Më 28 dhjetor pritet të mbahen zgjedhjet nacionale në Kosovë. Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, ka folur për formimin e Qeverisë së ardhshme të Kosovës. Ai ka shprehur bindjen se qeveria e re do të krijohet nga partitë që në mandatin e kaluar ishin në opozitë.
“Nëse flas për preferencën time lidhur me Qeverinë e ardhshme, besoj se ajo duhet të formohet nga partitë që kanë qenë në opozitë gjatë mandatit të kaluar: PDK, LDK, AAK, si dhe përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë.”
Analisti Faton Mehmeti, në një prononcimpër “Bota sot”, vlerëson se deklarata e Bedri Hamzës përfaqëson pranim të strategjisë së bllokadës dhe jo një alternativë qeverisëse apo vizion për shtetin. Sipas tij, një koalicion i ish-opozitës, nëse VV del e para, do të nënkuptonte ribllokim të institucioneve dhe rikthim në krizë politike.
Ai thekson se PDK, LDK dhe AAK po bashkohen jo rreth reformave, por nga frika ndaj vazhdimit të qeverisjes aktuale.
“Deklarata e Bedri Hamzës nuk është as vizion për shtetin e as alternativë qeverisëse, por një pranim i hapur i strategjisë së bllokadës. Kur flitet për “qeveri të ish-opozitës” pa e marrë parasysh vullnetin e qytetarëve, atëherë kemi të bëjmë me një logjikë përjashtuese dhe jo demokratike.
Nëse VV del sërish e para në zgjedhje, siç po e pranon edhe vetë Hamza në mënyrë indirekte, atëherë një koalicion i tillë do të thotë ribllokim i shtetit, përsëritje e skenarëve të kaluar ku interesat partiake u vunë mbi stabilitetin institucional. Kjo nuk është zgjidhje, por rikthim në krizë të qëllimshme politike.PDK-ja, bashkë me LDK-në dhe AAK-në, duket se po rreshtohen jo rreth një programi, por rreth një frike të përbashkët nga vazhdimi i qeverisjes aktuale. Ky nuk është koalicion për reforma, por front për pushtet, ku qëllimi kryesor është përjashtimi i partisë që merr besimin më të madh qytetar”, tha ai.
Në fund, Mehmeti thekson se nuk po paralajmërohet stabilitet, por një qeveri artificiale e bazuar në pazare politike e jo në legjitimitet, duke vlerësuar se opozita ende nuk ka reflektuar dhe vazhdon ta trajtojë shtetin si pronë partiake, e jo si përgjegjësi ndaj qytetarëve.
“Pra, ajo që po paralajmërohet nuk është stabilitet, por një qeveri artificiale, e ndërtuar mbi numra dhe pazare, e jo mbi legjitimitet. Kjo qasje e opozitës është dëshmi se ajo ende nuk ka reflektuar, por vazhdon ta shohë shtetin si pronë politike dhe jo si përgjegjësi ndaj qytetarëve” – përfundon ai për “Bota sot”.