“Frika i ka kapluar të gjithë ata që ‘e kanë mizën nën kapuç’”- Tahiraj komenton “koketimin” Rama – Osmani kundër Speciales

Politika

“Frika i ka kapluar të gjithë ata që ‘e kanë mizën nën kapuç’”- Tahiraj komenton “koketimin” Rama – Osmani kundër Speciales

Nga: M.L. Më: 18 shkurt 2026 Në ora: 10:11
Edi Rama dhe Vjosa Osmani

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të hënën gjatë fjalës së tij në promovimin e librit “Kur heshtja flet” nga Prof. Dr. Ahmet Shala, deklaroi se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është “kërcënuar” për dy vite nga Prokuroria e Specializuar në Hagë.

Sipas Ramës, këto kërcënime erdhën pasi Osmani nuk lejoi që prokurorët të kërkonin provat e krimeve kundër njerëzimit edhe në zyrën e Presidentes në Prishtinë. Ai i cilësoi kërkimet e provave në Presidencë si një dhunim të institucionit.

“Tani, mund të jetë sekret shtetëror këtu në Kosovë, por nuk është sekret shtetëror për mua që presidentja e Kosovës është kërcënuar. Dhe këtë gjë nuk e dini sepse nuk është thënë asnjëherë, por po e them sot.

Është kërcënuar sepse nuk ka lejuar që prokurorët të dhunonin zyrën e institucionit të Presidentit të Kosovës, se me demek do të kërkonin edhe aty provat e krimeve kundër njerëzimit, gjë që natyrisht do ta vendoste Kosovën në sytë e botës si një shtet ku deri në zyrën e Presidentit gjenden prova për krime kundër njerëzimit.

Dhe kërcënimi i presidentes ka zgjatur dy vjet. Por, për nderin e saj dhe nderin e Kosovës, ajo e ka ndaluar një gjë të tillë”, tha Rama.

Ish-bashkëluftëtari i heroit Sali Çekaj, Saim Tahiraj, këtë deklaratë të Ramës po e konsideron si ndërhyrje flagrante në drejtësi.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Tahiraj thekson se nëse Rama do të dëshironte të vërtetonte drejtësi, hetimet do të duhej të fillonin nga vrasjet politike në Shqipëri ndaj kolonelit Ahmet Krasniqi, Ilir Konushevcit, Ali Ukajt etj.

Image
Saim Tahiraj

“Deklaratat e kryeministrit Edi Rama, i cili në mënyrë të ashpër sulmon Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, përbëjnë një ndërhyrje flagrante në drejtësi. Një kryeministër arrogant, para se të japë leksione për drejtësinë në Prishtinë, duhet së pari të rregullojë punët në shtetin e tij, ku drejtësia shpesh perceptohet si në fund të pusit.

Nëse vërtet dëshiron drejtësi, hetimet duhet të fillojnë nga vrasjet politike në Shqipëri, që nisën me atentatin ndaj MMRK kolonel Ahmet Krasniqi, zhdukjen e Sadri Ramqaj, vrasjen e vëllezërve Nikçi, Ali Ukajt, Ilir Konushefcit e shumë të tjerëve. Elaboratet e këtyre vrasjeve politike u projektuan në “kuzhinat” e ish-pushtetit të kohës në Tiranë. Andaj, nëse kërkohet drejtësi e plotë, hetimet duhet të nisin pikërisht aty. Do ishte në interes të zbulimit të këtyre vrasjeve sikur Gjykata Speciale t’i fillonte hetimet mu në Tiranë”, tha Tahiraj për “Bota sot”.

Sipas Tahirajt, ky lloj “patriotizmi” që shitet me deklarata në Prishtinë, ndërkohë që në Tiranë mbeten plagë të hapura, është i zbrazët.

“Nuk është rastësi i gjithë ky presion mbi Gjykatën Speciale në Hagë; frika ka kapluar të gjithë ata që ‘e kanë mizën nën kapuç’. Nëse vërtet dëshironi drejtësi, lëreni Gjykatën të bëjë punën e saj pa ndërhyrje politike, sepse drejtësia vendoset mbi fakte dhe prova, jo mbi deklarata boshe që tashmë janë bërë bajate”, shton ai.

Po ashtu, Tahiraj konsideron se edhe deklaratat në adresë të presidentes Vjosa Osmani duken si qëndrime politike për mbështetje elektorale para zgjedhjes së Presidentit.

“Ta implikosh Gjykatën Speciale në një fushatë të tillë është veprim i ulët dhe jo etik. Çdokush mund të flasë për drejtësi, por jo ata që ende nuk kanë sqaruar hijet e së kaluarës në vendin e tyre. Drejtësia nuk është slogan politik – është përgjegjësi institucionale dhe morale. Deklaratat në adresë të presidentes Vjosa Osmani duken si qëndrime politike për mbështetje elektorale para zgjedhjes së Presidentit.”, ka përfunduar ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat