Integrimi evropian i Kosovës në 2025, orientim i qartë por hapa të ngadalshëm

Politika

Integrimi evropian i Kosovës në 2025, orientim i qartë por hapa të ngadalshëm

Nga: A.SH Më: 2 janar 2026 Në ora: 15:26
Foto ilustrim

Gjatë vitit 2025, Kosova ka ruajtur qartë orientimin strategjik drejt Bashkimit Evropian, por pa arritur përparim të dukshëm në procesin e integrimit.

Diskursi politik dhe institucional ka mbetur fuqishëm pro-evropian, megjithatë rezultatet konkrete kanë qenë të kufizuara dhe të fragmentuara.

Njohësi i marrëdhënieve ndrkombëtare, Mirsad Voca, në një prononcim pr “Bota sot”, vlerëson se gjatë vitit 2025 Kosova ka mbajtur një qëndrim të paqartë ndaj integrimit evropian: orientimi politik pro BE-së ka qenë i qartë, por përparimi real ka qenë i ngadalshëm dhe i përqendruar më shumë në menaxhimin e krizave sesa në reforma të qëndrueshme.

Ai thekson se, ndonëse janë ndërmarrë hapa formalë në sundimin e ligjit, administratën publike dhe luftën kundër korrupsionit, këto veprime shpesh kanë mbetur procedurale dhe pa rezultate bindëse për Bashkimin Evropian.

“Gjatë vitit 2025, Kosova ka qëndruar ne një pozicion ambivalent përballë aspiratave të saj evropiane. Nga njëra anë, orientimi strategjik drejt Bashkimit Evropian ka mbetur i qartë dhe i pakontestuar në diskursin politik dhe institucional. Nga ana tjetër, progresi konkret drejt integrimit ka qenë i ngadalshëm dhe i fragmentuar, me shumë i karakterizuar nga menaxhimi i krizave sesa nga avancimi i qëndrueshëm reformues.

Në aspektin formal, Kosova ka ndërmarrë disa hapa për t’u afruar me standardet e BE-së gjatë vitit 2025, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, administratës publike dhe harmonizimit gradual të legjislacionit me acquis communautaire. Po ashtu, ka pasur përpjekje për të forcuar luftën kundër korrupsionit dhe për të rritur transparencën institucionale. Megjithatë, këto hapa shpesh kanë mbetur në nivel procedural dhe nuk kanë prodhuar gjithmonë rezultate të prekshme që do të bindnin partnerët evropianë për një transformim të thellë institucional”, thotë ai.

Tutje, Voca thekson se përparimi i Kosovës drejt BE-së gjatë vitit 2025 është penguar nga polarizimi politik, bllokadat institucionale dhe mungesa e konsensusit të brendshëm, duke e bërë integrimin evropian shpesh viktimë të krizave politike.

“Sfidat kryesore që kanë penguar përparimin e Kosovës drejt BE-së gjatë vitit 2025 lidhen ngushtë me kontekstin e brendshëm politik dhe me mjedisin rajonal. Polarizimi politik, bllokadat institucionale dhe mungesa e një konsensusi minimal mbi prioritetet shtetërore kanë dobësuar kapacitetin e Kosovës për të vepruar si partner i parashikueshëm në procesin integrues. Në këtë kuptim, integrimi evropian ka mbetur shpesh peng i cikleve të brendshme të krizave politike.

Marrëdhëniet me Serbinë kanë vazhduar të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në ritmin e integrimit evropian. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ka mbetur i paqëndrueshëm dhe i ngarkuar me tensione, ndërsa zhvillimet në veri të Kosovës dhe qasja shpesh agresive dhe armiqësore e Beogradit kanë krijuar një ambient të pasigurt politik. Kjo ka bërë që Bashkimi Evropian të fokusohet më shumë në stabilitet afatshkurtër sesa në avancimin e qartë të perspektivës integruese të Kosovës”, thekson Voca.

Në përfundim, ai vlerëson se gjatë vitit 2025 diplomacia e Kosovës ka bërë hapa të kujdesshëm për të forcuar komunikimin me BE-në, ndërsa heqja graduale e masave ndëshkuese shihet si sinjal politik pozitiv, por jo si avancim real integrues.

Ai përfundon se Kosova ka ecur drejt BE-së më shumë në nivel aspiratash sesa rezultatesh konkrete, duke theksuar se përparimi i ardhshëm do të varet nga stabiliteti politik, tejkalimi i polarizimit dhe shndërrimi i integrimit evropian në proces real reformues.

“Sa i përket diplomacisë, gjatë vitit 2025 ka pasur lëvizje të kujdesshme për te riforcuar komunikimin me partnerët evropianë dhe për të rikthyer Kosovën në një dialog më konstruktiv me BE-në. Heqja graduale e masave ndëshkuese nga ana e Bashkimit Evropian përbën një sinjal pozitiv në këtë drejtim, por ajo duhet parë më shumë si korrigjim politik sesa si shpërblim integrues. Nuk ka pasur ende marrëveshje apo vendime strategjike që do ta vendosnin Kosovën në një trajektore të përshpejtuar drejt anëtarësimit.

Në përmbledhje, viti 2025 ka treguar se Kosova vazhdon të ecë drejt Bashkimit Evropian më shumë në nivel aspirate sesa në nivel rezultatesh konkrete. Perspektiva evropiane mbetet e hapur, por ajo do të varet nga aftësia e institucioneve për të kapërcyer polarizimin e brendshëm, për të ndërtuar stabilitet politik dhe për ta kthyer integrimin evropian nga diskurs politik në proces real transformues” – përfundon ai për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat