Qeveria e Serbisë ka vazhduar të financojë nga buxheti i shtetit Shoqatën e Veteranëve të Beretave të Kuqe, një organizatë që përfshin ish-anëtarë të njësisë speciale tashmë të shpërbërë të Sigurimit Shtetëror të Serbisë.
Sipas të dhënave të raportuara, kjo shoqatë përfiton mbështetje financiare publike pavarësisht lidhjeve të saj me një strukturë që ka pasur rol të rëndësishëm në periudhat më të tensionuara të viteve ’90 në rajon.
Njësia për Operacione Speciale, e njohur gjerësisht si “Beretat e Kuqe”, ishte një forcë elitare brenda aparatit të sigurisë serbe.
Ajo u përfshi edhe në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998–1999, një konflikt që la pasoja të rënda humanitare dhe politike në rajon dhe që përfundoi me ndërhyrjen e NATO-s dhe vendosjen e administratës ndërkombëtare në Kosovë.
Dashevci: Serbia vazhdon të glorifikojë ish-struktura të lidhura me represionin dhe krimet ndaj shqiptarëve në Kosovë sepse nuk është demokratike
Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, në një përgjijge për “Bota sort” deklaron se Qeveria e Serbisë vazhdon të financojë dhe të mos distancohet nga ish-strukturat speciale si “SAJ” dhe “Beretat e Kuqe”, të lidhura me Milorad Ulemek Legija.
Sipas tij, këto grupe kanë një të kaluar të rëndë në luftërat e ish-Jugosllavisë, përfshirë edhe Kosovën, dhe janë të përfshira në krime si në Mejë e vende të tjera.
Ai e konsideron këtë financim si rehabilitim politik e moral të strukturave që, sipas tij, kanë kryer krime lufte dhe thekson mungesën e pendesës së Serbisë ndaj viktimave, duke paralajmëruar për vazhdim të një qasjeje destruktive ndaj rajonit.
“Qeveria e Serbisë i financon dhe kurrë nuk është distancuar në asnjë rast deri më sot nga këto grupe famëkeqe si njësiti “SAJ” me komandantin famëkeq Milorad Ulemek Legija që ndodhet në burgim të përjetshëm, dhe çka është për keqardhje financon me para nga buxheti i shtetit Shoqatën e Veteranëve të Beretave të Kuqe të njësitit "SAJ"- një organizatë kjo që mbledh të gjithë ata ish-anëtarë të njësisë speciale të shpërbërë të Sigurimit Shtetëror të Serbisë dhe kanë bërë krime në ish Jugosllavinë e atëherëshme si Kroaci, Bosnjë Heregovinë dhe te ne, në Kosovë.
Njësia për Operacione Speciale, me këtë emër, mori pjesë edhe në luftën në Kosovë gjatë viteve 1998-1999 dhe dihet se çfarë masakrash kanë bërë në Mejë dhe shumë vende tjera.
Serbia ende financon me para publike ish-pjesëtarë të këtyre njësiteve famëkeqe.
Pra kjo është Qeveria e Serbisë ende me mendësi të viteve 90-ta pa asnjë pendesë për viktimat dhe vazhdon glorifikimin e atyre njësive të akuzuara për krime në Kosovë, ndërsa viktimat shqiptare ende kërkojnë drejtësi.
Unë mendoj, për sa është ky establishment i kontaminuar atje do ballafaqohemi me këtë destruktivitet nga ana e tyre.
Ky financim pa dyshim se është rehabilitim politik dhe moral i strukturave kriminale, para ushtarake që vepruan dhe shkaktuan krime të rënda gjatë luftës në Kosovë”, foli ai për “Bota sot”.
Ai shton se mesazhi që vjen nga këto veprime është i rëndë për familjet e viktimave dhe të të zhdukurve shqiptarë, pasi rikthen dhimbje të pashëruara.
Sipas tij, Serbia vazhdon të mbështesë ose të mos distancohet nga struktura të së kaluarës që ai i lidh me represionin dhe krimet në Kosovë.
“Mesazhi është i keq sepse dërgon dhimbje të mëdha familjeve shqiptare të të zhdukurve dhe viktimave civile me mbështetjen e “Beretave të Kuqe”, ku plagët ende nuk janë shëruar.
Serbia vazhdon të glorifikojë ish-struktura të lidhura me represionin dhe krimet ndaj shqiptarëve në Kosovë sepse nuk është demokratike, ka ende tendenca teritoriale kundër vendit tonë, sillet në destruktivitet të plotë dhe unë mendoj që kështu do të vazhdojë deri sa ndryshohet ky establishment politik ose kjo mendësi e tyre që vazhdon të jetë e njejtë që nga vitet e 90-ta”, thekson ai.
Shala: Qeveria e Serbia vazhdon të dëshmojë se nuk e ka përfunduar as politikisht dhe as moralisht raportin me të kaluarën e saj të viteve ’90
Kurse, eksperti tjetër i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala për “Bota sot” tha se financimi nga Serbia për Shoqatën e “Beretave të Kuqe” nuk është thjesht çështje administrative, por një sinjal politik.
Sipas tij, kjo tregon se Serbia ende nuk është distancuar nga e kaluara e viteve ’90 dhe po tenton të rehabilitojë struktura që kanë qenë pjesë e aparatit represiv në luftërat në Kosovë, Bosnje dhe Kroaci, pa marrë përgjegjësi për krimet e kryera.
“Qeveria e Serbia vazhdon të dëshmojë se nuk e ka përfunduar as politikisht dhe as moralisht raportin me të kaluarën e saj të viteve ’90. Financimi nga buxheti i shtetit i Shoqatës së Veteranëve të “Beretave të Kuqe” nuk është vetëm një akt administrativ apo social ndaj ish-pjesëtarëve të një njësie të shpërbërë; ai përfaqëson një mesazh të qartë politik dhe strategjik. Në thelb, është vazhdimësi e narrativës shtetërore që refuzon të pranojë përgjegjësinë për krimet e kryera në Kosovë dhe njëkohësisht tenton të rehabilitojë strukturat që kanë qenë pjesë aktive e aparatit represiv të Serbia gjatë luftës.
Njësia për Operacione Speciale, e njohur si “Beretat e Kuqe”, nuk ishte një strukturë periferike apo spontane. Ajo ishte pjesë e arkitekturës së sigurisë së shtetit serb dhe veproi në kontekstin e operacioneve të dhunshme në Kosovo, Bosnje dhe Kroaci. Prandaj, kur një shtet vendos të financojë organizata që mbledhin ish-anëtarët e këtyre strukturave, pa reflektim institucional, pa kërkimfalje dhe pa drejtësi për viktimat, atëherë kjo nuk mund të interpretohet ndryshe veçse si rehabilitim politik dhe moral”, tha ai.
Ai shton se një veprim i tillë i Serbisë dërgon mesazh të fortë negativ për familjet e të zhdukurve dhe viktimat civile shqiptare, duke mbajtur të hapura plagët e luftës dhe duke minuar besimin në pajtimin rajonal.
Shala thekson se kjo qasje pengon normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi dhe bie ndesh me aspiratat evropiane të Serbisë, pasi në vend të drejtësisë dhe transparencës, po ruhet një narrativë e konfliktit që e mban rajonin të bllokuar në të kaluarën.
“Mesazhi që u dërgohet familjeve shqiptare të të zhdukurve dhe viktimave civile është jashtëzakonisht i rëndë: se shteti serb vazhdon të mbrojë memorien dhe strukturat e aparatit që lidhen me periudhën e represionit, ndërkohë që mijëra familje ende kërkojnë eshtrat e më të dashurve të tyre. Kjo krijon jo vetëm plagë të hapura në aspektin human, por edhe një krizë të vazhdueshme besimi në procesin e pajtimit rajonal
Problemi nuk është vetëm historik. Glorifikimi i strukturave të tilla prodhon pasoja aktuale në dimensionin politik dhe të sigurisë. Ai ushqen nacionalizmin radikal, ruan kulturën e mosndëshkimit dhe i paraqet ish-strukturat paramilitare apo speciale si “mbrojtës të kombit”, e jo si pjesë e një periudhe që duhet hetuar dhe dënuar. Në aspektin strategjik, kjo ndikon drejtpërdrejt edhe në stabilitetin rajonal, sepse ruan gjallë narrativat e konfliktit dhe pengon normalizimin real ndërmjet Kosovo dhe Serbia.
Një shtet që synon integrim evropian nuk mund të ndërtojë identitet demokratik duke financuar ose glorifikuar struktura që lidhen me periudha të errëta të luftës. Ballkani nuk ka nevojë për rehabilitim të aparateve të së kaluarës, por për transparencë, drejtësi tranzicionale dhe përgjegjësi institucionale. Çdo veprim që shkon në drejtim të kundërt vetëm sa thellon ndarjet dhe e mban rajonin peng të hijes së konflikteve të viteve ’90” – përfundoi Shala për gazetën “Bota sot”.