“Përsëritet historia”: LDK mund t’ia sigurojë Osmanit mandatin e dytë si presidente?

Politika

“Përsëritet historia”: LDK mund t’ia sigurojë Osmanit mandatin e dytë si presidente?

Nga: M.L. Më: 30 dhjetor 2025 Në ora: 12:00
Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku

Një ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, presidentja Vjosa Osmani ka konfirmuar, për REL-in, se synon edhe një mandat në krye të shtetit.

Mandati i Osmanit skadon në prill të vitit 2026.

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ndërsa ka shpallur fitoren e partisë së tij në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ka folur edhe për çështjen e Presidentit, duke thënë se për këtë fillimisht do të bisedojë me presidenten Osmani.

“Bllokadat janë të pamundshme tanimë. Por, natyrisht që nuk do të vonohemi për këtë çështje. Na duhet të bisedojmë edhe me opozitën për presidentin e ardhshëm. Por, së pari do të bisedoj me presidenten aktuale, që të shohim hapat e ardhshëm. Por, dihet që edhe për zgjedhjen e presidentit, na duhen 80 veta në sallë, dhe për këtë na duhet të bisedojmë. Por, ky s’është as hapi i dytë, por i tretë. Por, njëherë certifikimi”, ka thënë mes tjerash Kurti.

Për analistin Zejnullah Jakupi, fitorja bindëse e LVV-së, e ka forcuar pozitën e saj politike, por se çështja e presidentit ende mbetet e hapur.

Image
Zejnullah Jakupi

“Fitorja bindëse e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhje e ka forcuar ndjeshëm pozicionin e saj politik, por çështja e postit të Presidentit mbetet ende e hapur dhe varet nga zhvillimet e ardhshme parlamentare. Sipas Kushtetutës së Kosovës, zgjedhja e Presidentit kërkon shumicë të cilësuar, çka nënkupton domosdoshmërisht marrëveshje politike ndërmjet subjekteve parlamentare”, ka thënë Jakupi për gazetën “Bota sot”.

Në këtë kontekst, Jakupi thotë se opsioni i rikandidimit të Presidentes aktuale, znj. Vjosa Osmani, nuk bie automatikisht poshtë.

“Përkundrazi, është krejtësisht normale dhe e dobishme për vendin edhe një mandat i dytë i saj, pasi vështirë se mund të gjendet një personalitet tjetër që do ta përfaqësonte Kosovën më mirë, si në planin e brendshëm institucional, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare”, shprehet ai.

Nga ana tjetër, ai thekson se nëse LVV nuk i bën numrat për zgjedhjen e presidentes, në ndihmë duhet t’i dalë LDK me votat e saj

Ndërsa, sipas tij në PDK nuk kanë disponim për ta votuar Osmanin si presidente, përveç nëse bëhet një koalicion direkt mes kësaj partie dhe VV-së.

“Nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk arrin ta sigurojë e vetme mbështetjen e nevojshme parlamentare për zgjedhjen e Presidentes, atëherë një përafrim politik me LDK-në do të ishte jo vetëm i mundshëm, por edhe racional, me qëllim që znj. Osmani të marrë edhe një mandat presidencial. Në anën tjetër, te PDK-ja aktualisht nuk shihet disponim për ta votuar Presidenten Osmani, përveç rastit kur do të kishte një koalicion të drejtpërdrejtë me LVV-në, gjë që për momentin nuk duket si opsion i afërt.

Prandaj, çështja e Presidencës mbetet e hapur dhe do të varet nga balancat politike, vullneti për kompromis dhe marrëveshjet që mund të arrihen në fazën e ardhshme të konsolidimit institucional”, përfundoi Jakupi.

Kujtojmë se edhe në vitin 2021 deputetë të LDK-së kishin qëndruar në sallën e Kuvendit për t’ia mundësuar Vjosa Osmanit zgjedhjen në postin e Presidentes së vendit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat