Mbështetja e fortë e LVV-së sfidon strategjinë e ish-opozitës

Politika

Mbështetja e fortë e LVV-së sfidon strategjinë e ish-opozitës

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 27 dhjetor 2025 Në ora: 23:04
Albin Kurti

Më 28 dhjetor do të mbahen zgjedhjet nacionale në Kosovë.

Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza ka folur për Qeverinë e ardhshme të Kosovës.

Ai u shpreh i bindur se kjo qeveri do të bëhet nga partitë ish-opozitare.

“Nëse më pyet për preferencën time për Qeverinë e ardhshme, unë besoj se ajo duhet të formohet nga partitë që mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë: PDK, LDK, AAK dhe komunitetet joshumicë.”

Mehmeti: Dëshirat për fitor janë të të gjithëve në zgjedhje

Image
Gani Mehmeti

Opinionisti Gani Mehmeti, në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025 u pritën me padurim, por edhe me pasiguri për fituesin.

Ai vë në dukje se kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, duket i sigurt se partia e tij do të dalë e para, megjithatë realizimi i premtimeve të tij mbetet i pasigurt.

Mehmeti shton se formimi i qeverisë pritet të jetë i vështirë, sidomos për shkak të ndarjes në dy blloqe dhe roli vendimtar i Listës Serbe, duke paralajmëruar se rezultatet mund të ngjajnë me ato të zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, ku asnjëri bllok nuk mund të formojë qeveri pa mbështetjen e saj. Ai thekson rëndësinë e krijimit sa më shpejt të institucioneve për qytetarët dhe ndërkombëtarët.

“Më në fund, pas një kërkese bukur të kahmotshme gjatë gjtihë vitit 2025, zgjedhjet e parakohshme apo të jashtëzakonshme, si të duash i quajmë, erdhën. Ato arritën në funsdin e vitit 2025, që do të mbahen këtë të dielë, më 28 dhjetor.

E vërteta është se ato u pritën me padurim, por edhe me një drojtje se kush do dalë i pari. Secili kandidat për kryeministër dëshiron të dalë partia e tij e parë. Dhe tani, edhe pse nuk i dihet, sepse vota nuk varet prej kandidatëve për kryeministër, por prej votuesëve.

Ndoshta është për t’u habitur se si kryetari i PDK, Bedri Hamza është disi aq i sigurtë në vete se do dalë partia e tij e parë në këto zgjedhje, sa edhe bën plane e jep premtime të pambuluara, në pamundësi për t’u realizuar, sikur buxheti i Republikës së Kosovës të jetë edhe me dhjetëra miliarda euro. Kjo le të mbetet një dëshirë e madhe e tij, por sa do i realizohet dëshira, mbetet për të parë pas mbylljes së procesit zgjedhor më 28 dhjetor 2025. Bedri hamza është aq i bindur se qeveria në ardhje do bëhet nga partitë ish-opouzitare. Dhe kjo, do të ishte pakashumë si e mundshme, sikur të mos ishin dhjetë deputetët e Listën Serbe, për çka do të fitonte njëri bllok – ose LVV-ja ose PDK, LDK, AAK bashkë.

Sikur të mos ishin ndarë në dy blloqe, do bëhej disi më lehtë, do të lëviznin partitë andej e këndej. Por, ka gjasa të kemi të njëjtin rezultat të zgjedhjeve me ato të 9 shkurtit të këtij viti, ku asnjëri bllok nuk do të mund të formojë qeverinë pa Listen Serbe. Kjo do e vështirësojë formimin e qeverisë. Për qytetarët e Kosovës ashtu edhe për ndërkombëtarët me rëndsësi do të ishte që të formohen institucionet, se edhe u bëmë hor edhe mbetëm keq pa qeverisje të vendit në mënyrë të ligjshme”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Mehmeti thekson se partitë kanë premtime të mëdha, por qytetarët janë të dyzuar për shkak të përvojave të mëparshme me mashtrime pas shpalljes së Pavarësisë. Ai vëren se LVV-ja pëlqehet më shumë, pasi ka qeverisur vetëm një mandat dhe shpresohet për përmirësim, ndërsa partitë opozitare kanë humbur besimin e votuesve.

Sipas tij, rezultatet mund të ngjajnë me zgjedhjet e 9 shkurtit, ose LVV-ja mund të fitojë lehtë për të formuar institucionet, përfituar edhe nga zhvillimet e fundit në mbrojtjen e vendit dhe politikat e saj.

“Të gjitha partitë kanë premtime marramendëse, të gjitha tregojnë se si do të qeverisin, por nuk është hera e parë që ne mashtrohemi, dhe kjo ngjet kryesisht prej pas Shpalljes së Pavarësisë, ku vazhdimisht populli është mashtruar, sepse nuk është punuar shumë për shtet, më shumë është bërë për partitë e ardhura në pushtet. Kështu, votuesit e kanë një dymendje të madhe se kë duhet ta votojnë.

Edhe nëse LVV-ja nuk ka punaur mjaft, shihet se më shumë pëlqehet kjo lëvizje, më shumë për arsyen se ka qeverisur vetëm një mandat, e shpresa mbetet se do të bëhet më mirë me LVV-në  në mandatin e dytë, se sa me partitë tjera që ishin më gjatë në pushtet.

Gjithsesi, ose do dalë rezultati i ngjashëm me ato të 9 shkurtit të këtij viti, ose do të prijë më bindshëm LVV-ja sa për të formuar edhe institucionet.

Besimi në partitë opozitare ka humbur, ani që ato trumbetojnë se do të dalin të parat në këto zgjedhje. Këtë, disi, ia bën të mundshëm LVV-së edhe heqja e masave nga BE, përkushtimi më i madh në mbriojtje të vendit përmes armatimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës, sepse populli e di se pa mbrojtje të vendit nga Serbia, vështirë se do të qëndrojë edhe Kosova shtet. Sidomos këto kohët e fundit janë zhvilluar ngjarje në favor të partisë në pushtet.

Dhe kështu, dëshirat e secilit janë të mëdha për fitore nga të gjitha partitë”, përfundon ai.

Jakupi: Kjo deklaratë e Bedri Hamzës reflekton një sfidë politike të mundshme për të ardhmen e Kosovës

Ndërsa, analisti Zejnullah Jakupi, vlerëson se komentet e Bedri Hamzës mund të synojnë krijimin e një qeverie pa LVV-në, duke hapur mundësinë e një bllokade politike.

Image
Zejnullah Jakupi

Sipas tij, një koalicion i gjerë ish-opozitar mund të sjellë stabilitet, por sfidat ideologjike dhe mbështetja e fortë popullore për LVV e bëjnë këtë të vështirë.

“Nëse VV (Vetëvendosje) ka fituar më shumë vota dhe mbështetje nga populli, siç ka ndodhur në zgjedhjet e fundit, atëherë mendimi i Bedri Hamzës mund të duket si një tentativë për të larguar këtë parti nga pushteti. PDK-ja dhe partitë e tjera ish-opozitare mund të mendojnë se një koalicion pa VV-në do të mund të krijonte një mundësi për të pasur një shumicë të re parlamentare dhe formimin e një qeverie pa pasur nevojë të merreshin me VV-në. Megjithatë, kjo mund të shkaktojë një bllokadë të re politike, sepse VV ka mbështetje të fortë dhe mund të refuzojë çdo koalicion që përjashton rolin e saj të rëndësishëm.

Bedri Hamza mund të pohojë se një koalicion i gjerë mund të jetë një mundësi për të arritur stabilitet dhe për të mundësuar një qeverisje të më mirë për qytetarët e Kosovës. Por, është e qartë që një koalicion i tillë do të përballet me shumë sfida politike dhe ideologjike. PDK, LDK dhe AAK kanë pasur mospajtime të mëdha gjatë viteve të kaluara, dhe një bashkim i tyre mund të krijonte tensione të brendshme. Kjo mund të bëhet edhe më e vështirë nëse VV vazhdon të ketë mbështetje të fortë.

Një tjetër mundësi që mund të fshihet pas këtij komentari është se Bedri Hamza po paralajmëron një situatë ku VV do të përballet me një bllokadë politike, duke mos mundur të formojë një qeveri për shkak të mungesës së partnerëve të koalicionit. Ky mund të jetë një synim për të krijuar një qeveri që do të funksionojë pa VV, por kjo mund të shkaktojë një periudhë të pasigurtë politike për vendin, sepse VV ka një ndikim të fuqishëm dhe mbështetje popullore”, shprehet ai.

Më tej, Jakupi, vlerëson se deklarata e Bedri Hamzës mund të synojë krijimin e një koalicioni të ri për të rritur ndikimin e PDK-së dhe për të sfiduar dominimin e VV-së.

Megjithatë, sipas tij, plani i tij ekonomik, përfshirë uljen e TVSH-së, rritjen e pagave dhe liberalizimin e energjisë, shihet si i paplotë dhe potencialisht problematik për financat e shtetit.

“Deklarata e Bedri Hamzës mund të fshehë disa qëllime strategjike nga ana e PDK-së. Një mundësi është që PDK po tenton të ndërtojë një koalicion të ri politik dhe të mbledhë forca të tjera për të pasur ndikim të madh në formimin e Qeverisë së ardhshme. Kjo mund të jetë një përpjekje për të rivendosur pushtetin dhe për të marrë drejtimin e vendit pas disa viteve të opozitës. Po ashtu, kjo mund të jetë një mënyrë për të sfiduar dominimin e VV-së dhe për të rritur ndikimin e partive të tjera.

Në përgjithësi, kjo deklaratë e Bedri Hamzës reflekton një sfidë politike të mundshme për të ardhmen e Kosovës, me shumë variabla të paqarta dhe një mundësi për një stabilitet politik të ri ose një bllokadë të mundshme.

Edhe në planin ekonomik nuk duket të jetë ekspert siç proklamon: Ja disa argumente, që kanë të bëjnë me liberalizimin e energjisë, rritjen pagave 50% dhe ulejen e tatimeve për pagat 400 euro. Bedri Hamza duket si një kontradiktë në vetvete. Në planin politik, nuk është e qartë nëse ai e dëshiron një koalicion me LVV-në, veçanërisht nëse Albin Kurti fiton, por pa arritur 51 vota. Gjuha e tij e moderuar është pozitive, por plani i tij ekonomik ka disa dobësi. Ai kritikoi Kurtin për mungesën e njohurive ekonomike, por edhe vetë dha disa deklarata të pasqaruara.

Sa i përket uljes së TVSH-së, ky veprim mund të sjellë disa efekte:

Reduktimi i të ardhurave të shtetit: TVSH-ja është një burim i rëndësishëm të ardhurash për shtetin. Ulja e saj mund të rrisë konsumimin dhe aktivitetin ekonomik në afat të shkurtër, por në afat të gjatë mund të shkaktojë humbje të të ardhurave që nuk mund të kompensohen, duke rrezikuar financat publike.

Liberalizimi i energjisë: Kosova është e detyruar të plotësojë kërkesat e BE-së për një treg të hapur të energjisë, por kjo mund të ndikojë në çmimet e energjisë dhe stabilitetin e furnizimit, veçanërisht për shtetin e vogël si Kosova.

Rritja e pagave dhe ulja e tatimit në paga: Kjo mund të ndihmojë individët, por shteti do të humbasë të ardhura nga tatimi në paga, duke krijuar mundësinë e një deficiti buxhetor dhe ndikime negative për financat e shtetit.

Bedri Hamza duket si një kontradiktë në vetvete. Në planin politik, nuk është e qartë nëse ai e dëshiron një koalicion me LVV-në, veçanërisht nëse Albin Kurti fiton, por pa arritur 51 vota. Gjuha e tij e moderuar është pozitive, por plani i tij ekonomik ka disa dobësi. Ai kritikoi Kurtin për mungesën e njohurive ekonomike, por edhe vetë dha disa deklarata të pasqaruara”, përmbyll ai për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat