“Krizat institucionale ndodhin edhe në demokraci të tjera” – politologu nga Brukseli flet edhe për dekretin e Vjosa Osmani

Politika

“Krizat institucionale ndodhin edhe në demokraci të tjera” – politologu nga Brukseli flet edhe për dekretin e Vjosa Osmani

Nga: N.E Më: 16 mars 2026 Në ora: 22:02
Vjosa Osmani

31 marsi do të jetë dita kur Gjykata Kushtetuese do të shpallë vendimin përfundimtar lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit ka nxjerr në pah mos pajtimet në mes presidentes Vjosa Osmanit dhe kryeministrit Albin Kurti, ku ky i fundit ka deklaruar se Osmani nuk u propozua për një mandat tjetër për shkak se nuk ishte figurë konsensuale dhe nuk garantonte kuorumin e nevojshëm, ndërsa sipas shumë analistëve Osmani ka vepruar emocionalisht dhe ka shpërndarë Kuvendin.

Politologu Ramadan Gjanaj, ka komentuar për “Bota sot”, zhvillimet e fundit, ku sipas tij situata ka qenë e parashikueshme.

Ai thotë se dekreti për shpërndarjen e Kuvendit është një akt i rëndësishëm kushtetues, por ai vjen në një klimë politike tashmë të brishtë.

“Situata aktuale pasqyron një tension institucional që, në një farë mase, ishte i parashikueshëm. Që nga zgjedhjet e shkurtit 2025 dhe gjatë gjithë vitit që pasoi, kemi qenë dëshmitarë të vështirësive të klasës politike për të ngritur institucionet e reja dhe për të dalë nga bllokada politike. Në këtë kontekst, dallimet që janë shfaqur muajt e fundit mes Presidencës dhe Kryeministrisë, sidomos në fushën e politikës së jashtme, si dhe rezultatet e zgjedhjeve të dhjetorit 2025, linin të kuptohej se disa procese të rëndësishme institucionale — si procedura për zgjedhjen e presidentit të ri — do të ishin veçanërisht të ndërlikuara. Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit është një akt i rëndësishëm kushtetues, por ai vjen në një klimë politike tashmë të brishtë. Në këto rrethana, përgjegjësia kryesore e të gjitha palëve — si e Presidencës ashtu edhe e Qeverisë — është të ruajnë funksionimin normal të institucioneve dhe të shmangin që dallimet politike të shndërrohen në përplasje institucionale”, deklaron Gjanaj.

Ai thotë se në demokraci parlamentare mospajtimet janë legjitime, por duhet të shprehen me respekt.

Sipas Gjanajt, debati duhet të mbetet brenda kornizës institucionale dhe juridike.

“Po ashtu, sulmet ad hominem nuk ndihmojnë aspak në qetësimin e situatës. Nuk është e dobishme të përkeqësohet më tej klima politike duke akuzuar njëri-tjetrin për “tradhti”, sidomos kur aktorët në fjalë kanë qenë më parë pjesë e së njëjtës koalicion si në Qeverisje po ashtu në zgjedhjet e fundit. Në një demokraci parlamentare, mospajtimet janë legjitime, por ato duhet të shprehen me respekt ndaj institucioneve dhe me njëfarë përmbajtjeje në diskursin publik. Prandaj është thelbësore që debati të mbetet brenda kornizës institucionale dhe juridike dhe që mekanizmat kushtetues — veçanërisht Gjykata Kushtetuese — të mund të luajnë plotësisht rolin e tyre në sqarimin e interpretimeve të nevojshme”, thekson politologu.

Image
Ramadan Gjanaj

Në anën tjetër, derisa pritet vendimi i plotë nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje kanë kritikuar ambasadorë e diplomatë për viztat në Gjykatën Kushtetuese, madje duke ngritur dyshime për ndikim në vendim.

Këto kritika të bëra nga deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi nuk kanë marrë një kundërpërgjigje nga ambasadorët kur ishin pyetur nga gazetarët për këto kritika, ndërsa politologu Ramadan Gjanaj, thotë se vendimet e Kushtetueses duhet të perceptohen si rezultat i një analize thjesht juridike dhe kushtetuese, të pavarur nga çdo presion politik, qoftë i brendshëm apo i jashtëm.

Sipas tij, është e kuptueshme që çdo ndërveprim mes aktorëve diplomatikë dhe një institucioni kaq të rëndësishëm gjyqësor mund të ngrejë pyetje në opinionin publik, por duhen shmangur përfundimet e nxituara.

“Pavarësia e Gjykatës Kushtetuese është një element themelor në çdo demokraci. Vendimet e saj duhet të perceptohen si rezultat i një analize thjesht juridike dhe kushtetuese, të pavarur nga çdo presion politik, qoftë i brendshëm apo i jashtëm. Në këtë kontekst, është e kuptueshme që çdo ndërveprim mes aktorëve diplomatikë dhe një institucioni kaq të rëndësishëm gjyqësor mund të ngrejë pyetje në opinionin publik. Megjithatë, është e rëndësishme të shmangen përfundimet e nxituara. Vizita apo kontakte të tilla mes përfaqësuesve diplomatikë dhe institucioneve shtetërore janë shumë të zakonshme në të gjitha vendet e botës dhe zakonisht bëjnë pjesë në funksionimin normal të marrëdhënieve diplomatike. Në shumicën e rasteve, këto kontakte as nuk bëhen objekt i një vëmendjeje të veçantë mediatike. Më e rëndësishmja është që Gjykata Kushtetuese të mund të punojë në një klimë qetësie dhe pavarësie dhe që të gjitha forcat politike të angazhohen ta respektojnë vendimin e saj, cilido qoftë ai. Besueshmëria e shtetit të së drejtës varet në masë të madhe nga ky respekt për institucionet gjyqësore”, thekson Gjanaj.

I pyetur sesi ndikon kjo situatë tek ndërkombëtarët dhe a ka qenë i mundur të parandalohet ky ngërç, Gjanaj, thotë se krizant ndodhin edhe në demokraci të tjera.

Sipas tij, për partnerët ndërkombëtarë, më e rëndësishmja nuk është vetë ekzistenca e një mosmarrëveshjeje politike, por mënyra se si ajo menaxhohet

“Partnerët ndërkombëtarë e ndjekin me vëmendje zhvillimet institucionale në Kosovë, sidomos kur ato lidhen me funksionimin e institucioneve demokratike. Stabiliteti politik dhe parashikueshmëria institucionale janë elemente të rëndësishme për ruajtjen e besimit ndërkombëtar. Fatkeqësisht, duket se kjo nuk ka qenë plotësisht rasti gjatë më shumë se një viti. Megjithatë, krizat institucionale nuk janë të veçanta vetëm për Kosovën. Ato ndodhin edhe në shumë demokraci të tjera kur rregullat kushtetuese përballen me situata politike komplekse ose me ekuilibra të brishtë parlamentarë. Për partnerët ndërkombëtarë, më e rëndësishmja nuk është vetë ekzistenca e një mosmarrëveshjeje politike, por mënyra se si ajo menaxhohet. Në konfigurimin aktual politik, është e vërtetë se arritja e një kompromisi është bërë veçanërisht e vështirë. Partia që ka dalë e para duket se ka vendosur të ndërpresë koalicionin me listën Guxo, ndërkohë që nuk është përgatitur mjaftueshëm terreni për të favorizuar një kandidaturë konsensuale për zgjedhjen e presidentit. Kjo ka kontribuar në ndërlikimin e situatës dhe në zgjatjen e bllokadës institucionale. Me pak më shumë dialog politik dhe përgatitje paraprake, ndoshta disa nga këto bllokime mund të ishin shmangur. Megjithatë, sot më e rëndësishmja është që kjo situatë të tejkalohet përmes mekanizmave kushtetues dhe përmes një angazhimi të ri të aktorëve politikë në favor të stabilitetit institucional”, përfundon Gjanaj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat