Gëzim Mekuli, njohës i shkencave të mediave dhe retorikës, i cili njëhkohësisht jeton ën Norvegji, në një prononcim për gazetën “Bota sot” foli në lidhje me ndikimin e votës së diasporës në zgjedhjet e reja parlamentare të 28 dhjetorit.
Fillimisht, ai vlerësoi lartë rolin e diasporës shqiptare, derisa tha se përveç si faktor ekonomik, tani është shndërruar edhe në një akter të gjeopolitikës shqiptare.
“Ndikimi i diasporës në zgjedhjet e 28 dhjetorit është real, i matshëm dhe politikisht domethënës. Diaspora shqiptare nuk është më vetëm një faktor ekonomik përmes remitencave, por është shndërruar në një aktor aktiv të gjeopolitikës shqiptare në Kosovë. Ardhja masive e mërgimtarëve nuk duhet parë thjesht si rritje numerike e votuesve, por si rritje cilësore e elektoratit.
Diaspora shqiptare është sot kryesisht e arsimuar, e integruar në shoqëri demokratike perëndimore dhe e ekspozuar për vite me radhë ndaj standardeve të demokracisë funksionale: shtetit të së drejtës, gjykatave të pavarura, mediave të lira dhe konceptit të shtetit të mirëqenies. Kjo përvojë e bën diasporën një trup votues kritik, racional dhe më pak të ndikuar nga klientelizmi lokal, frika nga punëdhënësit apo presioni i strukturave partiake”.
Kësisoj, Mekuli theksoi se, dispora do ndikojë në renditjen e partive në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Madje, ai analizoi edhe mobilizimin e mërgatës për këto palë zgjedhje, duke e krahasuar me atë të kohës së luftës.
Për këtë, ai përmendi faktin, se tani rreziku nuk është ushtarak në kuptimin klasik, por institucional dhe shtetëror.
“Si e tillë, diaspora mund të ndikojë drejtpërdrejt në ndryshimin e renditjes dhe përqindjes së partive politike. Ajo ka potencial të thyejë balanca të konsoliduara artificialisht përmes rrjeteve patronazhuese dhe të forcojë forcat politike që promovojnë reforma reale, sundim të ligjit dhe çrrënjosje të korrupsionit; si pasqyrë kemi pastrimin e veriut të Kosovës nga bandat politike -kriminele serbe, shtimin e vendeve te punës gjithandej nëpër Kosovë, lufta ndaj korrupcionit, fuqizimi i ushrisë e tjera suksese tjera .
Ju pyesni a mund të krahasohet ky mobilizim i diasporës me periudhën e luftës së Kosovës 1998-99? Po, në aspektin e mobilizimit dhe vetëdijes kolektive, kjo ringjallje e mërgimtarëve është e krahasueshme me periudhën e luftës së Kosovës. Në vitet 1998-99, diaspora u riaktivizua fuqishëm për të mbështetur rezistencën politike, financiare dhe ushtarake të popullit shqiptar jo vetëm në Kosovë por edhe jasht saj. Sot, rreziku nuk është ushtarak në kuptimin klasik, por institucional dhe shtetëror”, shtjelloi njohësi.
Në vazhdim, ai konisderoi se diaspora po e transferon përvojën e saj demokratike perëndimore në Kosovë.
“Po shohim një rizgjim të mërgimtarëve sepse ekziston perceptimi i qartë se Kosova është e rrezikuar nga grupe banditeske politike dhe ekonomike që kanë ngulfatur parti politike, media, institucione dhe madje edhe organizata të shoqërisë civile (OJQ). Ky kapje e shtetit ka prodhuar zhgënjim të thellë tek mërgimtarët dhe ka nxitur diasporën të riaktivizohet për ta ndihmuar Kosovën, ashtu siç e ndihmoi në momentet më kritike të historisë së saj.
Ndryshimi kryesor është se sot lufta bëhet përmes votës, institucioneve, mediave dhe presionit demokratik, jo përmes armëve. Në këtë kuptim, diaspora po e transferon përvojën e saj demokratike perëndimore në hapësirën politike të Kosovës”.
Tutje, ai bëri edhe një thirrje, ku kërkoi dalje sa më të madhe në votime, për shkak se, vota është mënyra e vetme për të bërë ndryshimin dhe për të arritur zhvillimin e vendit.
Po ashtu, theksoi se diaspora nuk është vetëm “turiste”, por edhe pjesë përbërëse e Kosovës, ku me votën e mërgimtarëve ai pret të ketë një kthesë të madhe politike.
“Thirrja ime është e qartë dhe e drejtpërdrejtë: populli i Kosovës duhet të dalin masovikisht në votime dhe të mos lejojnë që frika, presioni nga punëdhënësit apo shantazhi ekonomik t’ua rrëmbejë të drejtën themelore demokratike. Vota është mjeti më i fuqishëm për çlirimin e Kosovës nga kapja e korruptuar politike, mediatike dhe ekonomike.
Diaspora po vjen sot jo si turiste, por si pjesë përbërëse e trupit të Kosovës, për ta mbështetur vazhdimin e ndryshimeve të Qeverisë Kurti dhe për ta forcuar demokracinë e brishtë në Kosovë. Ky është një moment historik ku bashkimi i votës së brendshme me votën e mërgimtarëve do të prodhojë një kthesë reale politike.
Ashtu si në vitet 1998–99, kur bashkimi i brendshëm dhe i jashtëm ishte vendimtar për çlirimin e Kosovës, edhe sot ky bashkim është kyç për shpëtimin e shtetit, institucioneve dhe së ardhmes demokratike të Kosovës”, potencoi ai.
Tutje, Mekuli komentoi edhe mundësinë e shpërndarjes së votës, ku beson se LVV ka shumicën e besimit të diasporës, kjo për shkak të politikave dhe qëndrimeve karshi Serbisë.
“Diaspora shqiptare ka rol të rëndësishëm në proceset politike të Kosovës, por pa e mbicmuar atë, duhet theksuar se lufta demokratike zhvillohet brenda vendit. Megjithatë, vota e mërgimtarëve ka treguar qartë një orientim politik: Lëvizja Vetëvendosje është forca e parë dhe më e mbështetura në diasporë.
Kjo nuk është rastësi. Diaspora është sot kryesisht e arsimuar, e formuar në shtete me demokraci funksionale dhe e ndjeshme ndaj korrupsionit, kapjes së shtetit dhe pazareve politike. Pikërisht këto fenomene kanë karakterizuar qeveritë e pasluftës në Kosovë: korrupsion të thellë, klientelizëm dhe marrëveshje të dëmshme me Serbinë, të bëra shpesh pa transparencë dhe në dëm të interesit të Kosovës.
Vetëvendosje ka fituar besimin e mërgimtarëve sepse përfaqëson një shkëputje të qartë nga kjo e kaluar. Ajo është identifikuar si forca politike që kundërshton korrupsionin industrial, refuzon kompromiset e dëmshme me Serbinë dhe insiston në sovranitet, reciprocitet dhe sundim të ligjit. Këto janë vlera që diaspora i njeh dhe i jeton çdo ditë në vendet ku jeton”.
Në fund, njohësi i medias dhe retorikes, potencoi se karshi rolit të diasporës, duhet të ketë edhe mobilizim të votës brenda Kosovës.
Kjo, pasi sipas tij, diaspora është pjesë e rëndësishme e zgjedhjeve, por që vazhdimi i proceseve do të jetë rezultat i ndërgjegjësimit të qytetarëve brenda Kosovës.
“Historikisht, mërgimtarët shqiptarë (nga VATRA, te shoqëritë e Bukureshtit e deri te mobilizimi gjatë luftës së Kosovës) gjithmonë kanë qenë në anën e ndryshimit dhe të interesit kombëtar. Edhe sot, kjo traditë po vazhdon përmes mbështetjes së qartë për Vetëvendosjen.
Megjithatë, nuk duhet harruar një parim thelbësor: lufta politike dhe demokratike zhvillohet brenda Kosovës. Në Kosovë është fuqia reale politike, aty është energjia shoqërore dhe aty merren vendimet përcaktuese. Diaspora ka rol aktiv dhe mbështetës, por nuk duhet mbiçmuar deri në atë masë sa të zëvendësojë vullnetin e popullit që jetojnë çdo ditë në Kosovë. Në fund të fundit, populli në Kosovë do të vendosë drejtimin politik të vendit, natyrisht së bashku dhe në bashkëveprim me mërgimtarët.
Po e nënvizoj edhe njëherë; diaspora është pjesë e rëndësishme e këtij procesi demokratik, por vazhdimi i proceseve pozitive do të jetë rezultat i ndërgjegjësimit dhe mobilizimit të qytetarëve brenda në Kosovë, të përforcuar (jo të zëvendësuar) nga mbështetja dhe pjesëmarrja masovike e mërgimtarëve. Kjo simbiozë mes popullit shqiptar brenda dhe diasporës shqiptare jasht është çelësi i një demokracie funksionale dhe i një ndryshimi të qëndrueshëm politik nëpër të cilën po kalon sot Kosova”, përmbylli Gëzim Mekuli për “Bota sot”.