Montazhi që ‘tronditi’ Kosovën: Sulmi i rrezikshëm propagandistik ndaj Presidentes Osmani

Politika

Montazhi që ‘tronditi’ Kosovën: Sulmi i rrezikshëm propagandistik ndaj Presidentes Osmani

Arife Morina Nga Arife Morina Më 11 dhjetor 2025 Në ora: 10:01
Foto fake dhe foto origjinale

Ditëve të fundit, ka qarkulluar një fotografi montazh, në të cilën paraqitje presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, krah politikanëve serbë, Ana Brnabiq dhe Marko Gjuriq.

Kjo mori vëmendje të madhe dhe nxiti reagime të shumta, derisa u vu në pah rreziku nga montazhet e tilla dhe besueshmëria e materialeve mediatike.

Për këtë gjë, reagoi se dhe  Presidenca e Republikës së Kosovës ku e bëri të qartë se imazhi është plotësisht fake, dhe se është një montazh i ndërtuar që synon të krijojë konfuzion te publiku dhe të dëmtojë reputacionin e Presidentes.

“Një fotografi e manipuluar dhe e krijuar përmes mjeteve të inteligjencës artificiale po qarkullon në rrjete sociale, me qëllim të vetëm, denigrimin e Presidentes së Republikës së Kosovës dhe ushqimin e narrativave të fabrikuara që u shërbejnë agjendave të huaja.

Kjo pamje është FAKE, një montazh i ndërtuar që të krijojë konfuzion dhe ta dëmtojë figurën e Presidentes Osmani, e cila çdo ditë, me seriozitet, përkushtim dhe integritet institucional, mbron interesat e Kosovës dhe përfaqëson shtetin tonë me dinjitet në arenën ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Presidenca e cilëson publikimin e materialeve të tilla si një akt të ulët dhe të rrezikshëm, duke e lidhur atë me fushata të organizuara për përhapje të dezinformimit dhe përpjekje për të baltosur institucionet e shtetit.

Institucioni i Presidencës i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës dhe autoriteteve kompetente që të ndërmarrin masa ndaj përhapësve të këtyre dezinformatave, të cilat paraqesin rrezik për sigurinë publike, stabilitetin dhe institucionet e vendit.

Mekuli: Manipulimi si mjet politik: rreziku i ri për hapësirën shqiptare

E për këtë çështje, për “Bota sot” foli njohësi i medias, Gëzim Mekuli.

Image
Gëzim Mekuli

Si fillim, ai tha se rasti i presidentes Osmani nuk është rast i izoluar, derisa tha se ky është sinjal i qartë dhe shqetësues për realitetin e rremë dhe propagandat që po zhvillohen në vendin tonë.

“Shfaqja e fotografisë së manipuluar të Presidentes së Kosovës, një produkt i inteligjencës artificiale që e paraqet znj. Osmani pranë figurave të larta politike serbe, nuk është një incident i izoluar. Ky është një sinjal i qartë i mënyrës se si teknologjia e re po përdoret për operacione psikologjike, propagandistike, për destabilizim dhe për të fabrikuar realitete të rreme në hapësirën shqiptare.

Rasti është simptomë e një strategjie më të gjerë: përdorim i mjeteve teknologjike për të minuar besimin publik, për të delegjitimuar institucionet e Kosovës dhe për të krijuar turbullira politike të kontrolluara nga Serbia”, deklaroi ai.

E për këtë, Mekuli tha se ky rast duhet parë si një pjesë e propagandës serbe, derisa kujtoi një rast nga e kaluara.

Kjo është arsyeja pse duhet ta shohim këtë manipulim jo si "rast të izoluar", por si pjesë të një tradite të vjetër propagandistike serbe, të modernizuar me teknologjitë e inteligjencës artificiale.

Sa për kujtesë: që në vitin 1909, Dimitrije Tucoviqi shkruante: "Shqipëria është plot me agjentë dhe misionarë të këtyre shteteve, që po japin shuma të mëdha për blerjen e parisë e të bajraktarëve… Në 20 deri 30 vjetët e fundit në këto vise nuk qe asnjë lëvizje që nuk ishte në lidhje me planet politike të këtyre fuqive të huaja… Rëndësia e saj nuk është në fushën ekonomike, por strategjike dhe politike…"

Nëse ky tekst nuk do të kishte datë, kushdo që e lexon sot do të mendonte se flet për vitin 2025.

Kur lexojmë këtë shkrim mbi 100 vjet më vonë, kuptojmë se mjetet kanë ndryshuar, por logjika e ndikimit gjeopolitik serb ka mbetur e njëjtë. Atëherë veprohej me gazeta, agjentë dhe para për të blerë "parinë dhe bajraktarët"; sot veprohet me televizione, portale, rrjete sociale dhe produkte të AI-së”.

Krahas kësaj, njohësi tha se fotografia e bërë montazh e presidentes Osmani është sulm ndaj Kosovës.

Në këtë rast, ai tha se kjo propagandë e rrezikshme synon të godasë tri shtylla kryesore të vendit tonë, derisa zbërtheu secilën prej tyre,

“Fotografia e manipuluar e Presidentes është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj shtetit të Kosovës

E thash edhe më sipër se qarkullimi i fotografisë së manipuluar të Presidentes së Kosovës, Osmani, ku ajo paraqitej pranë Vuçiçit dhe Brnabiqit, nuk është as hajgare, as montazh i padëmshëm, as lojë e rrjeteve sociale. Është një operacion propagandistik i mirë-koordinuar serb, i cili synon të godasë tre shtylla thelbësore:

1. Besimin ndaj institucioneve

Fotomontazhi nuk synon fytyrën e Presidentes; synon besimin e publikut, duke sugjeruar se udhëheqja është e infiltruar, e lidhur me Serbinë ose po bëjnë tradhti kombëtare. Këtu edhe fillon erozioni i rendit politik.

2. Stabilitetin e brendshëm

Në një shoqëri të polarizuar nga mediat helmuese, një fotografi e rreme ndez polemika, krijon tensione dhe ushqen dyshime. Serbia e di fort mirë se destabilizimi politik i Kosovës nuk fillon me tanke, por me media, fotografi dhe fjalë të rreme, apo jo?

3. Perceptimin ndërkombëtar

Një gjë duhet ta dimë; edhe kur dezinformimi demaskohet, dëmi fillestar mbetet: krijon dyshime në qarqe diplomatike dhe zbeh imazhin e lidershipit të Kosovës”, sqaroi Mekuli ndër të tjera”.

Për fund, shtoi se, “E ky marifet nuk është i ri; Serbia ka traditë shekullore të përdorimit të propagandës për të krijuar fotografive të përpunuara nga IA dhe mediave të kontrolluara nga Serbia”.

Burjani: Organet kompetente duhet të marrin masa dhe të zbulojnë individët apo grupet e shumta të njerëzve që punojnë kundër shtetit

Ndërsa, juristi Blerim Burjani e sheh shqetësues këtë zhvillim, derisa tha se rasti me manipulim me foto të presidentes është një vepër e dënueshme me ligj.

Image
Blerim Burjani

Po ashtu, ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” tha se sulmet e tilla ndaj krerëve të shtetit dhe zyrtarëve tjerë janë alarmante.

“Ajo që po ndodh është kundër Presidentes. Kjo mund dhe duhet të cilësohet si vepër e dënueshme me ligj. Komprometimi që po bëhet përmes propagandës dhe sulmet kundër figurave politike në Kosovë janë shqetësuese. Kjo po u ndodh shumë individëve, jo vetëm politikanëve, por edhe figurave të larta të kulturës dhe gazetarëve hulumtues”, u shpreh ai.

Krahas kësaj, juristi kërkoi të merren masa të rrepta nga organet e drejtësisë për këtë rast.

“Organet kompetente duhet të marrin masa dhe të zbulojnë individët apo grupet e shumta të njerëzve që punojnë kundër shtetit dhe kundër përfaqësuesve politikë të popullit”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat