Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës njoftoi se në ambientet e jashtme të Ambasadës së Kosovës në Berlin janë vendosur etiketa fyese me përmbajtje shoviniste në gjuhën serbe, përfshirë slogane si “Nuk ka dorëzim” dhe “Kosova është Serbi”.
Sipas MPJD-së, Ambasada ka njoftuar menjëherë autoritetet gjermane, ndërsa veprime të tilla u cilësuan si të papranueshme dhe në kundërshtim me normat ndërkombëtare për paprekshmërinë e misioneve diplomatike.
“Veprime të tilla janë të papranueshme dhe bien ndesh me normat dhe konventat ndërkombëtare që garantojnë paprekshmërinë e misioneve diplomatike si dhe dëmtojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit ndërmjet shteteve”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Blakaj: Mesazhi është për Beogradin, për publikun e brendshëm serb që duhet mbajtur në tension të përhershëm
Njohësi i sigurisë, Korab Blakaj në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se shkrimet me slogane si “Nuk ka dorëzim” dhe “Kosova është Serbi” në Ambasadën e Kosovës në Berlin nuk janë grafite spontane, por akte me adresë politike.
Sipas tij, mesazhi nuk i drejtohet Gjermanisë, por Beogradit dhe publikut serb, për të mbajtur gjallë narrativën e viteve ’90 dhe mitin e “mosdorëzimit”.
Ai thekson se këto veprime shërbejnë për polarizim dhe për ta mbajtur dialogun Kosovë–Serbi në tension, duke ushqyer retorikë politike e jo zgjidhje reale.
“Në Berlin u testua nervi i shtetit. Shkrimet mbi pllakatin e Ambasadës së Kosovë në Berlin me slogane si “Nuk ka dorëzim” dhe “Kosova është Serbi”, larg të qenit grafite spontane, dhe saktë akte me adresë politike.
Çfarë mesazhi synohet?
Mesazhi nuk është për Berlinin. Gjermania e di mirë çfarë është Kosova. Mesazhi është për Beogradin, për publikun e brendshëm serb që duhet mbajtur në tension të përhershëm. Është një kujtesë se narrativa e viteve ’90 vazhdon të ushqehet si kapital politik. Këto veprime nuk synojnë ta bindin botën. Synojnë të ruajnë mitin.
Miti i “mosdorëzimit”.
Miti i “padrejtësisë historike”.
Miti që mobilizon vota.
Kujt i shërben kjo?
I shërben klimës së polarizimit.
I shërben atyre që kanë interes ta mbajnë dialogun Kosovë–Serbi në gjendje ngrirjeje të kontrolluar.
I shërben retorikës së fortë, jo zgjidhjes.
Momentalisht, kur dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është i brishtë, çdo incident simbolik përdoret si karburant politik. Nuk mund ta quaj diplomaci, sepse incidenti synon psikologjinë kolektive”, thotë ai.
A ka lidhje konflikti Iran–SHBA/Izrael?
Sipas Blakajt, konflikti Iran–SHBA/Izrael nuk ka lidhje direkte me incidentin, por ka ndikim indirekt. Kur vëmendja globale zhvendoset drejt krizave të mëdha, Ballkani mbetet në “zonë gri” dhe aktorë destabilizues si Serbia e shfrytëzojnë momentin për provokime simbolike.
Ai thotë se krizat globale rrisin pasigurinë, ushqejnë nacionalizmin dhe krijojnë hapësirë për veprime me efekt mediatik të lartë, si rasti i pllakës së ambasadës.
“Direkte? Jo.
Indirekte? Po.
Kur vëmendja globale është e përqendruar në tensionet mes Iranit,Shteteve te Bashkuara dhe Izraelit , Ballkani hyn në zonën gri të agjendës ndërkombëtare. Dhe sa herë që rajoni ndjen se projektorët janë zhvendosur, disa aktorë destabilizues si Serbia dhe Republika Gjenocidale Serbska testojnë kufijtë.
Kjo është logjikë oportuniteti, jo ideologji globale.
Serbia nuk e lidh zyrtarisht strategjinë e saj me Lindjen e Mesme. Por çdo krizë globale që dobëson fokusin perëndimor krijon hapësirë për retorikë më të ashpër dhe veprime simbolike më provokuese.
Pse shtohen provokimet kur bota është në krizë?
Sepse krizat globale krijojnë pasiguri. Pasiguria ushqen nacionalizmin. Nacionalizmi kërkon skena simbolike. Një pllakë ambasade është skenë e lehtë, me kosto të ulët dhe efekt mediatik të lartë. Është akt i llogaritur për të prodhuar lajm, reagim, polarizim.
Por ka një të vërtetë që, në fund, ky incident flet më shumë për pasigurinë e atyre që e prodhojnë, sesa për forcën e atyre që synojnë” – përfundon ai.
Qaka: Këto veprime nuk janë të izoluara, por mesazh i qartë nga qarqet shoviniste serbe se nuk duan paqe me Kosovën
Politologu Adnan Qaka, për gazetën, tha se tensionet e Serbisë ndaj Kosovës janë pjesë e një strategjie të vazhdueshme shtetërore, që synon ta mbajë rajonin në tension dhe të mobilizojë opinionin e brendshëm përmes retorikës nacionaliste kundër shqiptarëve.
“Zhvillimet e fundit politike dhe retorike nga Serbia dëshmojnë qartë se tensionet ndaj Kosovës nuk janë as spontane dhe as të shkëputura nga një vijë e vazhdueshme strategjike shtetërore. Serbia në vazhdimësi përpiqet ta mbajë të ngritur tensionin në Ballkan, të nxisë elementin shovinist dhe ekstremist ortodoks serb kundër Kosovës dhe të mobilizojë opinionin e brendshëm përmes diskursit të urrejtjes dhe trillimeve ndaj shqiptarëve, veçanërisht ndaj shtetit të Kosovës.
Konflikti shqiptaro-serb përfundon vetëm atëherë kur Kosova konsolidohet plotësisht si shtet dhe zhvillohet në mënyrë të jashtëzakonshme në të gjitha dimensionet – ekonomike, institucionale, ushtarake dhe shoqërore. Pa një Kosovë të fortë dhe të zhvilluar, Serbia do ta shohë gjithmonë hapësirën për presion, destabilizim dhe kërcënim. Në të njëjtën kohë, paqja reale në Ballkan nuk mund të arrihet pa një transformim rrënjësor të Serbisë. Kjo nënkupton denazifikim, demilitarizim, demokratizim dhe rikonfigurim të thellë të strukturës së saj shtetërore, deri në copëtim, në mënyrë që të pamundësohen projektet hegjemoniste dhe ekspansioniste që Serbia i ka kultivuar për më shumë se dy shekuj. Ballkani ka nevojë për një “Potsdam 2” për Serbinë, sepse vetëm një ndërhyrje e tillë historike do ta shkëpuste përfundimisht nga paradigma e saj agresive” – shprehet ai.
Kurse, sa i pëket ngjarjes ngjarjes në Berlin, ku u vendosën etiketa fyese në pllakatin e Ambasadës së Kosovës, Qaka e cilëson si akt të papranueshëm që cenon normat ndërkombëtare për mbrojtjen e misioneve diplomatike.
Sipas tij, kjo nuk është ngjarje e izoluar, por mesazh nga qarqe shoviniste serbe që mbajnë gjallë narrativën armiqësore ndaj Kosovës.
“Ngjarja e fundit në Berlin, ku në ambientet e jashtme të Ambasadës së Republikës së Kosovës janë vendosur etiketa fyese dhe me përmbajtje shoviniste në gjuhën serbe mbi pllakatin identifikues të objektit, përbën një akt të papranueshëm që bie ndesh me normat dhe konventat ndërkombëtare që garantojnë paprekshmërinë e misioneve diplomatike. Këto veprime nuk janë të izoluara, por mesazh i qartë nga qarqet shoviniste serbe se nuk duan paqe me Kosovën dhe se synojnë veprime ekspansioniste, duke e mbajtur të ushqyer popullin serb me narrativë armiqësore dhe me urrejtje patologjike ndaj shqiptarëve.
Në kontekstin global, konflikti aktual mes Iranit dhe SHBA/Izraelit ndikon indirekt në retorikën dhe strategjinë diplomatike të Serbisë ndaj Kosovës. Sa herë që shpërthejnë kriza të mëdha ndërkombëtare, veçanërisht në Lindjen e Mesme, Serbia fillon me provokime dhe kërcënime ndaj Kosovës. Kjo tregon një model të qartë sjelljeje: shfrytëzimin e momenteve të tensionuara globale dhe zhvendosjes së vëmendjes ndërkombëtare për të shtyrë përpara agjendën e saj kundër Kosovës. Serbia në vazhdimësi përpiqet të përfitojë nga çdo humbje e vëmendjes amerikane, turke, britanike, gjermane apo të partnerëve të tjerë të Kosovës, për të testuar terrenin për veprime më agresive”, deklaroi ai.
Në fund, Qaka thotë se Serbia nuk ka ndryshuar thelbësisht nga periudha e Slobodan Milosheviç dhe vazhdon ta mbajë gjallë diskursin për ndërhyrje ndaj Kosovës, përfshirë edhe nga Aleksandar Vuçiç.
Ai thekson se Kosova duhet të forcojë sigurinë, aleancat dhe unitetin e brendshëm, pasi sfidat gjeopolitike mbeten serioze.
“Serbia nuk ka ndryshuar në thelb nga ajo që ka qenë në periudhën e Slobodan Milošević-it. Pavarësisht ndryshimeve formale politike, mendësia shtetërore dhe strategjia afatgjatë mbeten të njëjta. Serbia ka rritur kapacitetet e saj sulmuese dhe paraqet sfidë serioze për paqen dhe sigurinë në Ballkan. Deklaratat e vazhdueshme të zyrtarëve të lartë serbë, përfshirë presidentin Aleksandar Vučić, tregojnë se diskursi për ndërhyrje dhe për rikthim të kontrollit mbi Kosovën nuk është zhdukur, por mbahet i gjallë si instrument presioni.
Populli serb vazhdon të ushqehet me një narrativë të urrejtjes ndaj shqiptarëve, dhe për këtë arsye kërcënimet e Serbisë duhet të merren shumë seriozisht. Kosova duhet të investojë fuqishëm në fushën e sigurisë, të zgjerojë partneritetet e saj si me Lindjen ashtu edhe me Perëndimin, të forcojë aleancat dhe të punojë për një unifikim gjithëshqiptar në Ballkan përballë Serbisë. Duhet të lihen anash ndasitë politike dhe ideologjike dhe të punohet për interesin kombëtar shqiptar, sepse sfidat gjeopolitike janë reale dhe çdo gabim strategjik mund të ketë pasoja fatale për brezat që do të vijnë”, përfundon Qaka.