18 ditë afat, ende asgjë në horizont – a po shkon Kosova drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme? Analisti ‘zbulon’ skenarin

Politika

18 ditë afat, ende asgjë në horizont – a po shkon Kosova drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme? Analisti ‘zbulon’ skenarin

Nga: N.E. Më: 10 prill 2026 Në ora: 08:02
Foto ilustrim

Të hënën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhikun, lidhur me çështjen e presidentit.

Takimi nuk solli rezultate konkrete, pos dakordimit që të takohen përsëri.

“Ndodhemi aty ku ndodhemi. Unë vazhdoj të jem optimist se me takime dhe bisedime të këtilla do të mund të arrijmë një marrëveshje politike, por këtë nuk mund të them që e kemi sot, veçse atmosfera konstruktive në njërën anë dhe dashamirësia që t’i shmangim zgjedhjet e reja që nuk janë zgjidhje, në anën tjetër, më bën optimist për këto tri javët e mbetura që uroj të mos i shfrytëzojmë deri në ditën apo orën e fundit”, ka deklaruar Kurti pas takimit dy orës me Abdixhikun.

Ai ka paralajmëruar takime edhe Bedri Hamzën, kreun e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), partisë më të madhe opozitare në vend.

Takimi me Hamzën, mund të mbahet javën e ardhshme, kjo për shkak se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk i ka dërguar ftesë zyrtare atij për takim në këtë javë dhe për shkak të angazhimeve të kryeministrit.

Kurti ka udhëtuar për në Londër, ku sonte pritet të marrë pjesë në një ddiskutim të organizuar në Londër nga ODI Global, një institut për kërkime dhe politika zhvillimore.

Lajmi u bë i ditur nga koordinatorja e komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, e cila njoftoi përmes një postimi se tema e diskutimit do të jetë “Shtetformimi ekonomik dhe stabiliteti global”.

“Sonte në Londër. “Shtetformimi ekonomik dhe stabiliteti global”, diskutim në ODI Global në Londër. Pjesëmarrës në diskutim Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti”, shkroi Mihali në një postim në Facebook.

Diskutimi në Londër do të jetë i hapur për pjesëmarrje fizike dhe online për publikun e interesuar, për të cilën gjë njoftoi edhe Mihali.

Gjersa, pritet një konsensus mes Kurtit dhe LDK-së, apo një takimi të ri mes tij dhe Bedri Hamzës, tashmë ka qëndrime që vendi po shkon në zgjedhje të reja dhe se fushata zgjedhore ka filluar.

Analisti Afrim Kasolli, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, i konsideron formale takimet për zgjedhjen e presidentit-es.

Image
Analisti Afrim Kasolli

Sipas tij, deklarimi i Kurtit se veriu është çliruar gjatë qeverisjes së tij dhe akuzat se Osmani është në linjë me Lajçakun janë sinjale se fushata ka filluar.

“Derisa formalisht po zhvillohen takimet gjoja për zgjedhjen e Presidentit/es së re të shtetit me pretendimin publik për t’i shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, në të vërtetë fushata për këto të fundit tashmë ka filluar. Kryeministri, Albin Kurti ditë më parë i është rikthyer kauzës së tij kryesore politike asaj të “çlirimit të veriut”. Gjatë një vizite në atë pjesë ai ka pohuar sesi nën qeverisjen e tij tashmë “bandat kriminale janë shpartalluar, kurse normaliteti po rikthehet dita ditës”. Ndërkohë, paralelisht me këtë zhvillim deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje e kanë akuzuar Presidenten Vjosa Osmani, se ishte në të njëjtën linjë me Miroslav Lajçakun, kurse pikërisht arritjen më të madhe shtetërore në shtrirje të sovranitetit e ka quajtur “politikë të kazinos” duke iu referuar fjalimit kritik në Kuvendin e Kosovës te Presidentes Osmani, për tensionet ndërmjet Qeverisë dhe partnerëve ndërkombëtarë, për veriun”, shprehet Kasolli.

Edhe deklarimin e ministrit Hekuran Muratit për pakon e re ekonomike, Kasolli, e sheh si fushatë para zgjedhore.

“Krahas kësaj teme, Lëvizja Vetëvendosje, konkretisht ministri i Financave Hekuran Murati, para pak dite në seancën e thirrur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, me motiv suspendimin e TVSH-se dhe Akcizës për derivatet e naftës, ka paralajmëruar për përgatitjen e një pako të re ekonomike prej 200 milionë eurove si masë për përballimin e inflacionit. Dëshmi kjo që Qeveria aktuale është duke planifikuar edhe një injektim financiar në popull. Madje kryeministri deklaroi se qasja e tij ekonomike konsiston në ulje të taksave, por në rritje te subvencioneve.

Rrëfimi mbi Veriun dhe ndarja e mjeteve buxhetore në shoqëri kanë qenë dy nga instrumentet kryesore elektorale të Lëvizjes Vetëvendosje. Prandaj, riaktivizimi i tyre tashmë mund të merret si paralajmërim se vetëm sa ka filluara fushata për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare”, përfundon analisti.

Kuvendit të Kosovës i kanë mbetur edhe 18 ditë afat për zgjedhjen e presidentit të ri në vend.

Sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë afat që deri më 28 prill të zgjedhin presidentin e ri të vendit.

Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit të 28 dhjetorit ka fituar mbi 51 për qind të votave, derisa LDK 13 për qind.

Koalicioni qeverisës i drejtuar nga LVV ka 66 deputetë ose 14 më pak se numri i duhur i ligjvënësve që kërkohen për të votuar në dy rundet e para për ta zgjedhur presidentin e vendit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat