Më 20 dhjetor u mbajt Kongresi i Pestë i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), i cili kishte si qëllim prezantimin e reformave brenda partisë dhe rifreskimin e strukturave drejtuese. Nga ky kongres, kryetari aktual, Ali Ahmeti, u rizgjodh për një mandat të ri, ndërsa Arbër Ademi u emërua Sekretar i Përgjithshëm dhe Nebi Rexhepi Sekretar Organizativ.
Nënkryetar i parë u zgjodh Bujar Osmani, ndërsa nënkryetarë të tjerë u emëruan Faton Ahmeti nga Tetova, Erkan Arifi nga Dega e Likovës, Arbana Pashollu nga Dibra dhe Arta Bilalli Zendeli nga Dega e Gostivarit.
Megjithatë, pas përfundimit të kongresit, nuk munguan reagimet kritike nga eksponentë të njohur të partisë. Valmir Aziri, ish-sekretar shtetëror i Kulturës dhe zyrtar i BDI-së në Tetovë, vuri në dyshim sinqeritetin e reformave të shpallura, ndërsa Abdul Selam Selami nga Komuna e Çairit shprehu pakënaqësi për mënyrën e organizimit të kongresit.
Analistët politikë shprehën kritika edhe më të ashpra. Sipas tyre, kongresi nuk solli reformat e premtuara, por vetëm zëvendësime figurash dhe një rotacion formal.
Kritikat pas kongresit tregojnë një qasje të përçarë brenda partisë dhe nxjerrin në pah nevojën për një transformim të thellë dhe përfshirje të figurave të reja, në mënyrë që BDI të lidhet më mirë me pritshmëritë e të rinjve dhe elektoratit të gjerë.
Shabani: Pa ndryshime thelbësore, BDI do të mbetet jashtë qeverisë
Lidhur me ketë, njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Amir Shabani, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se Kongresi i V-të i BDI-së nuk solli reformat e premtuara, por vetëm zëvendësime figurash.
“Kongresi i V-të i Bashkimit Demokratik për Integrim kishte për qëllim sjelljen e reformave partiake dhe politike, mirëpo nuk ndodhi asgjë më shumë sesa zëvendësimi i disa figurave aktive që kanë qenë në të kaluarën.
Si një organizatë politike e dalur nga lufta e 2001-shit dhe qëndrimi mbi dy dekada në pushtet, e ka bërë që të thellohet në krim dhe korrupsion, manipulime zgjedhore, nepotizëm në administratën e shtetit dhe pasurim mbi tenderë ilegal. Së fundmi, plasi sherri brenda partiak nga kongresi i tyre pasiqë sipas disa të pakënaqurve, vlerësimet e Ali Ahmetit ishin të padrejta dhe jo me meritokraci.
Kjo gjendje i jep më shumë të drejtë Izet Mexhitit, një lideri politik i cili në të kaluarën për shkak pakënaqësive të ngjashme, u largua nga BDI-ja dhe vazhdoi rrugëtimin e tij politik”, ka thënë ai.
Sipas tij, Ahmeti vazhdon të mendojë me logjikën e para më shumë se 20 viteve dhe sot flet për tema të vjetruara, pa hapësirë për ide të reja.
“Gjasat për reforma më të thella në BDI janë kur të zëvendësohet tërë garnitura e vjetër me figura të reja, të cilat do ofrojnë program dhe vizion të ri me atë parti politike, përndryshe, Ali Ahmeti do mbetet monarku i BDI-së deri në vdekje, akt aspak demokratik.
Pra, mendimi im është se z. Ahmeti akoma jeton në kohën kur për herë të parë u kyç në Qeverinë e RMV-së, para më shumë se 20 vite dhe vetëdija e tij është ngatërruar në atë periudhë. Ai ndoshta e ndjen në veten e tij se ajo për çfarë flet tani janë joreale dhe tema të harxhuara, por për shkak ngushtimit të hapësirës politike, ai nuk ka se çfarë flet tjetër”, është shprehur ai.
Gjithashtu, Shabani ka theksuar se të rinjtë, veçanërisht ata pas Marrëveshjes së Ohrit, nuk interesohen për temat e Ahmetit, por për kushte më të mira jetese, punësim, arsim, shëndetësi dhe institucione të depolitizuara.
“Pjesa dërmuese e të rinjve të vendit, sidomos ata që kanë lindur pas Marrëveshjes së Ohrit, aspak nuk ju interesojnë temat për të cilat i flet Ali Ahmeti. Qytetarët në përgjithësi, presin nga liderët politik që t'u ofrohen kushte më të mira jetese, stabilitet financiar dhe shoqëror, arsim cilësor, mundësi pune, depolitizim të institucioneve, shëndetësi cilësore etj.
Sa i përket folklorizmit të BDI-së, është diçka që i takon së kaluarës. Mungesa e kreativitetit, programit të mirëfilltë dhe qasjes sê figurave të reja në skenën politike – janë disa nga shkaqet që BDI-ja tani është në opozitë dhe nëse vazhdohet me këtë retorikë, pretendohet që të mbeten në opozitë për një periudhë më të gjatë kohore”, ka përfunduar Shabani.
Mehazi kritikon Kongresin e BDI-së: Ali Ahmeti duhej të largohej
I të njëjtit mendim si parafolësi, analisti politik, Sulejman Mehazi ka potencuar se Kongresi i Pestë i BDI-së dështoi sepse nuk solli ndryshime reale, por vetëm një rotacion formal.
Sipas tij, njerëzit e afërt të Ahmetit u tërhoqën përkohësisht në prapaskenë, ndërsa në skenë dolën figura të reja të lidhura me Artan Grubin, por me të njëjtën linjë politike të Ali Ahmetit.
“Kongresi i Pestë i BDI-së dështoi sepse nuk bëri atë që duhej të bënte, vetëm që bëri një qarkore rotacionesh formale duke zëvendësuar anëtarët e vjetër me anëtarë të ri të partisë. Anëtarët e vjetër apo miqtë e zemrës së Ali Ahmetit qëllimshëm vendosën të fshihen përkohësisht prapa perdes politike të BDI-së duke ua liruar vendin anëtarëve të rinjë, por me mendime e veprime të Ali Ahmetit.
Në Kongresin e mbajtur të BDI-së në Reçicë të Vogël vërehej hapur taktika politike e Ali Ahmetit që gjenerata e parë e BDI-së, apo miqtë e Ali Ahmetit: Musa Xhaferi, Blerim Bexheti, Talat Xhaferi, Teuta Arifi e të tjerë të ikin në prapaskenë për të dalur në skenë gjenarata e Artan Grubit në krye me Bujar Osmani, Arbër Ademi e të tjerë.
Rotacioni i anëtarëve në Kongresin e Pestë të BDI-së është që tani e tutje në front të parë të jenë miqtë e Artan Grubit, gjersa në prapaskenën politike të jenë miqtë e Ali Ahmetit”, ka thënë ai.
Po ashtu, Mehazi ka përmendur se pas Kongresit të BDI-së shpërthyen pakënaqësi te anëtarët e përjashtuar nga kryesia qendrore, veçanërisht te ata që ishin kundër rizgjedhjes së Ahmetit dhe rrethit të Artan Grubit.
“Pas përfundimit të Kongresit, pas rizgjedhjes së kryesisë së ngushtë të BDI-së shpërthyen pakënaqësitë e anëtarëve të cilët mbetën jashtë kryesisisë qendrore, këto pakënaqësi dolën nga grupi i tretë të cilët ishin, një, kundër rizgjedhjes së Ali Ahmet - kryetar, dy, ishin dhe kundër shokëve të Artan Grubit që u zgjodhën në krye të kryesisë qendror afër Ali Ahmetit.
E keqja e Kongresit të BDI-së është, se nuk u largua ai që duhej të largohej, Ali Ahmeti, i cili është fajtori kryesor për humbjen e BDI-së në zgjedhjet lokale të mbajtura në muajim tetor në RMV”, ka deklaruar Mehazi.