Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me presionin që, sipas tij, po ushtrohet ndaj serbëve të Kosovës para procesit zgjedhor. Ai pretendon se struktura të lidhura me Aleksandar Vuçiq dhe Milan Radojçiq po ndikojnë përmes frikësimit dhe shantazhit që qytetarët serbë të mbështesin vetëm Listën Serbe.
Sipas Rashiqit, në komunitetin serb ekziston një klimë e vazhdueshme presioni politik dhe psikologjik.
Ai thotë se qytetarëve u bëhet presion me vendet e punës, ndihmat sociale dhe lidhjet familjare, duke krijuar frikë tek ata që mbështesin alternativa të tjera politike.
Për më tepër, ai pretendon se disa persona janë marrë në pyetje apo ndaluar në kufi nga struktura të sigurisë serbe.
Rashiq akuzon Listën Serbe se funksionon si zgjatim politik i partisë në pushtet në Serbi dhe jo si përfaqësuese e pavarur e serbëve të Kosovës.
Ai deklaron se vendimet kryesore politike dhe organizative, sipas tij, nuk merren në Kosovë, por nga qarqe të lidhura me Beogradin dhe njerëz të afërt me Radoiçiqin.
Në deklaratat e tij, Rashiq përmendi edhe raste konkrete të presionit ndaj aktivistëve politikë dhe familjarëve të tyre.
Ai pretendon se qytetarëve u kërkohet të sigurojnë vota për Listën Serbe dhe madje të sjellin persona nga Serbia për të votuar në Kosovë. Këto veprime, sipas tij, po e deformojnë vullnetin e lirë të komunitetit serb në vend.
E duke u nisur nga kjo deklaratë, a tregojnë akuzat për presion politik nga Lista Serbe dhe strukturat e lidhura me Aleksandar Vuçiq një thellim të kontrollit të Beogradit mbi politikën e serbëve në Kosovë, apo kemi të bëjmë më shumë me retorikë elektorale mes rivalëve politikë?
Halili: Beogradi përpiqet ta mbajë nën kontroll përfaqësimin politik të serbëve të Kosovës
Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Nijazi Halili.
Ai tha se ndikimi i Beogradit mbi politikën e serbëve të Kosovës përmes Listës Serbe shihet si një praktikë e vazhdueshme, ndërsa deklaratat e Rashiqit pasqyrojnë rivalitetin dhe përplasjet për kontrollin e votës së komunitetit serb në Kosovë.
“Akuzat e Nenad Rashiqit ndaj Listës Serbe dhe strukturave të afërta me presidentin Vuçiq nuk janë krejtësisht të reja në diskursin politik të Kosovës. Prej vitesh ekzistojnë pretendime se Beogradi përpiqet ta mbajë nën kontroll përfaqësimin politik të serbëve të Kosovës përmes ndikimit institucional, ekonomik dhe politik mbi Listën Serbe. Në këtë kuptim, deklaratat e fundit mund të interpretohen si tregues i vazhdimësisë së këtij ndikimi dhe i një rivaliteti të brendshëm për kontrollin e elektoratit serb në Kosovë”, u shpreh ai.
Ndër tjera, profesori vlerëson se, gjatë periudhave zgjedhore retorika politike bëhet më e ashpër dhe akuzat përdoren edhe për përfitime elektorale, por njëkohësisht mbetet real shqetësimi për ndikimin e Beogradit dhe mungesën e pluralizmit të lirë politik tek serbët e Kosovës.
“Megjithatë, duhet pasur parasysh edhe konteksti zgjedhor. Në prag të zgjedhjeve, retorika politike zakonisht ashpërsohet dhe akuzat për presion, frikësim apo ndërhyrje përdoren shpesh për mobilizim elektoral dhe delegjitimim të kundërshtarit. Prandaj, kemi një kombinim të dy elementeve, nga njëra anë ekziston realisht një ndikim i fortë i Beogradit në politikën serbe në Kosovë, ndërsa nga ana tjetër këto deklarata shërbejnë edhe si pjesë e betejës politike mes rivalëve brenda komunitetit serb.
Çështja kryesore mbetet nëse serbët e Kosovës kanë hapësirë për pluralizëm të mirëfilltë politik dhe përfaqësim autonom, pa presione nga qendrat politike në Beograd apo nga kalkulimet e politikës ditore në Prishtinë”, thotë profesori Halili për “Bota sot”.
Mehmeti: Akuzat e Nenad Rashiqit nuk duhen parë vetëm si retorikë elektorale
Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim për “Bota sot”, tha që Lista Serbe ka vepruar më shumë si instrument politik i Beogradit sesa si përfaqësuese autonome e serbëve të Kosovës, duke përdorur presionin, frikësimin dhe etiketimin e kundërshtarëve për të kontrolluar skenën politike brenda komunitetit serb.
“Akuzat e Nenad Rashiqit nuk duhen parë vetëm si retorikë elektorale, sepse ndër vite është dëshmuar se Lista Serbe nuk ka funksionuar si subjekt normal politik i serbëve të Kosovës, por si instrument direkt i politikave të Beogradit dhe i Aleksandar Vuçiqit. Presioni ndaj qytetarëve serbë, shantazhet politike, kontrolli mbi vendimmarrjen dhe frikësimi i atyre që mendojnë ndryshe janë bërë pothuajse metodë e zakonshme e funksionimit të kësaj strukture.
Nëse një serb në Kosovë nuk reshton pas Listës Serbe, ai shpesh etiketohet si tradhtar apo përballet me izolim politik e institucional. Kjo tregon qartë se pluralizmi politik brenda komunitetit serb vazhdon të mbahet peng nga ndikimi i drejtpërdrejtë i Beogradit”, shpjegon analisti.
Në fund, ai përfundon se zgjedhjet e 7 qershorit do të tregojnë nëse serbët e Kosovës mund të votojnë lirshëm apo ende mbeten nën ndikimin politik të Vuçiqit.
“Prandaj, deklaratat e Rashiqit janë alarm për një realitet që institucionet e Kosovës dhe faktori ndërkombëtar e njohin prej kohësh. Zgjedhjet e 7 qershorit do të jenë test jo vetëm për demokracinë në Kosovë, por edhe për pyetjen nëse serbët e Kosovës do të mund të votojnë lirshëm, si qytetarë të Kosovës, apo ende nën hijen e kontrollit politik të Vuçiqit”, përfundoi analisti Mehmeti për “Bota sot”.