Gjykata Kushtetuese ka shpallur të pavlefshëm dekretin e 6 marsit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
Sipas vendimit të gjykatës, deputetët kanë 34 ditë kohë për të zgjedhur Presidentin e ri, përndryshe Kuvendi do të shpërndahet automatikisht dhe do të organizohen zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditëve.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese vjen pasi në fillim të këtij muaji Kushtetuesja e kishte pezulluar përkohësisht deri më 31 mars dekretin e presidentes, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit.
Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit për shpërndarjen e Kuvendit ishte dorëzuar nga kryeministri i Albin Kurti në emër të Qeverisë.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur opinonisti Dedë Preqi.
Ai thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e penalizon presidenten Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, por ngre shqetësimin për mungesën e përgjegjësisë dhe llogaridhënies për pezullimin e Kuvendit dhe kohën e humbur, duke sugjeruar se duhet një normë ligjore që ta parandalojë përsëritjen e situatave të tilla në të ardhmen.
Në thelb, opinionisti kritikon mungesën e mekanizmave ligjorë që sigurojnë përgjegjësinë institucionale dhe efektivitetin e procesit kushtetues.
“Mbas përgjigjes së Kushtetutës në lidhje me dekretin e presidentes Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit, tani i mbetët qeverisë që brenda 34 ditëve të ofrojë një zgjidhje, apo zgjedhje të presidentit-es, përndryshe duhet të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Në bazë të këtij vendimi Gjykata Kushtetuese, sikur nuk e lë fajtore z.Osmani, për shpërndarje të Kuvendit, por shtrohet pyetja, a ekziston ndonjë përgjegjësi sa do e vogël, që jep shpjegim dhe llogari për një pezullim të tillë dhe për kohën e humbur të Kuvendit?
Nëse, deri këtu nuk kemi arritur asgjë lidhur me një çështje të tillë, si edhe me mënyrën përmes sëcilës mund të bëhëj një shkelje kushtetuese, a do duhej kjo çështje ti nënshtrohej një norme ligjore, që mos të përsëritet edhe ndonjëherë tjetër dhe për të mos rënë në këto gracka të pa nevojshme”, u shpreh ai.
Duke vazhduar opinonisti shton se opozita, duke mos ofruar një kandidat të qartë dhe të denjë për president, duket e paaftë ose e pa interesuar për këtë rol, ndërsa insistimi i saj për zgjedhje të jashtëzakonshme reflekton strategji politike të paefektshme.
“Është pak sa e çuditshme se si opozita është këmbëngulëse për zgjedhje të jashtëzakonshme dhe duket e pa interesuar për zgjedhjen e presidentit-es, apo është kjo opozitë e pa fuqishme dhe e pa arritshme që të gjejë një përsonalitet të denjë nga radhët e veta për këtë pozicion, duke mos dhënë emër dhe shpjegime të qarta.
Është normale që sëcila parti ka ambicie të merr rrolin e presidentit-es, sikur edhe në këtë rast, duke e kuptuar opozitën, por kjo strategji të cilën po e përdor opozita, si PDK, dhe LDK, duke mos i pasë as numrat për të nënshkruar për kandidatin e tyre, dhe i cili nuk ka as emër dhe mbiemër për të arritur një konsenzus të përbashkët”, thotë opinonisti.
Preqi shpjegon se zgjedhjet e jashtëzakonshme mund të sjellin të njëjtën krizë për zgjedhjen e presidentit dhe janë të papërshtatshme për Kosovën për shkak të kufizimeve ekonomike.
Ai gjithashtu kritikon opozitën për strategjinë e saj politike që përqendrohet vetëm në dobësimin e pushtetit të Albin Kurtit, duke anashkaluar interesin e përgjithshëm të qytetarëve dhe mirëqenien e vendit.
“Çfarë mund të garantohet për ndonjë ndryshim të mundshëm, nëse përsëri shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat mund të sjellin të njëjtën situatë për zgjedhjen e presidentit-es, dhe në anën tjetër, Kosova, nuk e ka luksin e saj dhe kushtet ekonomike të bëjë zgjedhje të njëpasnjëshme dhe sa herë u tekët partive politike të provojnë fatin e tyre.
Dhe gabim do të ishte, nëse opozita kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme, duke menduar me logjikën e saj se, partia në pushtet LVV, këtë herë do të pësojë një rënje të saj dhe pikërisht, në kuptimin e kësaj përpjekje buron një strategji e mundshme politike, duke u bashkuar e tërë opozita në njërën anë për ta lëkundur apo rrëzuar pushtetin e Albin Kurtit.
Ky lloj imazhi politik, të cilin po e përjetojmë në këtë mënyrë, këtu qëndron edhe mundësia dhe format e demokracisë, ku njeriu është i lirë dhe mund të përdor angazhimet e veta në forma të tilla, edhe pse mund të jetë i gabuar, vetëm për të përfituar një lloj pushteti, i cili i shërben një klani apo grupi të caktuar, pa u hamend për nevojat që janë të ndërlidhura me mirëqenjën dhe të ardhmën e këtij populli”, shpjegoi Preqi.
Në fund opinonisti nënvizon që qytetarët kanë të drejtë të shqetësohen për liderët politikë që keqpërdorin pushtetin dhe vullnetin e tyre, duke treguar mungesë karakteri dhe përqendrim vetëm te ambiciet personale.
Ai thekson se zgjedhja e presidentit duhet të bëhet me maturi dhe përgjegjësi, duke reflektuar kulturën, fisnikërinë dhe interesin e shtetit për mirëqenien e popullit.
“Prandaj, edhe populli ka të drejtën e vet të shqetësohet dhe revoltohet me liderët e vet politik, të cilët po e keqpërdorojnë votën dhe vullnetin e tyre, duke e theksuar në rend të parë, mungesën e karakterit njerëzor dhe vullnetin e tyre për një pushtet dhe udhëheqje të drejtë ndaj këtij vendi, apo duke e kthyer këtë imazh në një tipar të njeriut “grabitës” apo i “egër”, ndaj njëri-tjetrit.
Sikur është koha më delikate ti kushtojmë vëmendje çështjes tonë shtetërore dhe mirëqenjës së këtij populli të vuajtur për liri dhe demokraci, dhe ti japim një shikim të qartë shtetndërtimit të këtij vendi, i cili për fat të keq po qëndron përballë një kaosi politik, që do të ishte e turpshme dhe e pa pranueshme për shoqërinë tonë, që për një zgjedhje të presidentit-es, të biem në një situatë të tillë, kur në këtë vend ka një armatë të tërë akademikësh dhe njerëz me dinjitet, që mund ti shërbejnë këtij vendi.
Zgjedhja e presidentit-es, të arrihet me maturi dhe gjakftoftësi, poashtu të tregojmë kulturën e kësaj shoqërie të lashtë njerëzore, që e karakterizon fisnikëria dhe guximi, në të cilën shohim premisat dhe objektivat që mund të vërehen nga tregues dhe shembuj pozitiv të një popull”, përfundoi opinonisti Dedë Preqi për “Bota sot”.