Në fund të muajit të kaluar është shënuar një vjetori i sulmit shpërthimit në kanalin Ibër-Lepenc, në fshatin Varragë.
Por, vetëm pak javë më vonë, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor 2024.
Prokuroria Speciale akuzon Jovan Viçentijeviqin, vëllain e tij Dragishën dhe Igor Dimoviçiqin.
Ajo çfarë vlen të ceket është se Jovan Viçentijeviq, një i graduar me titullin toger në Ushtrinë e Serbisë.
“J.V. dhe D.V., akuzohen se lëndën shpërthyese e kanë aktivizuar përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, ku si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit të kanalit Ibër-Lepenc, është shkaktuar ndërprerje e furnizimit me ujë të pijshëm, është rrezikuar prodhimi i energjisë elektrike dhe ndërmarrjes Ibër-Lepenc i është shkaktuar dëm në vlerë prej 376,774.70 eurosh”, thuhet në njoftimin për media të Prokurorisë.
Ky veprim i Prokurorisë është mirëpritur nga ekspertët, të cilët theksojnë rëndësinë e një qasjeje të drejtë dhe të bazuar në fakte. Sipas tyre, ky rishikim reflekton një vlerësim serioz të rrezikut që paraqet Serbia për sigurinë rajonale dhe zbatimin e ligjit.
Halilaj: Koordinimi ndërinstitucional garanton sigurinë e vendit
Avokati Gazmend Halilaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se ngritja e aktakuzës ndaj tre personave për shpërthimin në kanalin “Ibër–Lepenc” është një zhvillim i rëndësishëm juridik dhe për sigurinë kombëtare. Ai ka përmendur seriozitetin e veprave penale të akuzuara, duke përfshirë terrorizmin, spiunazhin dhe armëmbajtjen pa leje, që kërcënojnë infrastrukturën strategjike të vendit.
“Akti i ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ndaj tre të pandehurve J.V., D.V. dhe I.D., për shpërthimin e ndodhur në kanalin “Ibër–Lepenc”, përbën një zhvillim të rëndësishëm jo vetëm në aspektin juridik, por edhe në planin e sigurisë kombëtare. Veprat penale që u vihen në barrë – nga “Rrezikimi i rendit kushtetues”, “Kryerja e veprës terroriste”, “Armëmbajtja pa leje”, e deri te “Spiunazhi” – dëshmojnë për seriozitetin dhe shkallën e lartë të rrezikut që këto veprime kanë paraqitur për integritetin e infrastrukturës strategjike të vendit.
Hetimi i kryer në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Kundër Terrorizmit – dhe partnerët evropianë, tregon se institucionet tona të sigurisë po funksionojnë në standarde të avancuara profesionale dhe se veprimi i koordinuar ndërinstitucional është i aftë të zbardhë edhe rastet më të ndërlikuara. Ky fakt duhet vlerësuar si një dëshmi e pjekurisë institucionale të Kosovës dhe e gatishmërisë së saj për të garantuar sigurinë e territorit dhe qytetarëve të vet.
Për më tepër, informata se njëri nga të akuzuarit është kolonel serb i rekrutuar, e ndërlidh këtë rast me struktura të cilat historikisht kanë operuar në funksion të destabilizimit të Kosovës. Ky element përforcon dyshimet se veprimet e tilla nuk janë akte të izoluara kriminale, por pjesë e një veprimtarie që ka prapavijë të qartë politike dhe të sigurisë”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Halilaj ka potencuar se aktakuza tregon vendosmërinë e Kosovës për të mbrojtur integritetin territorial,, duke shtuar se askush nuk është mbi ligjin.
“Tregon vendosmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për të mbrojtur integritetin territorial, stabilitetin kushtetues dhe infrastrukturën kritike të shtetit. Tregon gjithashtu se askush nuk është mbi ligjin, pavarësisht prejardhjes, gradës apo funksionit. Ky është një sinjal i qartë se shteti po konsolidon sovranitetin e tij përmes sundimit të ligjit”, është shprehur ai.
Sipas tij, rasti tregon nevojën që partnerët ndërkombëtarë të rishikojnë tolerancën ndaj veprimeve të strukturave serbe që destabilizojnë Kosovën.
Ai ka potencuar se Kosova po vepron në mënyrë profesionale dhe se duhet të trajtohet si partner i barabartë në rajon.
“Ky rast duhet të shtyjë partnerët ndërkombëtarë të rishqyrtojnë mënyrën se si e trajtojnë vazhdimisht tolerimin e strukturave të Serbisë që veprojnë brenda ose kundër Republikës së Kosovës. Kur në një rast penal paraqiten elementë të spiunazhit, akte terroriste dhe përfshirje të personave me gradë ushtarake nga Serbia, komuniteti ndërkombëtar duhet të marrë më seriozisht ndikimin destabilizues që Serbia vazhdon të ushtrojë në rajon.
Ndryshimi i qasjes nënkupton qasje më të drejtë, më të balancuar dhe më të bazuar në fakte – duke mbështetur institucionet e Kosovës dhe duke kërkuar llogaridhënie nga Beogradi për veprime që bien ndesh me sigurinë rajonale.
Në këtë kontekst, Kosova po dëshmon se është palë konstruktive, profesionale dhe e orientuar drejt sundimit të ligjit. Prandaj është koha që edhe bashkësia ndërkombëtare ta trajtojë Kosovën si partner të barabartë dhe Serbinë si shtet që duhet të përgjigjet për veprimet e aktorëve të saj destabilizues”, ka deklaruar Halilaj.
Racaj: Aktakuzat Dërgojnë mesazh të qartë për partnerët ndërkombëtarë
Kurse, Gjeneral Major, Prof. Dr. Muhamet Racaj, ka vlerësuar se ngritja e aktakuzave nga Prokuroria Speciale e Kosovës ndaj tre personave, është një zhvillim i rëndësishëm për sigurinë kombëtare, luftën kundër terrorizmit dhe drejtësinë tranzicionale.
Sipas tij, ky veprim tregon kapacitet profesional dhe të pavarur të institucioneve të Kosovës, bashkëpunim efektiv ndërkombëtar, dhe përputhshmëri me standardet euroatlantike, duke e bërë Kosovën një kontribuese aktive në sigurinë rajonale.
“Veprimi i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për ngritjen e aktakuzave ndaj tre personave të përfshirë në shpërthimin e kanalit Ibër-Lepenc – ndër të cilët rezulton të jetë edhe një kolonel serb i rekrutuar – si dhe aktakuzat e ndara për krime lufte kundër dy pjesëtarëve të policisë serbe nga viti 1998–1999, paraqet një zhvillim të rëndësishëm në tri plane themelore: planin e sigurisë kombëtare, planin e luftës kundër terrorizmit, dhe planin e drejtësisë tranzicionale ndërkombëtare.
Ky veprim konfirmon kapacitetin e shtetit të Kosovës për hetim profesional dhe të pavarur
Aktakuzat janë ngritur pas një hetimi të përbashkët mes Prokurorisë Speciale, Policisë së Kosovës – Drejtorisë Kundër Terrorizmit, si dhe partnerëve evropianë. Ky bashkëveprim është tregues i rëndësishëm i tri elementeve:
• Institucionet e sigurisë së Kosovës kanë kapacitet real operacional dhe analitik për të hetuar akte që cenojnë rendin kushtetues dhe infrastrukturën kritike kombëtare.
• Bashkëpunimi ndërkombëtar funksionon, çka e rrit kredibilitetin e institucioneve tona në sytë e partnerëve të NATO-s dhe BE-së.
• Kosova po vepron në standardet euroatlantike të hetimit dhe ndjekjes penale, veçanërisht kur bëhet fjalë për veprat e natyrës terroriste dhe spiunazhit.
Kjo e konfirmon faktin se Republika e Kosovës nuk është konsumatore e sigurisë, por kontributdhënëse aktive në arkitekturën rajonale të sigurisë, gjë që unë e kam theksuar shpesh në analizat e mia të mëhershme”, ka vlerësuar ai.
Po ashtu, Racaj ka cekur se përfshirja e një koloneli serb në aktakuzë tregon rrezikun e depërtimit të strukturave serbe në veprime destabilizuese në Kosovë.
Ai ka zbuluar se Serbia përdor ish-pjesëtarë të aparatit të saj ushtarak e policor, duke e vazhduar praktikën e operacioneve hibride të viteve ’90, dhe instrumentalizon tensionet për presion politik dhe gjeostrategjik, në sinkron me qasjen e Rusisë.
Sipas tij, sulmet mbi Ibër-Lepenc janë veprime të mirëorganizuar dhe me qëllim destabilizimin, jo incidente individuale.
“Pjesëmarrja e një oficeri serb tregon rrezikun e depërtimit të strukturave të Serbisë në operacione destabilizuese
Fakti se në këtë aktakuzë figuron një kolonel serb i rekrutuar, nuk është ngjarje e izoluar. Ky rast tregon se:
• Serbia vazhdon të përdorë strukturat joformale dhe operative, përfshirë ish-pjesëtarë të aparatit të saj ushtarak e policor, për të ndërmarrë veprime destabilizuese në Kosovë.
• Ekziston vijimësi strategjike midis praktikave të viteve ’90 dhe operacioneve hibride të Serbisë sot – një narrativë që e kam trajtuar edhe në analizat mbi sigurinë euroatlantike dhe luftën hibride në Ballkan.
• Serbia po e instrumentalizon tensionin si mekanizëm presioni politik dhe gjeostrategjik, të sinkronizuar me qasjen e Federatës Ruse në rajon.
Aktet sabotatore mbi Ibër-Lepenc, një infrastrukturë jetike hidrike dhe energjetike, kanë karakteristikat e një veprimi të mirë organizuar me qëllim destabilizimi, dhe jo të një akti individual”, ka deklaruar ai.
Më tej, Racaj ka shtuar se rasti i aktakuzave duhet të nxisë rishikimin e qasjes ndërkombëtare ndaj Serbisë, duke e konsideruar atë si faktor të qëllimshëm destabilizues, i sinkronizuar me politikën agresive të Rusisë, dhe jo vetëm si “aktor problematik”.
Ai ka nënvizuar se Kosova, përmes veprimeve të Prokurorisë Speciale, tregon se garanton rend, siguri dhe drejtësi.
“Ky rast duhet të nxisë rishikim të qasjes ndërkombëtare ndaj Serbisë.
Ky rast, i mbështetur në prova të hetuara në bashkëpunim ndërkombëtar, duhet t’i bëjë partnerët euroatlantikë të rishikojnë disa elemente të trajtimit të Serbisë:
• Diskursi i deritanishëm i “neutralitetit të paanshëm të Serbisë” nuk qëndron më, sepse aktet në terren tregojnë involvim aktiv të strukturave të saj në rajon.
• Serbia, duke qenë e sinkronizuar me politikën agresive të Rusisë, nuk mund të trajtohet vetëm si akter “problematik”, por si faktor i qëllimshëm destabilizues.
• Qasja ndërkombëtare duhet të kalojë nga “menaxhimi i krizave të prodhuara nga Serbia” tek parandalimi i veprimeve të saj hibride dhe subversive.
Kosova, me këto veprime të Prokurorisë Speciale, po tregon se është shtet që garanton rend, siguri dhe drejtësi – ndërsa Serbia po ekspozohet si burim rreziku rajonal.
4. Aktakuzat për krime lufte: drejtësi e vonuar, por e domosdoshme
Ngritja e aktakuzave ndaj ish-pjesëtarëve të policisë serbe për krime lufte në Rahovec dhe Suharekë është dëshmi e qëndrueshmërisë së institucioneve tona për të mos lejuar asnjanësimin historik të krimeve të kryera në Kosovë.
Ky veprim:
• përforcon pozitën morale dhe ligjore të Kosovës në arenën ndërkombëtare;
• afirmon faktin se drejtësia për viktimat është proces që nuk mund të ndalet nga mosbashkëpunimi i Serbisë;
• i kthen në qendër të vëmendjes krimet e dokumentuara të aparatit shtetëror serb.
Mbajtja e gjykimit në mungesë është mjeti i vetëmbrojtjes ligjore të Kosovës, përballë refuzimit sistematik të Serbisë për të ekstraduar kriminelët e saj të luftës”, ka thënë ai.
Në fund, Racaj ka potencuar se qasja ndaj Serbisë duhet të bazohet në prova konkrete dhe në rrezikun gjeostrategjik, veçanërisht për shkak të veprimeve hibride të Rusisë në Ballkan.
“Të dy aktakuzat – ajo për shpërthimin e Ibër-Lepencit dhe ajo për krime lufte – dërgojnë një mesazh të qartë për partnerët ndërkombëtarë:
Kosova është shtet serioz, i pjekur dhe kredibil në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe krimeve të luftës. Serbia, në anën tjetër, po tregon se përmes strukturave të saj të vjetra po vazhdon të rrezikojë paqen dhe stabilitetin në rajon.
Prandaj, qasja ndaj Serbisë nuk mund të mbetet e njëjtë – ajo duhet të bazohet në prova konkrete, në sjelljen e saj reale dhe në rrezikun gjeostrategjik që ajo paraqet, sidomos në kontekstin e avancimit të veprimeve hibride të Rusisë në Ballkanin Perëndimor”, ka përfunduar Rracaj.