Kosova pa president / Zgjedhjet e parakohshme dhe pasojat në arenën ndërkombëtare

Politika

Kosova pa president / Zgjedhjet e parakohshme dhe pasojat në arenën ndërkombëtare

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 2 maj 2026 Në ora: 19:01

Kosova do të mbajë zgjedhjet e parakohshme me 7 qershor, pasi procesi për zgjedhjen e presidentit ka dështuar të përmbyllet brenda afateve kushtetuese, duke thelluar krizën politike dhe institucionale në vend.

Derisa nga zgjedhjet e parafundit në shkurt të vitit 2025, vendi hyri në një krizë të gjatë, deri në dhjetor, kur u mbajtën zgjedhjet e fundit. Mirëpo, as zgjedhjet e fundit nuk sollën zgjidhje. 

Njohësit e politikës dhe ndërkombëtarët vazhdimisht bënin thirrje për dalje nga kriza dhe zgjedhjen e institucioneve të reja të Kosovës. 

Mirëpo, pavarësisht kësaj, mospajtimet ndërmjet pozitës dhe opozitës bën që vendi sërish të shkoj në zgjedhje të reja që pritet të mbahen më 7 qershor.

Por, si pritet të ndikojë në arenën ndërkombëtare, fakti që Kosova nuk do ketë president të ri edhe për disa muaj? A mund të ndikojë kjo krizë në procesin e integrimit evropian dhe në raportet me BE-në dhe SHBA-në?

Lidhur me këtë ҫështje, kanë folur për ‘Bota sot’ njohësit e politikës në vend.

Dështimi për zgjedhjen e presidentit thellon bllokadën institucionale dhe rrezikon integrimin evropian

Image
Fahredin Majkovci

Kështu, politologu dhe analisti politik Fahredin Majkovci vlerëson se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme si pasojë e dështimit për zgjedhjen e presidentit brenda afateve kushtetuese, duke thelluar krizën politike dhe institucionale në Kosova. 

“Viti i kaluar dhe ky vit, siç duket, do të kujtohen si vite të ngecjes, veçanërisht në politikën e jashtme, si një fushë jetike për Kosovën”, theksoi Majkovci. 

Ai shtoi se, ndonëse vendi ka dëshmuar se di të organizojë zgjedhje demokratike, dështimi për të tejkaluar ngërçin politik ka krijuar perceptimin e një bllokade institucionale.

Sipas tij, kjo situatë është rezultat i mungesës së bashkëpunimit ndërmjet partive politike dhe tregon se Kosova ende nuk ka arritur nivelin e duhur të konsolidimit demokratik sipas standardeve evropiane. Majkovci vlerëson se partnerët ndërkombëtarë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe NATO e shohin këtë si mungesë konsensusi dhe dobësi institucionale.

“Pasojat tashmë janë konkrete: janë shtyrë vizita të rëndësishme të nivelit të lartë, si anulimi i vizitës së Komisioneres Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka më pak iniciativa të reja ndërkombëtare dhe partnerët po fokusohen më shumë në menaxhimin e krizës sesa në zhvillim strategjik”, deklaroi ai.

Majkovci paralajmëron se në mungesë të një presidenti, politika e jashtme ngadalësohet dhe dëmtohet përfaqësimi ndërkombëtar. Ai thekson se kjo mund të ndikojë drejtpërdrejt në proceset kyçe si integrimi në Bashkimi Evropian dhe avancimi në Këshilli i Evropës.

Mungesa e presidentit dëmton perceptimin ndërkombëtar dhe mund të ngadalësojë proceset integruese

Po ashtu, për këtë ҫështje, për “Bota sot” ka dhënë qëndrimet e tij edhe analisti politik, Visar Dili.

Image
Visar Dili

Ai vlerëson se shkuarja në zgjedhje të parakohshme, si pasojë e dështimit për zgjedhjen e presidentit, reflekton një nivel të lartë të paqëndrueshmërisë politike dhe mungesë konsensusi institucional në Kosova.

“Në planin ndërkombëtar, mungesa e një presidenti të ri për disa muaj nuk e paralizon funksionimin e shtetit, por e dëmton perceptimin për stabilitetin dhe seriozitetin institucional të vendit”, theksoi Dili.

Ai shtoi se partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i kushtojnë rëndësi të madhe funksionalitetit demokratik dhe respektimit të afateve kushtetuese.

Sipas tij, kjo situatë mund të krijojë hezitim në thellimin e bashkëpunimit dhe të ngadalësojë proceset integruese, pasi fokusi zhvendoset nga reformat drejt menaxhimit të krizës politike. 

“Në veçanti, procesi i integrimit evropian mund të pësojë stagnim të përkohshëm, sepse BE-ja kërkon stabilitet politik dhe institucione funksionale si parakushte për avancim”, deklaroi ai.

Mes tjerash. Dili vlerëson se raportet me partnerët strategjikë nuk pritet të dëmtohen në mënyrë thelbësore, por mund të ketë rritje të presionit diplomatik ndaj aktorëve politikë për të gjetur zgjidhje. 

Ai thekson se përgjegjësia kryesore mbetet te klasa politike vendore për të shmangur përsëritjen e krizave dhe për të ruajtur besueshmërinë ndërkombëtare të Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat