fare të vogla, sepse, ardhjet e reja në fakt nuk mund të quhen të reja, nëse rikthehen 4-5 emra që kanë qenë të fortë para 15 vjetësh, por tash vijnë të konsumuar dhe aspak të rangut të fytyrave që e presin Kuvendin e ri. Se çfarë do të ndodh me partitë politike mendoj se është fare e pa rëndësime, sepse, elektorati nuk është mirë të votojë për siglat partiake por për cilësinë e kandidatëve pavarësisht nga ngjyra partiake! Të mos harrojmë se, mbi 50 për qind e deputetëve në disa nga legjislaturat e deritashme, kanë qenë nën nivelin e duhur profesional e intelektual! Kjo duhet të përfundojë sepse meritat "partizane" duhet të qëndisen me dekorata, por të hiqen nga institucionet vitale shtetërore! Dua të besoj dhe të shpresoj se elektorati kësaj here do të jetë i përgjegjshëm në votim!”, shton analisti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat