Zhbllokim gradual i fondeve evropiane/ Politologu: Sinjal pozitiv nga BE-ja për Kosovën

Politika

Zhbllokim gradual i fondeve evropiane/ Politologu: Sinjal pozitiv nga BE-ja për Kosovën

Nga: A.M. Më: 21 dhjetor 2025 Në ora: 14:01
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen nga samiti BE-Ballkan

Politologu Ramadan Gjanaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka vlerësuar se deklaratat për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës deri në janar 2026 janë sinjal politik pozitiv, por procesi mbetet i kushtëzuar.

Ai ka theksuar se masat u vendosën me konsensus të 27 shteteve dhe heqja e tyre kërkon unanimitet, ndërsa besimi i disa vendeve anëtare ndaj Kosovës është lëkundur, të cilat tradicionalisht kanë pasur marrëdhënie të afërta me Serbinë.

“Deklaratat e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe të Presidentes së Kosovës, sipas të cilave masat evropiane ndaj Kosovës pritet të hiqen plotësisht deri në fund të janarit 2026, përbëjnë një sinjal politik pozitiv dhe një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Ato ofrojnë një kornizë më të qartë kohore, por nuk e ndryshojnë natyrën thelbësisht të kushtëzuar të këtij procesi.

Masat e Bashkimit Evropian u vendosën pas përshkallëzimit të tensioneve në veri të Kosovës dhe u miratuan unanimisht nga të 27 shtetet anëtare. Po ashtu, edhe heqja e tyre e plotë mbetet e varur nga konsensusi i të gjitha vendeve anëtare. Një deklaratë politike për një afat nuk e zëvendëson këtë realitet institucional, sidomos në një kontekst ku besimi i disa shteteve anëtare ndaj Kosovës është lëkundur me kalimin e kohës, përfshirë vende si Franca dhe Italia, të cilat tradicionalisht kanë pasur marrëdhënie të afërta me Serbinë”, ka thënë ai.

Po ashtu, Gjanaj thekson se lehtësimi i masave ka rëndësi financiare, pasi mundëson zhbllokimin gradual të fondeve evropiane, ndërsa vazhdimi i tyre do të sillte vonesa në projekte zhvillimore.

Image
Politologu Ramadan Gjanaj

 “Lehtësimi i masave ka edhe një dimension të rëndësishëm financiar, pasi ai përfshin zhbllokimin gradual të disa fondeve evropiane për Kosovën. Ruajtja e masave do të kishte shumë gjasa të sillte jo anulimin, por shtyrjen e disbursimit të këtyre fondeve, potencialisht edhe për një vit ose më shumë, duke krijuar vonesa në projekte zhvillimore dhe duke dobësuar koherencën e politikës së BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor. Në anën tjetër, edhe në planin politik, vazhdimi i masave ishte gjithnjë e më pak i justifikueshëm, veçanërisht pas zhvillimit të rregullt të zgjedhjeve lokale dhe vendosjes së kryetarëve të rinj në komunat me shumicë serbe.

Megjithatë, një nga çështjet qendrore që vazhdon të ndikojë në perceptimin e Kosovës lidhet me efektivitetin e autoritetit shtetëror në veri të vendit. Veprimet e Lista Srpska-s shpesh perceptohen jo vetëm si përfaqësim politik i komunitetit serb, por edhe si përpjekje për bllokim institucional, të cilat e vështirësojnë funksionimin normal të institucioneve të Kosovës dhe zbatimin e ligjit në atë pjesë të territorit”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, vetëm përmes përparimit në dialog, përmirësimit të marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërtimit të institucioneve funksionale, Kosova mund të sigurojë që lehtësimi i masave të jetë i qëndrueshëm dhe i besueshëm.

“Nga perspektiva e së drejtës ndërkombëtare, fakti që ligjet dhe vendimet e miratuara në Prishtinë zbatohen vetëm pjesërisht, ose kërkojnë ndërhyrje të vazhdueshme të forcave të sigurisë për t’u zbatuar, e ushqen narrativën se Kosova nuk ushtron plotësisht dhe në mënyrë të qëndrueshme sovranitetin e saj në të gjithë territorin. Ky “argument” shfrytëzohet jo vetëm nga Serbia, por edhe nga disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e njohin Kosovën, për të vënë në dyshim funksionalitetin dhe qëndrueshmërinë e shtetit kosovar.

Për këtë arsye, sfida e adresimit të veprimeve bllokuese dhe e forcimit të autoritetit shtetëror në veri nuk është çështje e një qeverie të caktuar, por përgjegjësi afatgjatë e vetë shtetit të Kosovës. Afati i përmendur për heqjen e plotë të masave duhet parë si një dritare mundësie dhe jo si një garanci. Vetëm përmes përparimit real në dialog, përmirësimit të marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërtimit të mekanizmave institucionalë funksionalë dhe të qëndrueshëm, Kosova mund të sigurojë që lehtësimi i masave – përfshirë përfitimet financiare – të jetë i qëndrueshëm, i besueshëm dhe i pakthyeshëm”, ka përfunduar Gjanaj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat