Në prag të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, skena politike në Kosovë po jep sinjale që më shumë flasin për përplasje sesa për kompromis. Retorika e ashpërsuar, vijat e kuqe të përsëritura dhe mungesa e një dialogu real ndërmjet subjekteve kryesore politike sugjerojnë se vendi mund të jetë duke rrëshqitur drejt një tjetër krize institucionale.
Deri më 28 prill, kur përfundon afati për zgjedhjen e kreut të shtetit, gjasat për një marrëveshje gjithëpërfshirëse duken të pakta, duke hapur rrugën për një skenar që Kosova e ka përjetuar edhe më parë: zgjedhjet e parakohshme.
Pyetja thelbësore që shtrohet është: kujt i konvenojnë zgjedhjet në këtë moment? Për partitë që aktualisht ndodhen në opozitë, një proces i ri zgjedhor mund të shihet si mundësi për të rikonfiguruar balancat e pushtetit.
Por përtej interesave të ngushta partiake, kostoja më e madhe bie mbi funksionimin institucional dhe stabilitetin politik të vendit. Zgjedhjet nuk garantojnë domosdoshmërisht zgjidhje. Sistemi politik i Kosovës, i ndërtuar mbi një përfaqësim proporcional dhe një pluralizëm të theksuar, e bën pothuajse të pamundur që një parti e vetme të sigurojë 81 votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit në Kuvend. Kjo do të thotë se edhe pas zgjedhjeve, nevoja për koalicione dhe kompromis mbetet e pashmangshme.
Në këtë kontekst, rreziku i hyrjes në një cikël të vazhdueshëm bllokadash nuk është hipotetik, por real. Nëse kultura politike vazhdon të karakterizohet nga polarizimi i thellë dhe mungesa e vullnetit për bashkëpunim, çdo proces zgjedhor mund të prodhojë vetëm një përsëritje të krizës aktuale, duke e zhvendosur problemin në kohë, por jo duke e zgjidhur atë.
Vuniqi: Vuniqi: Nga “Republika e ngrirë” në shtetin e bllokuar – Kosova mes shumicës dhe vetos së padukshme
E në lidhje me gjithë këtë situatë të krijuar dhe atë se kujt më shumë i konvenojnë këto zgjedhje, për “Bota sot” foli opinionisti Agim Vuniqi.
Si fillim, ai përmendi faktin se problemi nuk është se mungon vullneti politik, por që sistemi nuk e përkthen vullnetin në vendim.
Në këtë pikë, vlerësoi se, ka një paradoks të rrezikshëm në Kosovë, kjo pasi që, shumica ekziston numerikisht, por nuk mund të vendosë praktikisht.
“Koncepti i Daniel Lazare për “republikën e ngrirë” nuk është më luks teorik i demokracive të vjetra. Ai sot përkthehet në realitet konkret në Kosovë—por në një formë edhe më të brishtë: jo vetëm ngrirje, por bllokadë funksionale e shtetit.
Në thelb, problemi nuk është se mungon vullneti politik. Problemi është se sistemi nuk e përkthen dot vullnetin në vendim.
Kuvendi i Kosovës, i konceptuar si burim i legjitimitetit demokratik, sot përballet me një paradoks të rrezikshëm: shumica ekziston numerikisht, por nuk mund të vendosë praktikisht. Kjo sepse pakica, përmes mungesës së organizuar, ka krijuar një instrument që Kushtetuta nuk e njeh—veton përmes mospranisë.
Ky është transformimi më i rrezikshëm i demokracisë parlamentare:
nga përfaqësim aktiv → në bllokim pasiv”, deklaroi opionisti.
Me këtë rast, Vuniqi përmendi edhe vendimin e Kushtetueses, derisa bëri dallimin e sistemit mes SHBA-së së Lazare dhe Kosovës, e që pikërishit ndëlidhet me teprinë e kontrollit.
“Në këtë vakuum politik, Gjykata Kushtetuese e Kosovës hyn si arbitër i fundit. Por siç paralajmëron Lazare për SHBA-të, kur politika dështon, juridiku mbingarkohet. Gjykata nuk merr pushtetin—por e trashëgon atë nga dështimi i politikës. Dhe sa më shumë zgjat kjo gjendje, aq më shumë rritet perceptimi se vendimmarrja po zhvendoset nga vota te interpretimi.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës operon në një zonë gri: funksionon për të shmangur kolapsin institucional, por pa legjitimitet të plotë për vendime strategjike. Kjo krijon një stabilitet artificial—një shtet që mbahet në këmbë, por nuk ecën përpara.
Këtu qëndron dallimi mes SHBA-së së Lazare dhe Kosovës: në SHBA kemi një sistem të “ngrirë” nga tepria e kontrollit ndërsa në Kosovë kemi një sistem të bllokuar nga mungesa e mekanizmave të zhbllokimit”.
Më tej, opnionisti paralajmëroi se nëse vazhdon kjo logjikë e bllokimit, atëherë ka rrezik real që çdo pakicë e organizuar ta bllokojë shtetin.
“Nëse kjo logjikë vazhdon, rreziku nuk është vetëm stagnimi. Rreziku është institucionalizimi i një precedenti: që çdo pakicë e organizuar mund të bllokojë shtetin pa marrë përgjegjësi. Nesër, kjo metodë mund të adoptohet nga çdo aktor—përfshirë struktura që mund të dalin nga marrëveshje të ndjeshme politike—duke e shndërruar shtetin në një mozaik vetosh të padukshme.
Zgjidhja nuk është thyerja e rendit kushtetues—sepse kjo do ta kthente krizën në konflikt të hapur institucional. Zgjidhja është më e vështirë, por më e qëndrueshme: riparimi i mekanizmit që sot prodhon bllokadë.
Kosova ka nevojë për një “kushtetutë funksionale”, jo vetëm formale: mekanizma vendimmarrjeje që nuk mund të bllokohen pafund; afate me pasoja reale; procedura që e bëjnë mungesën të pavlefshme si mjet vetoje”, shpjegoi ai.
Ndër të tjera, Vuniqi, shtoi një pyetje të rëndësishme për gjithë situatën e krijuar.
“Në fund, pyetja është më e thellë se përplasja.
A është demokracia vetëm e drejtë për të votuar, apo edhe aftësi për të vendosur?
Sepse në momentin kur sistemi nuk prodhon vendim, ai nuk është më i ngrirë—ai është i bllokuar. Dhe një shtet i bllokuar, sado demokratik në formë, rrezikon të humbasë substancën e vet”, përfundoi Agim Vuniqi për “Bota sot”.
Kapiti: Kosova nuk ka pse të mbetet peng i kapriçove të partive politike dhe i interesave personale të deputetëve
Ndërsa, opinionisti Skënder Kapiti u tregua i ashpër me partitë opozitare dhe qasjen e tyre ndaj zhvillimeve të fundit politike.
Sipas tij, fajtorja më e madhe në këtë pikë është LDK.
“Partitë politike në Kosovë, përfaqësuesit e sotëm të popullit, janë fatkeqësisht problemi më i madh që ka Kosova. Partitë politike kosovare, sidomos opozita politike në Prishtinë, së cilës iu bashkangjit edhe ish-presidentja e Kosovës, nuk e kanë shqetësim real zgjedhjen e Presidentit, por synojnë rrëzimin e qeverisë Kurti. Pra, ato duan një puç institucional kundër legjitimitetit demokratik të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit 2025.
Peshën kryesore të këtij aktiviteti destruktiv, pengues e bllokues e mban LDK-ja, e cila nuk duhej të ishte në aleancë me PDK-në dhe AAK-në. LDK-së së sotme i ka mbetur vetëm simbolika e rugovizmit, sepse nuk ka më asnjë lidhje me LDK-në e vërtetë”.
Krahas kësaj, ai përmendi faktin se jo vetëm opozita në Kosovë, por edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është kundër Albin Kurtit.
“Jo vetëm kaq, por kundër qeverisë dhe Kurtit është edhe kryeministri i Shqipërisë. Me një fjalë, pengimi dhe bllokimi i zgjedhjes së Presidentit të Kosovës u intereson armiqve të shtetit dhe të pavarësisë së Kosovës. Edhe sikur të mbahen zgjedhje të tjera të jashtëzakonshme, përsëri do të kemi të njëjtën situatë, atë të pamundësisë së zgjedhjes së Presidentit, pasi duhen 81 vota”, potencoi ai.
Për këtë, opinionisti nga Shqipëria foli edhe për përpjekjet e LVV-së së Kurtit për të arritur një marrëveshje për presidentin me LDK-në, por që fatkeqësisht nuk u realizua një gjë e tillë.
“Kurti po kërkon që të arrihet një marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, pra një konsensus. LDK është partia politike më e dërrmuar politikisht, dhe kjo për faktin se ka dështuar dhe nuk është serioze për të nxjerrë një alternativë bindëse; ajo vetëm ka humbur dhe ka arritur deri aty sa me siguri do të rrëshqasë akoma më poshtë politikisht. Ajo funksionon si një aventurë politike.
Nëse do të kishte një marrëveshje për Presidentin e Kosovës mes LVV-së dhe LDK-së, kësaj të fundit i duhet dhënë aq sa i takon sipas rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025. Nëse, për hatër të Kryeministrit Kurti, ky i fundit për interesin e tij personal për postin kryeministror vepron si Sali Berisha, i cili vetëm për interesin e tij për të qenë kryeministër bëri një aleancë amorale me partinë e Ilir Metës, atëherë LSI-ja dhe Meta, me vetëm 4 deputetë, bënin ligjin dhe korrupsionin në koalicionin Meta–Berisha, gjë e cila i kushtoi shumë rëndë Partisë Demokratike. Si pasojë e kësaj aleance, Partia Demokratike ka përfunduar në këtë gjendje, gati e falimentuar”.
Në fund, Kapiti paralajmëroi se nëse shkohet në zgjedhje, atëherë do jetë shumë problem për Kosovën dhe imazhin e saj.
Sipas tij, zgjedhjet nuk janë zgjidhje për bllokadën dhe se Kosova nuk duhet të mbahet peng i interesave partiake.
“Nëse shkohet në zgjedhje të parakohshme, nuk është problem shqetësues kostoja e zgjedhjeve, por dëmi dhe imazhi për shtetin e Kosovës. Edhe po të mbahen zgjedhje të parakohshme, përsëri mund të ketë krizë, sepse asnjëra palë, as LVV-ja dhe as koalicioni anti-LVV, nuk mund të sigurojnë numrin e nevojshëm të deputetëve për zgjedhjen e Presidentit.
Zgjidhja do të ishte vendosja e një detyrimi ligjor që deputetët e Kuvendit të Kosovës të jenë të pranishëm në seancën kur votohet Presidenti, sepse për këtë janë votuar: që të shkojnë në Parlament dhe jo të sillen sipas tekave dhe dëshirave partizane apo personale. Një alternativë tjetër do të ishte që Presidenti të zgjidhet me votim popullor, krahas zgjedhjeve parlamentare, ashtu si në SHBA dhe në republikat presidenciale. Kosova nuk ka pse të mbetet peng i kapriçove të partive politike dhe i interesave personale të deputetëve, prej të cilave burojnë vetëm kriza”, përmbylli Skënder Kapiti për “Bota sot”.